Komuna e Kamenicës e nderon solemnisht pensionimin e intelektualit Sabri Morina

Kosova

Komuna e Kamenicës e nderon solemnisht pensionimin e intelektualit Sabri Morina

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 22:28
Sabri Morina duke e pranuar mirënjohjen nga kryetari Rahimaj

Është pensionuar profesori Sabri Morina. 

Andaj për nder të pensionimit të profesor Sabri Morinës, zyrtar në Drejtorinë Komunale të Arsimit, kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Afrim Dervishi i kanë ndarë mirënjohje, për kontributin profesional në themelimin dhe funksionalizmin e institucioneve arsimore në Komunën e Kamenicës, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Kamenicës.

Kryetari Rahimaj duke e uruar për pensionimin, ka falënderuar profesorin Sabri Morina, për punën, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm.

“Angazhimi dhe puna e z. Sabri Morinës është kontribut me vlerë për institucionet e arsimit në komunën tonë. Punëtorët sikurse Zotëri Morina janë motiv për të rinjtë që me punë arrihet çdo gjë”, tha Rahimaj.

Drejtori Afrim Dervishi, duke folur për punën dhe angazhimin e pandalshëm të z.Morina, e falënderoi atë për bashkëpunimin me të gjithë.

Ndërsa Sabri Morina duke kujtuar vitet e vështira politike dhe në arsim, uroi që historia e brezit të tij dhe të gjithë atyre që i jetuan ato vite të mos përsëriten. “Mos e përjetofshi ju të rinjtë përvojën tonë”, tha Morina, ndërsa i ka falënderuar të gjithë zyrtarët komunal për bashkëpunimin në punë dhe për nderimin që ia bënë sot, me ceremoninë solemne.

Image
Pamje nga ceremonia solemne

Dy miqtë dhe kolegë të punës dhe politikës, profesori Nexhat Rexha, dhe profesori Sylejman Morina e kanë përshëndetur pensionimin e Sabriut duke i uruar shëndet dhe suksese në jetën pas pensionimit.

“Sabriu ishte gjatë gjithë punës në arsim dhe në jetën publike parimor, duke e dëshmuar këtë në kushtet e rënda gjatë okupimit, edhe me guximin e pa shoq. Këto cilësi e shoqëruan deri në pensionim”, tha Sylejman Morina.

Image
Profesori Sylejman Morina

Ndërsa, Nexhat Rexhaj, ish deputet, tha e kujtoi veprimtarinë e Sabriut, si të një “institucionalisti” të pashoq.

Drejtori Dervishi e paraqiti një lloj biografie të veprimit të Sabriut, të shoqëruar me vlerësime.

Profesor Sabriu e filloi punën në arsim në vitet e ‘80-ta, në kohën kur ishte një periudhë kur çdo gjë shikohej në ndjekje e mbikëqyrje të sigurimit të shtetit të asaj kohe, kurse profesori i Gjuhës shqipe përcillej e ndjekej në çdo hap. Përkundër kësaj situate të ngarkuar, prof. Sabriu ia doli me sukses e përkushtim në rolin e pedagogut me nxënës.

Fundi i viteve të ‘80-ta profesor Sabriun dhe shumë kolegë të tij në Gjimnaz, apo siç quhej në atë kohë Universiteti i Kamenicës, shikohej me ngarkesa nga politika serbe. Ishte koha e ndryshimeve politike dhe marrja e autonomisë së Kosovës nën presionin e tytave.

Profesor Sabriu ishte në ballë të këtyre proceseve dhe në mbrojtje të shkollës shqipe.

Fillimi i rrjedhave demokratike në Kosovë dhe Evropë, ndryshoi tretmanin për shkollën shqipe në Kosovë dhe në këto vlime politike prof. Sabriu, gjithnjë qëndroi në ballë të këtyre proceseve, duke unifikuar faktorizimin e unifikimit të shkollës shqipe.

Prof.Sabri Morina punoi në dy fronte në atë; të formimit të rrjedhave politike të kohës, për shtetndërtim dhe në koordinim të ruajtjes së substancës së shkollës shqipe.

Image
Edhe Dejtoria e Arsimi e nderon me mirënjohje. Drejtori Dervishi ia dorëzon solemnisht

Kështu, në këto vite ai e merr përgjegjësinë e Drejtorit të Gjimanzit “Ismail Qemali”, të cilin e udhëheq me sukses deri në mbarim të luftës.

Me formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të para të vitit 2000. Prof Sabriu merr përgjegjësinë dhe drejton me sukses Drejtorinë Komunale të Arsimit në Kamenicë.

Roli i Drejtorit Komunal në Arsim, për Prof.Sabriun qe një angazhim e përkushtim për punë e suksese.

Në këto rrjedha të reja të shoqërisë Kosovare, Arsimi në Kamenicë, krijoi identitetin më të avanucar në shoqërinë tonë. Meritat e udhëheqjes së tij janë unifikimi dhe stabiliteti arsimor dhe ai njerëzor.

Pastaj, puna në Drejtorinë Komunale , pas dy mandateve të udhëheqjes së drejtorit, e bënë atë edhe më të angazhuar në këto procese, sepse përvoja dhe roli i tij deri në ditën e sotme të pensionimit, qe ndihmesa më produktive në angazhimin e shkollës shqipe për suksese e stabilitet të qëndrueshëm.

“Një jetë të tërë në funksion të së ardhmes për edukimin e brezave të rinj.

Përvoja juaj dhe njohja e problemeve të arsimit do të ruhen në arkivin e Arsimit shqip në komunën tonë”, tha ndër të tjera drejtori Komunal i Arsimit Afrim Dervishi.

Nga Ditari i profesor Sabri Morinës

Profesori Morina, është ndër shqiptarët e pakët që ka mbajtur ditar, tipik, për gati pesë vjet rresht, duke përshkruar çdo ditë ndodhitë dhe veprimet në jetën private, profesionale, politike në nivel lokal, pajtimet e gjaqeve, veprimet organizative të ndryshme dhe në mënyrë të veçantë, me pedantëri, saktësi, duke evidentuar edhe burimin e informacionit, ka krijuar një arkivë të veçantë për ngjarjet kryesore politike në Kosovës dhe rreth saj, por gjithashtu edhe në të gjithë arealin shqiptar. Madje sipas zhvillimeve edhe ngjarjet kulminante sportive, si një vëzhgues dhe njohës i shumë sporteve, veçanërisht i apasionuar pas futbollit.

Për argumentim, po sjellim këtu sipas botimit të tij në fb, shkurtimisht se si i ka paraqitur ngjarjet në ditën 5 qershor 1991 dhe po të njëjtën datë më 1992.

DITARI (PJESA E DYTË)

E mërkurë, më 5.6.1991

Sot së pari shkova në shkollë, ku i kreva punët e shumta administrative në ditar. Pastaj po në Kamenicë, mbajti mbledhjen Kryesia e LASH “Naim Frashërit”. U morëm vesh që në takimin e nesërm në Gjilan të shkojnë, Rexhep Vranja-kryetar dhe Milazim Matoshi e Januz Sylaj-nënkryetarë.

Pas dorëheqjes së Fatos Nanos, presidenti Ramiz Alia e emëroi mandatar të ri Ylli Bufin.

Gjatë ditës ngrohtë, por në mbrëmja ra shi i rrëmbyeshëm.

E premte, më 5.6.1992

... e lexova sipërfaqësisht të përkohshmen “Bujku”. Veçova Vendimin e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, lidhur me përfundimin e vitit mësimor.

Sipas Zërit të Amerikës, dje në mbledhjen e Paktit NATO-s (në Oslo), Shqipëria mori pjesë në të si vëzhguese.

Aty Goza Jesenski-ministër i jashtëm kanadez, kërkoi stacionimin e forcave ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë paradites bëri shumë vapë, kurse prej orës 13,30-14,30 ra rrebesh shiu. Pastaj ishte vranët.

Image
Pamje nga ceremonia solemne

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat