​Afër 19 mijë maturanë në test, paralajmërohen për telefonat

Kosova

​Afër 19 mijë maturanë në test, paralajmërohen për telefonat

Më: 21 qershor 2025 Në ora: 13:42
Foto ilustrim

Afër 19 mijë maturantë po i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore në Kosovë.

Provimi i maturës po mbahet edhe në Prishtinë. Në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në janë rreth 150 nxënëse që iu janë nënshtruar këtij provimi.

Kryetarja e komisionit të inspektoriatit të Ministrisë së Arsimit, Shukrie Bytyqi ka vizituar këtë shkollë, ku tha për KosovaPress, se nuk ka pasur asnjë problem deri më tani.

Sipas saj, arsyeja pse nxënësit janë të shkollave të ndryshme është përdorur si strategji që nxënësit të mos kopjojnë me njëri-tjetrin, pasi që nuk njihen dhe nuk kanë komunikim.

Ndërsa për telefonat, Bytyqi tha se nxënësit janë paralajmëruar që nuk lejohen dhe nëse dikush i përdorë, do të largohet nga provimi i maturës shtetërore.

Bytyqi: Nëse dikush tenton të nxjerri telefonin largohet nga testi

“Gjithçka ishte në rregull, nxënësit kanë hy në sallë me rregull, nuk kemi pasur asnjë problem, i kemi identifikuar të gjithë, po besojmë që edhe suksesi i nxënësve do të jetë i shkëlqyeshëm… ndryshimet janë qe disa vite, kjo ka qenë strategji e Ministrisë së Arsimit që mos me qenë nxënësit të një shkolle për faktin se ka pasur parregullsi në të kaluarën dhe po besoj se kjo i kontribuoj edhe procesit dhe për këtë arsyeje nxënësit janë të të gjitha shkollave të Prishtinës, të ndarë në shkolla të ndryshme edhe në shkolla fillore e të mesme… është mirë që të gjithë nxënësit të arrin 100 pikë por po besoj që kanë me arritë të gjithë pragun e kalueshmërisë, janë si gjeneratë mirë të përgatitur.. deri tani nuk i kemi marrë telefonat, u kemi tregu se i kanë të ndaluar, çka kanë pasur në xhepa, nuk jemi në rolin e policit, janë administratorët në sallë, nëse dikush tenton të nxjerri telefonin largohet nga testi, edhe ndoshta që nuk njihen mes veti nuk kanë komunikim”, tha bytyqi.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës “Naim Frashëri”, Merita Haxhiu shtoi se shkolla është përgatitur për provimin që nga dita e djeshme.

Haxhiu shtoi se në çdo klasë ka kuti të telefonave dhe se nxënësit e kanë për obligim që t’i futin në kuti përkatëse.

Haxhiu: Secila sallë ka kuti të telefonave dhe i kanë obligim që t’i futin në kutitë

“Shkolla jonë është e përgatitur që nga dita e djeshme, gjithsej i kemi dhjetë salla, ndërsa i kemi 150 nxënës, përgatitjet janë bërë me përkushtim, ndërsa, sot nxënësit janë përcjellë nëpër salla nga administruesit të cilët kanë qenë të përcaktuar nga MASHTi dhe DKA, çdo gjë ka shkuar në rregull… secila sallë ka kuti të telefonave dhe i kanë obligim që t’i futin në kutitë përkatëse”, shtoi Haxhiu.

Në këtë provim do të marrin pjesë 18.800 maturantë nga e gjithë Kosova. Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe përfshin katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Çdo lëndë përmban 25 pyetje, duke e çuar numrin total të pyetjeve në 100.

Janë angazhuar trupa mbikëqyrëse, ekspertë të IT-së dhe trupa lëvizëse, të cilët do të monitorojnë procesin nga afër dhe në distancë.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të gjithë maturantët të respektojnë rregullat e përcaktuara, duke theksuar se ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave apo pajisjeve të tjera elektronike.

Po ashtu, është paralajmëruar se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me masa të menjëhershme ligjore, për të garantuar zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të besueshëm.

Rezultatet e provimit pritet të publikohen më së largu deri më 30 qershor 2025, ndërsa certifikatat digjitale për të gjithë maturantët që kalojnë provimin do të jenë të disponueshme për shkarkim nga platforma përkatëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat