MSh ka shpenzuar vetëm 54 për qind të buxhetit gjatë vitit 2021

Kosova

MSh ka shpenzuar vetëm 54 për qind të buxhetit gjatë vitit 2021

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 13:42
KDI

Vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm gjysmën e buxhetit. Auditimi i pasqyrave financiare të kësaj ministrie, nxjerrë në pah probleme serioze për menaxhimin e parasë publike. Kështu u tha në analizën e procedurave të prokurimit publik të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ku flet për shpenzimet publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020-2022. Gjatë së martës, në këtë tryezë diskutimi u theksua se UNOPS ka shpërblyer me kontrata, kompaninë që ishte në listë të zezë.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI theksoi se analiza ka për qëllim të trajtojë integritetin institucional për shpenzimet, transparencën dhe sfidat në procesin e prokurimit publik

Metushi-Krasniqi: MSh në vitin 2021 kishte shpenzuar vetëm 54 për qind të buxhetit

"Sipas të dhënave zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë vitit 2020 Kosova, përfshirë të gjitha organizatat buxhetore të aplikuara kishin shpenzuar rreth 273 milionë euro për nevoja të shëndetësisë. Kjo ishte një rritje prej mbi 23 për qind, krahasuar me vitin paraprak, respektivisht me vitin 2019. Fatkeqësisht në mungesë të raportit të shëndetësisë për performacën apo shpenzimet e shëndetësisë gjatë vitit 2021, ne nuk e kemi pasur të mundur t’i qasemi informatës se si kanë qëndruar shpenzimet në vitin 2021, kundrejt shpenzimeve të vitit 2020. Përkundër rritjeve të vazhdueshme të buxhetit për sektorin e shëndetësisë, auditimi i pasqyrave financiare të MSh-së realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe që janë të qasshme për publikun nxjerrë në pah probleme serioze për menaxhimin e parasë publike. Kjo ministri gjatë vitit 2021 kishte shpenzuar vetëm 54 për qind të buxhetit të saj, e që respektivisht ishte një ulje prej 9 për qind kundrejt shpenzimeve të një viti paraprak”, ka thënë ajo.

Më tej, u tha se çmimi i vaksinave të blera nga kompania Pfizer vazhdon të mbetet sekret, ku kjo blerje është bërë jashtë Ligjit për Prokurimin Publik.

Metushi-Krasniqi shtoi se MSh kishte shpenzuar vetëm 39 për qind të mjeteve të huamarrjes, për këto mjete tatimpaguesit paguajnë interes.

Metushi-Krasniqi: ShSKUK kishte mangësi në hartimin e planit të prokurimit dhe përdorimin e njoftimit paraprak

“ShSKUK kishte mangësi në hartimin e planit të prokurimit dhe përdorimin e njoftimit paraprak. Plani i prokurimit nuk është bërë sipas kërkesave të Ligjit për Prokurim Publik. Plani i Prokurimit Publik për vitin 2021, por edhe ai për vitet e mëhershme është një dokument i formatit Excel dhe që përmban vetëm nëntë rreshta. Ndërsa, të gjitha furnizimet me barna kundër Covid-19 janë grumbulluar në një rresht e ka vlerë prej 21 milionë euro. Mirëpo nuk është i ndarë në kategori dhe kode buxhetore, ashtu siç e kërkon edhe Ligji për Prokurimin Publik", tha ajo.

Në tryezën e diskutimit, Metushi-Krasniqi ka shtuar se pacientët gjatë kohës së pandemisë kanë blerë vet barnat, madje me çmime të larta. Ajo tha se nuk është e qasshme kontrata që është mes qeverisë dhe UNOPS-it.

Metushi-Krasniqi: UNOPS po ashtu ka shpërblyer me kontrata kompaninë që ishte në listë të zezë

"Për tenderin për furnizim me oksigjen, ShSKUK nuk ka lidhur kontratë me Operatorin Ekonomik që kishte ofertuar 10 centë më lirë se kontrata e cila ishte në zbatim, me arsyen se ka rënë kërkesa. Megjithatë, analiza ka gjetur se vetëm dy muaj pas anulimit të procedurës së tenderimit në mungesë, apo nën arsyetimin se ka rënë kërkesa ShSKUK shpërbleu me kontratë operatorin aktual që kishte në zbatim kontratën me çmim më të lartë, duke limituar apo duke qenë në kundërshtim me parimet e konkurrencës...MSh ka lidhur marrëveshje me UNOPS për menaxhimin e projektit 22638 GoK Kosovo Emergency. UNOPS si menaxhuese e fondeve të destinuara për blerjen e produkteve të pandemisë nga kredia e qeverisë, ka dështuar disa herë të arrijë vlerën për paranë e shpenzuar. Në katër raste, produktet të cilat janë analizuar nga KDI, UNOPS ka blerë më shtrenjtë produktet se sa që ka blerë ShSKUK dhe MSh. Çmimi i këtyre produkteve është nga 2 deri në 200 për qind më i shtrenjtë se sa që kanë blerë këto institucione publike. UNOPS po ashtu ka shpërblyer me kontrata kompaninë që ishte në listë të zezë”, ka vijuar Metushi-Krasniqi.

Ajo ka folur edhe për çmimet e larta të barnave dhe dështimin e institucioneve që të sigurojnë për qytetarët barna për trajtimin e COVID-19.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vet sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili tha se kishin dërguar edhe shkresa në institucionet përkatëse.

Bardiqi: Sekretari i përgjithshëm në startin e pandemisë ka adresuar dy shkresa të policisë

"Sa i përket fryrjes së çmimeve të barnave, sekretari i përgjithshëm në startin e pandemisë ka adresuar dy shkresa të policisë, drejtorit të Departamentit për Hetime dhe kryetarit të autoritetit për konkurrencë me datën 12 maj 2020 dhe me datën 10 mars 2020, menjëherë kur është vërejtur që operatorët ekonomik po ofertojnë me çmime abuzive duke shfrytëzuar gjendjen emergjente”, ka deklaruar Bardiqi.

Megjithatë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se ka pasur edhe barna të tjera të cilat janë shitur me çmime të larta. Sipas tij, ky raport tregon për mos-transparencë dhe keqpërdorime.

Dreshaj: Kemi barna shumë të shtrenjta që janë përdorur për trajtimin e këtyre pacientëve

“Nuk është bari me koston më të lartë remdesiviri. Kemi barna shumë të shtrenjta që janë përdorur për trajtimin e këtyre pacientëve. Fatkeqësisht shumë shpesh. Tocilizumabi është blerë me kosto dhjetë herë më të madhe se sa remdesiviri. Gabimet tjera të cilat janë bërë janë futur në protokoll të trajtimit si parametër matës, që nuk punoheshin në QKUK por duhet të dërgoheshin në privat”, ka deklaruar Dreshaj.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se abuzimet janë të mëdha gjatë kohës së pandemisë.

Haxhiu: Me këto blerje është abuzuar prej dorezave

"Me këto blerje është abuzuar prej dorezave, dezinfektueset e deri te blerjet e thasëve për kufomat. Ky raport argumenton të gjitha ato keqpërdorime. Për periudhën e parë të pandemisë, si Komision Parlamentar për Shëndetësi, të gjitha gjetjet të cilat e kemi hasur gjatë marrjes së dokumentacionit prej MSh, i kemi proceduar me 27 maj të vitit 2020 në Prokurorinë e Kosovës. Se ku ka shkuar ky hetim, përgjigjen do të duhej ta jepte Prokuroria e Kosovës”, ka thënë ai.

Në këtë tryezë diskutimi, kryetari i Odës së Farmacistëve Arianit Jakupi u shpreh se duhet të hartohet një akt ligjor, i cili rregullon mënyrën se si caktohen çmimet e barnave në Kosovë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat