​Begaj nderohet me “Honoris Causa” nga Universiteti “Kadri Zeka”

Kosova

​Begaj nderohet me “Honoris Causa” nga Universiteti “Kadri Zeka”

Më: 11 prill 2025 Në ora: 17:33
Foto nga vendngjarja

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka nderuar sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj me çmimin “Honoris Causa”, për kontributin në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, vlerësoi lart presidentin Begaj për kontributin e dhënë për Kosovën në fusha të rëndësishme.

Nagavci: Kosova përherë mirënjohëse për presidentin Begaj

“Titulli Honoris Causa është titulli më i vjetër i nderit në qarqet akademike dhe shërben për të dalluar kontributin e jashtëzakonshëm të një individi të shquar për shoqëritë. Kur ky kontribut vjen nga një patriot shqiptar, nga tash presidenti i Shqipërisë, shteti me të cilin kemi një komb, një gjuhë, një kulturë e një histori ai merr vlerë edhe më të madhe. Andaj personaliteti që e meriton plotësisht është presidenti i nderuar i Republikës së Shqipërisë, shtetit me të cilin lidhja jonë është e përhershme. Presidenti Bajram Begaj ka mirënjohjen tonë të përhershme për kontributin e pakursyer që ka dhënë për Kosovën në veprimtarinë e tij të gjerë në rrafshin politik , diplomatik ekonomik dhe ushtarak,” ka thënë Nagavci.

Presidenti Begaj tha se ndihet i vlerësuar për ndarjen e çmimit “Honoris Causa” nga Universiteti “Kadri Zeka”. Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim në rolin e presidentit shqiptar.

Begaj: Do të jem ndër avokatët më të mirë për detyrën që më takon

“Është një vlerësim i papritur për t’u nderuar nga qyteti dhe universiteti. Duke qenë qytetar nderi i Gjilanit dhe i nderuar me “Honoris Causa” nga Universiteti “Kadri Zeka” nuk mund t’i fshehë dot emocionet. Nga sot lidhja me qytetin dhe universitetin është shumë e madhe, por më e madhe është lidhja ime me Kosovën dhe kjo lidhje do të jetë kudo dhe kurdo, në çfarëdo rrethane në çdo situatë. Do të jem një ndër avokatët më të mirë për të bërë detyrën që më takon, jo vetëm si president i Republikës së Shqipërisë, por edhe si qytetar i kombit tonë. Marrja e këtij titulli nga Universiteti “Kadri Zeka” është një domethënie mjaft e madhe, pasi mban emrin e birit të shquar të këtyre trevave, luftëtar dhe patriot për çështjen kombëtare,” tha Begaj.

Kujtojmë, presidenti Begaj ka qëndruar për vizitë dyditore në Kosovë, përkatësisht në Gjilan, ku ka zhvilluar takime me kryetarin e komunës, shefat e grupeve të asamblesë komunale, si dhe është nderuar me qytetar nderi për kontributin e dhënë në forcimin e raporteve mes dy vendeve vëllazërore. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat