​Lansohet plani për arritjen e barazisë gjinore në Universitetin e Prishtinës

Kosova

​Lansohet plani për arritjen e barazisë gjinore në Universitetin e Prishtinës

Më: 11 dhjetor 2023 Në ora: 12:58
Foto ilustrim

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", ka lansuar planin e veprimit për barazi gjinore 2023\4-2026. I njëjti u tha se do eliminojë pabarazinë në jetën akademike, do të ketë gjithëpërfshirje dhe do të luftojë stereotipet.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, tha se përfshirja e grave në postet drejtuese në UP është e një rëndësie të veçantë.

Ai shtoi se angazhimi për barazi gjinore shtrihet edhe në pjesën qenësore të kurrikules në mënyrë që barazia dhe diversiteti gjinor të integrohen si vlera thelbësore të programeve arsimore.

Qerimi: Përfshirja e grave në postet drejtuese në UP është e rëndësisë të veçantë

“Përfshirja e grave në postet drejtuese në UP është e rëndësisë të veçantë. UP-ja njeh talentin dhe ekspertizën dhe perspektivën që sjellin gratë me angazhimin e tyre në botën universitare dhe universin e dijes si tërësi. Duke promovuar dhe fuqizuar në mënyrë aktive gratë në rolet drejtuese ne pasurojmë proceset tona të vendimmarrjes, forcojmë strukturën e institucionit tonë, zgjerojmë horizontet e ideve dhe realizojmë dhe ruajmë rezultatet e idealit tonë kolektiv për një mjedis të barabartë për të gjithë. Angazhimi ynë për barazi gjinore shtrihet po ashtu në pjesën qenësore të kurrikula që ne hartojmë në mënyrë që të integrojmë barazinë dhe diversitetin gjinor si vlera thelbësore në programet tona arsimore. Është jetike që studentët tanë të edukohen me përmbajtje që mishëron gjithëpërfshirje dhe sfidon sterotipet”, tha ai.

Miratimin e këtij plani të veprimit e mirëpriti ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se do të përmirësojë qasjen në arritjen e barazisë gjinore në Universitetin e Prishtinës.

Nagavci: Ky plan veprimi synon të përmirësojë qasjen në arritjen e barazisë gjinore në Universitetin e Prishtinës

“Rruga për barazi gjinore në shoqërinë tonë është më afër se kurrë më parë, edhe pse akoma jemi shumë larg ideales dhe asaj që dëshirojmë. Ky plan veprimi synon të përmirësojë qasjen në arritjen e barazisë gjinore në Universitetin e Prishtinës...Si Qeveri e Republikës së Kosovës ne në përpjekjet tona për të ndërtuar një realitet të ri kemi vazhduar me një varg masash afirmative të cilat ne besojmë se do të ndihmojnë në aspektin e arritjes së barazisë. Po përmend vetëm disa masa të Ministrisë së Arsimit, ku përmes bursave në vlerë 1 milion euro për të motivuar vajzat dhe gratë që të vijojnë studimet në fushat STEM”, tha Nagavci.

Në anën tjetër, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se kjo iniciativë shënon një përpjekje shumë të madhe për arritjen e barazisë gjinore në jetën akademike.

Westerlund: Ky plan krijon standard të ri për barazi gjinore në botën akademike

“Kjo iniciativë shënon një përpjekje shumë të madhe përpara në aktivitetin tonë të përbashkët për barazi gjinore në jetën akademike...Plani për barazi gjinore krijon standardin e ri për zotimin tonë për barazi gjinore në kuadër të botës akademike. Suedia me shumë krenari e mbështet këtë aktivitet që synon rritjen e barazisë gjinore në Kosovë”, theksoi Westerlund.

Hartimi i këtij plani është bërë në bashkëpunim mes Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat