Në 42-vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva

Kosova

Në 42-vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva

Më: 2 prill 2023 Në ora: 12:39
Pamje nga homazhet

Me rastin e 42-vjetorit të rënies në ballë të demonstratave të vitit 1981 të dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, sot, në kryeqytet, te vendi i rënies, familjarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare bënë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre.

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politikë, Shefik Sadiku deklaroi se brohoritja e dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva për liri dhe bashkim kombëtar i ka tërbuar serbët.

Ai tha se sot gjeneratat e reja do të përkujtojnë e nderojnë demonstruesit e rënë.

Sadiku: Brohoritjet e Hajrizit dhe Pirevës për liri e bashkim kombëtar i tërbuan shovenistët serbë

"Me rastin e shënimit të 42 vjetorit të Demonstratës së 2 prillit 1981, sot jemi para pllakës përkujtimore, e cila shënon rënien e dy dëshmorëve të parë, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Naseri e Asllani, brohorisnin për liri e bashkim kombëtar. "Nuk jemi jugosllavë, jemi shqiptarë". Mesazhi i këtyre parullave, i tmerroi pushtuesit jugosllavë-serb... Brohoritjet e tyre i tërbuan shovenistët serbë, ku në këto çaste plagosen shumë demonstrues, e në ballë të tyre qëndronin Asllani e Naseri, të cilët ranë për të mos vdekur kurrë.... Gjeneratat e reja gjithmonë do të u jenë mirënjohës demonstruesëve, atyre që mbetën pa gjymtyrë të trupave të tyre", tha ai.

Ndërsa,motra e madhe e dëshmorit, Naser Hajrizi, Sadija, e cila ka qenë edhe vetë pjesëmarrëse e demonstrative u shpreh se të vëllain e kujton gjithmonë me mendime si atëherë.

Sipas saj, dhimbja edhe më e madhe ka qenë për nënën, që e ka humbur djalin e saj, që e ka pasur pas 11 vitesh.

Hajrizi: Gjithmonë e kujtojmë me të njëjtat mendime si atëherë

"Për neve gjithmonë janë ditë të njëjta, të mërzitshme. Unë vëllaun e përkujtoj, kam qenë dhe pjesëmarrëse e demonstratave në atë kohë... Gjithmonë e kujtojmë me të njëjtat mendime si atëherë... Ka qenë rasti shumë i rëndë kur natën që nuk është kthyer në shtëpi Naseri, kanë dhënë lajmin arsimtarët e tij që është i plagosur, por ne e kemi kuptuar në bazë të fjalëve të tij. Rasti më i rëndë ka qenë kur nëna e ka pasur mas 11-të viteve fëmiun e parë (Naserin)", shtoi ajo.

Kujtojmë që, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva kanë qenë militantë të organizuar të Lëvizjes çlirimtare të kohës dhe organizatorë të të rinjve në demonstratën e mëngjesit të 2 prillit 1981 në qendër të Prishtinës.Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva janë vrarë nga të shtënat e oficerëve ushtarakë, të vendosur gjatë natës në objektin e ish-Bankës Popullore./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat