​Vetëm tre serbë dalin në protestë kundër marrëveshjes për energjinë në veri

Kosova

​Vetëm tre serbë dalin në protestë kundër marrëveshjes për energjinë në veri

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 19:54
Pamje nga vendi i ngjarjes

Nën sloganin "Kush po e fikë dritën në veri", vetëm tre qytetarë, anëtarë të Iniciativës Qytetare "Mbijetesa serbe", kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës, kundër marrëveshjes për energjinë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel.

Ata shprehën pakënaqësinë e tyre kundër, siç thanë, padrejtësisë, vendimeve të fshehta dhe jo transparencës, të cilat shkaktuan dëme të jashtëzakonshme për qytetarët e veriut.

Duke arsyetuar numrin e vogël të pjesëmarrësve në protestë, organizatorët e saj thanë se qytetarët janë të frikësuar të dalin për shkak të kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme nga ana e pjesëtarëve të Listës serbe.

Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës Qytetare "Mbijetesa serbe", në Mitrovicë, pyeti mes tjerash se ku është tani Vallaqi dhe Gazivoda, për të cilat dikur flitej se nuk do t’i dorëzohen kurrë Prishtinës.

Sipas tij, sot nuk po protestohet kundër pagesës së faturave të energjisë, por kundër marrëveshjeve të fshehta të cilat po ndodhin.

"Nuk e japim Vallaqin, nuk e japim Gazivodën, ku jemi sot. Nuk jemi kundër pagesës së rrymës por kundër marrëveshjeve të fshehta", ka thënë Arsenijeviq.

Protesta ka zgjatur rreth 15 minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa forca të shtuara të policisë kanë vëzhguar nga afër ngjarjen

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat