Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se banorët e fshatrave Kozaricë dhe Breznicë po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë, si pasojë e dëmtimit të trafos së rrymës që furnizon pompat e ujit në këtë zonë.
Sipas një postimi të KRU “Prishtina”, dëmtimi i trafos është shkaktuar nga një tentim për vjedhje, çka ka çuar në ndërprerje të energjisë elektrike dhe pamundësi për funksionimin normal të sistemit të pompimit të ujit.
KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin dhe rregullimin e plotë të gjendjes, ndërkohë që ka kërkuar mirëkuptim dhe durim nga qytetarët e zonave të prekura deri në normalizimin e furnizimit.
“Kërkojmë bashkëpunim nga banorët dhe mirëkuptim për situatën e krijuar deri në përfundimin e punimeve,” thuhet në njoftim.