AAK: Ta bëjmë Fushë Kosovën një vend të jetueshëm për të gjithë

Kosova

AAK: Ta bëjmë Fushë Kosovën një vend të jetueshëm për të gjithë

Më: 22 shtator 2025 Në ora: 21:08
Foto ilustrim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot në Fushë Kosovë, ka mbajtur një tubim me qytetarë, ku u tha se kandidatja për kryetare të Fushë Kosovës, Vildane Halili nga kjo parti ka programin që do të rregullojnë shumë probleme të identifikuara për ta bërë këtë komunë një vend funksional dhe të jetueshëm për të gjithë.

Ajo u shpreh se Fushë Kosova ka nevojë për ndryshim dhe se shumica e problemeve të komunës në rast të fitimit të mandatit as nuk do të diskutohen, por do të zgjidhen dhe rregullohen.

Halili: Ta bëjmë Fushë Kosovën një vend të jetueshëm

“Ne jemi mbledhur këtu me një qëllim. Të bëjmë Fushë Kosovën një vend funksional dhe të jetueshëm për të gjithë. Unë jam e lumtur sot që pranë vetes kam një ekip të mrekullueshëm që janë të profesioneve të ndryshme, janë njerëz punëtorë dhe që janë me duar të pastërta për të filluar dhe për të marrë përgjegjësi pa marrë parasysh cili shkon. Në këto ditë të fushatës, me shumicën jemi takuar, ju kam kërkuar mbështetje dhe ndihmë dhe këtë herë po e shfrytëzoj këtë takim, ne si ekip dhe si Aleancë kemi nevojë për ndihmë, kemi nevojë për koordinim, kemi nevojë ta ndryshojmë qytetin e Fushë Kosovës. Është shumë e papranueshme që në këtë kohë, ne të kemi mungesë të shkollave, fëmijët tanë të mësojnë në podrum, unë po flas si prind, dhe ju, mos të kemi ku të i dërgojmë fëmijët tanë në vizitë tek mjeku sepse nuk kemi pediatër, gratë tona kontrollet esenciale detyrohen t’i kryejnë në qendra private apo në Prishtinë. Në mandatin tonë, në rast të marrjes, këto kërkesa as nuk do të diskutohen sepse janë të domosdoshme për qytetarët dhe komuna duhet t’i shërbejë qytetarëve.”, tha ajo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se beson se kandidatja Vildane Halili është zgjedhja e duhur për Fushë Kosovën duke lavdëruar programin të cilën ajo e ka sjellë përpara.

Haradinaj: Fushë Kosova është e gjithë Kosova

“Diçka e mirë ka ndodhur me kandidaten tonë Vildanen, Vildanja ka një program, përmes të cilit i ka identifikuar temat në të cilat jemi vonuar apo nuk janë bërë me kohë, i ka trajtuar ato të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturën, por infrastrukturën në të gjitha aspektet e jetës dhe ne jemi gati të sjellim këto, pra jo me ndonjë ekzagjerim, jo me tendencë vetëm sepse kërkojmë të udhëheqim me Fushë Kosovën por vërehet tek Vildanja, tek kandidatja për kryetare një kujdes që vërtetë këto tema të jenë mirë të identifikuara dhe nesër të ndodhin. Kryetare të falënderoj, Vildane, dhe si kandidate femër për kryetare të komunës, po e dërgon një porosi të mirë besoj tek të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës pa dallim, Fushë Kosova është e gjithë Kosova”

Përveç kandidates për kryetare, Haradinaj gjithashtu prezantoi edhe kandidatët për asamble komunale.

Gjelbrim Halili, Ideal Berisha, Naser Ahmeti, Blerina Zogaj, Gani Demaj, Leonora Hasani-Shabani, Gani Veseli, Qëndrim Rexhepi, Vlora Bekteshi-Ukaj dhe Egzon Dervisholli, janë emrat në listën për asamble komunale të Fushë Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat