Situatë e rënduar nga reshjet në fshatin Baran të Pejës

Kosova

Situatë e rënduar nga reshjet në fshatin Baran të Pejës

Më: 19 janar 2023 Në ora: 16:10
Foto nga vendngjarja

Gjendja më e rënduar në komunën e Pejës pas reshjeve të vazhdueshme të shiut është në fshatin Baran. Hyrja në disa shtëpi apo dyqane në një pjesë te fshatit është e pamundur, madje diku nuk mund të afrohesh as me veturë.

Në Lugun e Baranit janë vërshuar rrugët dhe oborret e disa shtëpive ku disa banorë e kanë të pamundur të qarkullojnë normalisht.

Ata janë shprehur të shqetësuar duke thënë se nëse reshjet vazhdojnë me këtë intensitet atëherë uji mund te depërtojë edhe brenda shtëpive.

Gjendja po shihet, për çdo vit është… Sa herë ka vërshime bëhet, kush nuk vjen”, thotë Avni Selca, banor i kësaj zone.

Edhe Sali Shala, një banor tjetër nga fshati Baran, thotë se gjendje e tillë është sa herë që ka reshje më të mëdha dhe të vazhdueshme të shiut.

Shala: Bëhet çdo herë kur ka reshje

Kur ka të reshura kështu bëhet çdo herë kur zgjatin të reshurat, uji vjen nga bjeshkët lart nuk ka mundësi me e pengu... Siç po e shihni është vështirë të kalosh, lë pasoja në rrugë”, thotë ai.

Oborri dhe kopshti i tij janë vërshuar nga uji, për çka Shala thotë se pasojat vërehen në pranverë.

Shala: Nëse vazhdojnë të reshurat do të ketë dëme

Nëse vazhdojnë të reshurat sigurisht bën më shumë dëme sepse rritet sasia e ujit dhe mund të hyjë në shtëpi me bë dëme në shtëpi”, shton ai.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi, tha për KosovaPress se përveç këtij fshati, gjendja është e menaxhueshme në pjesë të tjera.

Gashi: Pika më kritike mbetet fshati Baran

“Në komunën e Pejës për momentin gjendja pas të reshurave të mëdha të shiut, sidomos në qytet është gjendja e menaxhueshme, çdo gjë është në kontroll për momentin. Pika më kritike në komunën e Pejës mundemi me thënë është kjo në Lugun e Baranit, fshati Baran, ku sasia e mëdha e të reshurave të shiut, uji i grumbulluar ka shkaktuar këtë gjendje që po shihet prapa… Për momentin pika tjera nuk kemi se është këso gjendje. Në qytetin e Pejës në përgjithësi tjerat pika janë të menaxhueshme dhe mirë për momentin përveç këtu. Deri më herët kemi pasur edhe pika të tjera pak më kritike që ka qenë gjendja por edhe te reshurat e shiut kanë filluar të ndalen”, thotë Gashi për KosovaPress

Ai thotë se këtë gjendje e rëndon edhe mungesa e një kanali, qe sipas tij, nuk është hapur kur është rregulluar kjo rrugë.

Gashi: Nuk është shtruar kanali kur është shtruar rruga

“Si pasojë e reshjeve të mëdha dhe një kanal qe nuk është hapur kur është shtruar kjo rrugë nga ministria, ai kanal nuk është hapur edhe ajo është pak problem, por problemi kryesor është reshjet e mëdha të shiut”, shton ai.

Ai thotë se ekipet emergjente janë në terën për të ndihmuar banorët në këtë situatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat