Në parkun e Gërmisë, rreth 100 metra nga vendi ku ndodheshin fëmijët duke luajtur, një qytetare e Prishtinës ka hasur një gjarpër me gjatësi rreth gjysmë metri.
Një qytetare, e cila në baza ditore frekuenton këtë park, deklaron se shpesh ka hasur në gjarpërinj të vegjël, mirëpo kjo është hera e parë që ndesh një gjarpër kaq të gjatë në këtë zonë.
Sipas saj, rasti është shqetësues për sigurinë e vizitorëve të parkut, veçanërisht për fëmijët që kalojnë kohën aty çdo ditë.
Parku i Gërmisë është një nga destinacionet më të njohura për banorët e Prishtinës që kërkojnë relaks dhe rekreacion në natyrë. Megjithatë, raste të tilla tregojnë nevojën për monitorim më të rregullt dhe ndërhyrje të menjëhershme kur bëhet fjalë për rrezik potencial për vizitorët.