KESCO propozon dyfishim të çmimit të rrymës

Kosova

KESCO propozon dyfishim të çmimit të rrymës

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 21:39
Ilustrim

Pas mospranimit të subvencionit të zotuar nga qeveria në muajin shkurt të këtij viti, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO sot ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike. KESCO ka propozuar dyfishim të çmimit të energjisë.

Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat ndërsa tarifa e ultë të jetë 5.43 centë për kilovat.

Ndërsa për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj, tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ultë 11.09 centë për kilovat.

Sipas propozimit të KESCO-s, tarifa e lartë aplikohet nga ora 07:00 deri në orën 22:00, për periudhën 1 tetor deri më 31 mars. Ndërsa nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lartë aplikohet prej orës 08:00 deri në orën 23:00.

Ndërsa sipas tarifave të energjisë që kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt,  Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë, raporton Kallxo.com.

Zyra e Rregullatorit të Eenergjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Kjo kërkesë është bërë si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës si dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

“Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sa i përket zotimit për subvencionin, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke kërkuar një zgjidhje teknike.

“Qeveria e Kosovws mbetet e përkushtuar që t’i mbështes qytetarët nga një rritje e përballueshme, deri më tani kemi punuar në pauza për gjetjen e zgjidhjeve teknike operacionale për ta realizuar subvencionin. Është diçka që jemi duke punuar vazhdimisht dhe besojmë që do të ndodhë shumë shpejtë” – ka deklaruar ajo.

Në aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, nga KESCO kanë thënë se vazhdimisht kanë komunikuar me Ministrinë e Ekonomisë por që nga shkurti nuk kanë pranuar asnjë rimburësim dhe asnjë përgjigje se kur pritet të bëhen pagesat.

“Furnizuesi më 5 gusht 2022 ka pranuar edhe shkresën zyrtare nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me konfirmimin e përllogaritjes së subvencionit dhe në po të njëjtën ditë ka dërguar edhe faturën zyrtare për pagesat e muajt shkurt-prill 2022 konform vendimeve të Qeverise dhe në përputhje me miratimin e ATK-së në lidhje me përgatitjen e faturës përkatëse. Megjithatë, deri më sot, FSHU nuk ka pranuar asnjë rimbursim dhe njëkohësisht nuk ka marrë ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat në fjalë” – thuhet në aplikimin e KESCO-s të dorëzuar në ZRRE.

Sipas KESCO-s, situata e krijuar gjatë kësaj periudhe e ka detyruar të operoj nën-kosto.

“Vlera e subvencionit e kalkuluar për konsumatorë sipas çmimeve të dërguara nga ZRRE-ja, për periudhën 9 shkurt-30 qershor 2022 ka tejkaluarën vlerën prej 32.8 milion eurove. Mungesa e rimbursimit të kësaj vlere të kalkuluar të subvencionit, tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së, duke mundësuar hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm” – vazhdon shpjegimi i KESCO-s.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat