Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), u bënë thirrje fermerëve kosovarë në zonat kufitare të Kosovës që të rrisin vigjilencën pas shpërthimit të sëmundjes Mortaja në disa zona të Shqipërisë.
“Duke marrë parasysh shpërthimin e sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë, bëjmë thirrje për kujdes të shtuar nga fermerët në zonat kufitare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AUV.
Sipas AUV, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në territorin e Kosovës, kërkohet që të evitohet çdo kontakt i drejtpërdrejtë të deleve dhe dhive me kafshë të ardhura nga territori i Shqipërisë, të mbahen kafshët e monitoruara, të raportohen menjëherë te veterineri zyrtar çdo shenjë të dyshimtë të sëmundjes (ethet e larta, plagë në gojë, hundë ose sytë që rrjedhin, dobësi të përgjithshme), si dhe të mos lejohet futja e kafshëve tjera në tufat e fermerëve kosovarë.
“Zbatimi i këtyre masave është thelbësor për mbrojtjen e tufave tuaja dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë”, thuhet në thirrjen e AUV.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më njëmbëdhjetë qershor (11 qershor) ka njoftuar ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, pas konfirmimit të rasteve të shumta të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta.
AUV ka ndryshuar masën e ndalesës së parakohshme, për import të ruminatëve të vegjël dele dhe dhi.