​Shërbeu si bazë e LPK, zbulohet pllaka në shtëpinë e familjes Avdiu

Kosova

​Shërbeu si bazë e LPK, zbulohet pllaka në shtëpinë e familjes Avdiu

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 15:24
Foto ilustrim

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta me rastin e 40-vjetorit të bashkimit të organizatave patriotike dhe themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) sot (e shtunë) është shpalosur pllaka në shtëpinë e familjes Avdiu në Prishtinë që shërbeu si bazë e LPK për nismat e shumta për liri dhe u shndërrua në strehë të shumë veprimtarëve.

Të pranishmi në këtë ceremoni nderuan dhe shprehën mirënjohje për familjen Avdiu dhe për kontributin e tyre në çlirimin e vendit.

Bajrush Xhemaili, veprimtar i hershëm i LPK, në fjalën e tij deklaroi se familja Avdiu është pjesë e historisë së Kosovës për shkak të angazhimit të anëtarëve të saj. Ai tha se pjesëtarët u burgosën e maltretuan për shkak të veprimtarisë së tyre por asnjëherë nuk e ndalën aktivitetin në shërbim të vendit.

Xhemaili: Shprehim mirënjohjen për familjen Avdiu 

“Jemi tubuar për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për familjen Avdiu dhe për të zbuluar pllakën përmes së cilës e shënojmë këtë shtëpi dhe këtë familje si një vend që ishte bazë e rëndësishme e lëvizjes ku veprimtarë e drejtues të Lëvizjes kanë qëndruar e mbajtur takime të shumta dhe kanë koordinuar veprimtari çlirimtare për të gjithë Kosovën dhe viseve të tjera të okupuara shqiptare”, deklaroi Xhemaili.

NJë tjetër veprimtar i LPK, Billall Sherifi, duke kujtuar momente gjatë viteve të organizimit në këtë shtëpi, u shpreh se i zoti i shtëpisë, Hamit Avdiu vuri në rrezik të gjithë familjen për çlirimin e vendit.

Sherifi: Familja Avdiu rrezikoi gjithçka për çlirim

“Baca Hamit është i veçantë si disa të tjerë që të gjithë familjen e kanë vënë në rrezik për një ideal, për çlirimin e vendit. Jini krenarë, motra, vëllezër dhe të gjithë që kemi pasur në mesin tonë njerëz të tillë”, tha Sherifi.

Në emër të familjes, veprimtari Ramadan Avdiu u shpreh falënderues ndaj të gjithë veprimtarëve për punën e tyre në çlirimin e vendit. 

Ai përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hage duke thënë se kjo është beteja e fundit të cilën do ta fitojnë pasi lufta e pastër për liri nuk mund të njolloset nga askush.

Avdiu: Nuk mund të dënohet lufta çlirimtare

“E kam të vështirë të gjej fjalë për të falënderuar për të gjithë ata veprimtarë që kanë kaluar nëpër këtë shtëpi të cilët kanë dhënë këshilla, kanë marrë këshilla dhe janë shpërndarë dhe i kanë zbatuar detyrat që kanë dalë nga organizata.... Është vërtetë listë e gjatë për t'i përmendur me emra por i kujtojmë me krenari dhe pietet. E kam të vështirë po ashtu se një pjesë e rëndësishme e lirisë sonë mbahet akoma në Hagë. I kemi shokët në burg, i kemi drejtuesit në burg që po tentohet duke i dënuar ata, të dënohet lufta dhe liria jonë. Por ajo nuk mund të dënohet”, tha Avdiu.

Përpos zbulimit të pllakës në shtëpinë e familjes Avdiu në Prishtinë, gjithashtu LPK ndau edhe mirënjohje për Rexh Avdiun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat