​Latifi: Rahoveci, i harruar nga Qeveria e Kosovës

Kosova

​Latifi: Rahoveci, i harruar nga Qeveria e Kosovës

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 22:09
Smajl Latifi

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi që në buxhetin e miratuar sot për vitin 2022 nuk janë përfshirë edhe kërkesat e komunës që ai drejton.

Në një postim në Facebook, Latifi ka shkruar se edhe pas shumë përpjekjesh dhe debatesh rreth investimeve në infrastrukturën e sportit në komunën e Rahovecit, rezultati është dëshpërues.

“Në buxhetin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për 2023, të propozuar nga Qeveria e Kosovës, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës së Rahovecit janë injoruar. As edhe një projekt infrastrukturor nuk është përfshirë në këtë buxhet. Debati më intensiv është zhvilluar rreth stadiumit të ri, duke marrë parasysh faktin se tashmë në vendin e stadiumit aktual do të ndërtohet sheshi i qytetit”, ka thënë ai.

Latifi thotë se në këto rrethana, ku ekzekutivi i Komunës së Rahovecit është vënë me shpatulla pas murit, çdo debat pa përmbajtje dhe që nuk rezulton me investime konkrete, do të jetë i kotë dhe shterp.

“Gjithsesi, asnjëherë nuk do të injorojmë kërkesat për vazhdimin e takimeve e bisedave me autoritetet vendimmarrëse, në këtë rast me MKRS-në, gjithnjë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit. Bazuar në faktin se ky projekt është i një rëndësie jetike për sportin dhe sportistët tanë, mbetemi të përkushtuar për gjetjen e burimeve për përfundimin me sukses të infrastrukturës së nevojshme për futbollin e Rahovecit”, ka thënë Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat