​Në Krushë të Madhe përurohet çerdhja në vlerë mbi 376 mijë euro

Kosova

​Në Krushë të Madhe përurohet çerdhja në vlerë mbi 376 mijë euro

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 11:52
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi

Komuna e Rahovecit përuroi sot çerdhen për fëmijë në Krushë të Madhe. Në vlerë mbi 376 mijë euro, shumë shpejt do të hapen dyert për 114 fëmijë krushian. Në përurimin e saj, u tha se plotëson të gjitha kriteret dhe standardet dhe se është objekt bashkëkohor.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e konsideroi lajm të mirë hapjen e kësaj çerdheje në ditën ndërkombëtare për fëmijët.

"Ne jemi të lumtur që sot po e përurojmë çerdhen e fëmijëve në Krushë të Madhe. Është lajm i mirë edhe për faktin që është dita ndërkombëtare e fëmijëve. Shpresojmë që kjo çerdhe në afat optimal të mbushet me fëmijë dhe me edukatore. Kjo çerdhe i plotëson kriteret, standardet, është objekt bashkëkohor dhe shpresoj që do të kemi mundësi që edhe për fëmijët të kemi një zgjidhje jashtëzakonisht të mirë edhe për Krushën e Madhe, por edhe fshatrat në rrethinë", tha Latifi.

Drejtori komunal i Arsimit, Avni Morina tha se presin nga Ministria e Arsimit që të bëjë furnizimin me inventarë, kërkesë kjo e bërë një vit më parë.

"Vlera e ndërtimit të këtij objekti së bashku me punimet e instalimit të ujit, të rrymës dhe të kanalizimit, u desh të investohej me punë të tjera që të sjellej rryma, uji dhe kanalizimi, sepse është në periferi të fshatit, e gjithë vlera e projektit është 376 mijë e 185 euro e 69 cent. Kjo çerdhe për fëmijë përmban pesë klasa për 114 fëmijë, dhomë gjumi me 27 shtretër, menzën ku njëkohësisht ushqehen 32 fëmijë, zyrën e administratës për katër persona, zyrën e mjekut, zyrën e drejtorit apo drejtoreshës, zyrën e pedagogut apo psikologut, nyjet sanitare, të cilat janë të integruara në secilën klasë, ku qëndrojnë fëmijët dhe korridoret dhe hapësirat e tjera të nevojshme për fëmijët prej moshës nëntë-mujore deri pesë-vjeçare", u shpreh ai.

Tutje, Morina njoftoi se kanë shpallur konkursin për edukatore, me ç’rast tha se e vetmja pengesë për të filluar punën është mungesa e inventarit./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat