Organizata Animals Kosova, në bashkëpunim me organizatën holandeze WWAR, ka ndarë një donacion në vlerë prej treqind mijë eurosh, që përfshin dyzet e tetë mijë kilogramë ndihma për qentë dhe macet endacake.
Më shumë se njëqind vullnetarë që kujdesen për kafshët e braktisura kanë përfituar ushqim dhe kafaze për strehimin e tyre përmes këtij donacioni. Ata u shprehën të lumtur për këtë nismë, duke theksuar se ndihma si kjo u lehtëson përkujdesjen e përditshme ndaj kafshëve.
Themeluesi i organizatës Animals Kosova, Sadri Sopi tregoi se ndihma në vlerë 300 mijë euro është dhuruar nga organizata holandeze WWAR.
Sopi tregoi se nga kjo ndihmë përfitojnë vullnetarë nga të gjitha komunat, me të vetmin kusht, ushqimin dhe kujdesen për kafshët endacake.
Sopi: 300 mijë euro donacion, përfitojnë mbi 100 vullnetarë që kujdesen për kafshët endacake
“Sot kemi sjellë rreth 48 mijë kilogramë ndihma. Prej tyre rreth 44 mijë kilogramë janë ushqim, por ka edhe gjëra të tjera si kafaze të plastikës, të hekurit dhe gjësende të tjera për strehim të kafshëve, për vullnetarët që ndihmojnë vet kafshët që kanë nevojë… Ky donacion është shumë i rëndësishëm pasi ka shumë vullnetarë, por nuk kanë kurrfarë ndihme prej askujt. Për ta është një ndihmesë e madhe sepse së paku nuk kanë nevojë ta blejnë ushqimin, sepse ua sigurojmë ne. Atë kosto e përdorin për mjekim apo diçka tjetër. Donacioni është iniciativë e AniKos, kjo dhurohet prej një organizate të Holandës WWAR. 48 ton vlera që këtu e kemi sjellë dy ngarkesa, kalon 300 mijë euro, vetëm këtë herë. Total deri më tani, edhe katër ngarkesa që kanë qenë, i kemi kaluar dy milionë euro ndihma. Me lista i kemi diku 80 përfitues, por shumica prej tyre marrin edhe për të tjerët. Afërsisht i kemi mbi 100 përfitues vullnetarë. Duke i përfshirë të gjitha komunat, pa marrë parasysh prej nga vjen, na intereson veç a ndihmon dhe ushqen kafshët. Ka prej veriut, Prizrenit, Gjakovës, Pejës, Dragashit”, tha Sopi.
Ndër përfitueset e këtij donacioni është Valbona Ferati nga Gjilani që kujdeset për qentë dhe macet endacake, e cila tregon se po përfiton këtë lloj ndihme për herë të tretë. Ferati tregoi se ajo ushqen së paku 36 qenë endacakë çdo ditë, raporton KosovaPress.
Ferati: Donacioni na kryen punë shumë, ushqej 36 qenë gjatë ditës
“Kjo është hera e tretë që vij për të marrë donacion. Donacioni na kryen shumë punë dhe jemi shumë të kënaqur. Faleminderit shumë prej kësaj organizate. Kemi qene të rrugës endacak. Kemi mace. Më së paku 36 qenë i ushqej unë gjatë ditës. E kjo është një pjesë që mund të ma lehtësojë pak…Po pres të marr ushqim dhe çdo gjë që na jepet është e mirëseardhur”, tha Ferati.
Edhe Fjolla Podrimja nga Gjakova, vullnetarja që kujdeset për kafshët endacake duke i ushqyer dhe strehuar, u shpreh se donacione të tilla lehtësojnë punën e tyre. Ajo tha se kjo nismë duhet të jetë model për institucionet e shtetit që të veprojnë njëjtë, për t’iu dalë në ndihmë kafshëve pa përkujdesje.
Podrimja: Donacioni na e lehtëson punën si vullnetar
“Për neve është shumë i rëndësishëm ky donacion që po na jepet qe disa herë. Na e lehtëson punën si vullnetare që jemi në qytetin e Gjakovës. Për arsye se ka shumë qenë endacak të cilët ndonjëherë po mbesin edhe pa ushqim. Falë AniKos-it, jeta e tyre është shumë më e mirë. Sot kemi marrë ushqim për qenë dhe mace. Edhe disa kafaze dhe gjëra të tjera. Është një model shumë i mirë që të bëhet thirrje edhe për shtetin e Kosovës që të paktën të na ndihmojnë për të na lehtësuar edhe neve”, tha Podrimja.
Veterinari dhe ambasadori holandez në organizatën Animals Kosovo, Piet Hellemans përmendi rëndësinë e sterilizimit të qenve endacakë, në mënyrë që numri i tyre të reduktohet.
Hellemans: Kosova të mos ketë qentë endacakë në rrugë
“Gjëja më e rëndësishme është që qentë të mos kenë këlyshë më. Duhet të parandalojmë lindjen e qenve në rrugë. Duhet të kujdesemi për qentë që i largojmë nga rrugët dhe të ndalojmë riprodhimin e tyre. Kosova është një vend i vogël dhe i mirë, besoj se mund ta organizojmë këtë proces. Me ndihmën e vullnetarëve dhe veterinarëve lokalë që janë të angazhuar, ky problem mund të zgjidhet...Dua që qentë të kenë një jetë të mirë, por gjëja kryesore është të mos lindin këlysh. Nëse nuk ndalojmë riprodhimin, strehimet do të mbushen shpejt dhe pastaj do të kemi nevojë të ndërtojmë strehë të reja dhe pastaj Kosova do të jetë si një strehë e madhe e qenve. Prandaj, duhet të sterilizojmë qentë që të mos riprodhohen më... Dua që Kosova të mos ketë qentë endacakë në rrugë, dhe kjo është e mundur. Unë vij nga Holanda, ku ky problem është zgjidhur. Ne jemi një vend i vogël dhe e kemi menaxhuar këtë çështje që në vitet 70-ta, dhe besoj se edhe Kosova mund ta bëjë të njëjtën gjë”, tha Hellemans.
Vullnetarë nga disa komuna të Kosovës morën ushqime dhe gjësende të tjera për kafshët që ata përkujdesen e që janë të braktisur.