​UBT nderon me “Honor Degree – Leadership Excellence Award” Christopher Hyland e Jim Xhema

Kosova

​UBT nderon me “Honor Degree – Leadership Excellence Award” Christopher Hyland e Jim Xhema

Më: 26 maj 2022 Në ora: 18:51
Pamje nga ceremonia

Në një ceremoni solemne, nën përkujdesjen e presidentit të UBT-së, Edmond Hajrizi, me vendim të Këshillit Akademik, UBT ndau çmimin më të lartë për ekselencë “Honor Degree – Leadership Excellence Award”, për dy personalitetet e shquara, Christopher Hyland dhe Jim Xhema.

Në prani të shumë mysafirëve nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësuesve të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, si dhe profesorëve dhe studentëve të UBT-së, rektori Hajrizi ndau këtë çmim për kontributin dhe përkrahjen e jashtëzakonshme dhënë popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, konsolidimin e miqësisë mes dy kombeve dhe shteteve, si dhe për ngritjen e vlerave shqiptare në SHBA.

“Kosova pati fatin që në ditët e vështira të kishte miq si Jim Xhema dhe Christopher Hyland, që i dhanë mbështetje të padiskutueshme aspiratës së kombit për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar. Pjesë e rëndësishme e lidhjes mes Kosovës dhe Amerikës ishin zotëri Hyland dhe zotëri Xhema, të cilët me angazhimin e tyre kontribuuan që kjo miqësi të ishte e përhershme mes dy vendeve tona, e cila më vonë kulmoi me ndërhyrjen e NATO-s për lirinë e Kosovës, gjë që ishte e pamundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha rektori Hajrizi.

Christopher Hyland, është ndjerë shumë i nderuar me vlerësimin që i ka bërë UBT dhe rektori Hajrizi, duke thënë se ndihet shumë i lumtur që sot Kosova ka institucionet të tilla të arsimit të lartë, që po nxjerrin gjenerata të reja, të cilat po kontribuojnë në zhvillimin e shtetit për të cilin ai ishte shumë i zëshëm për pavarësinë dhe lirinë e tij.

“Si universitet, UBT shërben si një pikëmbështetje e jashtëzakonshme e energjisë, duke ndërmarrë mijëra iniciativa, nga ku me anë të çdo të diplomuari kontributi i UBT-së është i lartë në secilën fushë. Kjo e bën të realizueshme angazhimin e secilit studentë në fushën e teknologjisë, inovacionit, shkencës, diasporës dhe në politikën e jashtme, kështu duke gjeneruar një shoqëri të begatë”, ka thënë Hyland.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, në nderim të kontributit të madh të Jim Xhemës, si një biznesmen i suksesshëm dhe një patriot i madh shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar se UBT do të emërtojë një klasë me emrin “Jim Xhema”, teksa për angazhimin qytetar dhe rolin model të Christopher Hyland, do të emërtojë një klasë me emrin “Christopher Hyland”, e cila do të përdoret gjithnjë për negociata, duke simbolizuar miqësinë dhe paqen.

Çmimi special “Honor Degree – Leadership Excellence Award” nga UBT u jepet personaliteteve të shquara për kontributin e madh në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat