Diellza Kukaj zgjidhet kryetare e Aleancës së Gruas

Kosova

Diellza Kukaj zgjidhet kryetare e Aleancës së Gruas

Më: 25 maj 2022 Në ora: 22:21
Diellza Kukaj

Diellza Kukaj është zgjedhur kryetare e Aleancës së Gruas në kuvendin zgjedhor të kësaj strukture të partisë së Ramush Haradinajt. Në garë për këtë pozitë ishte edhe Vasilika Zotaj, por Kukaj mori shumicën e votave të 140 delegateve të pranishme.

Kukaj ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e fundit nacionale ndërsa ka qenë edhe këshilltare e Ramë Likajt kur ky ka qenë ministër për Arsim.

Në këtë kuvend mori pjesë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se është i lumtur që Aleanca e Gruas po kthehet si organizatë politike dhe ka falënderuar gratë e Aleancës për organizmin e këtij kuvendi.

Tutje Haradinaj foli për domosdoshmërinë e rreshtimit të Republikës së Kosovës përkrah NATO-s së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka vazhduar duke shpalosur orientime programore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj ka folur edhe për problemet ekonomike dhe politike në vend, si dhe synimet që duhet të ketë vendi për të qenë më i dalluari në rajon.

Haradinaj ka vendosur theksin se pozicioni i gruas në Kosovë, duhet të jetë më i miri në rajon, duke shtuar se beson se Aleanca e Gruas do të jetë kampione e përfaqësimit të gruas në politikën kosovare.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat