​Dioqeza e Rashkës pretendon pa fakte për heqjen e flamurit në Lipjan

Kosova

​Dioqeza e Rashkës pretendon pa fakte për heqjen e flamurit në Lipjan

Më: 5 dhjetor 2025 Në ora: 22:09
Ilustrim

“Një shqiptar i maskuar mbrëmë rreth orës 18:00 hoqi dhe mori trengjyrëshin (flamurin serb) të kishës ortodokse serbe nga porta e kishës në Lipjan” - një pretendim i tillë është publikuar nga llogari në gjuhën serbe në platformën Telegram. Këtij pretendimi i është bashkuar edhe Dioqeza e Rashkës-Prizrenit.

“Dioqeza e Rashkës-Prizrenit dënon ashpër aktin vandal të heqjes së flamurit të kishës ortodokse serbe nga kambanorja e kishës “Vavedenje të Hyjlindëses Mari” në Lipjan. Ky sulm ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00. Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, një person me maskë iu afrua oborrit të kishës dhe e hoqi me forcë flamurin, i cili ishte vendosur vetëm një ditë më parë me rastin e festës së kishës”, thuhet në pretendimin e Dioqezës së Rashkës-Prizrenit.

Sipas pretendimit të tyre, ky veprim është raportuar në Policinë e Kosovës, por në raportin 24- orësh nuk është regjistruar.

Kp ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Kisha ortodokse serbe shkon edhe më larg, duke u munduar ta paraqesë këtë pretendim si “formë presioni dhe frikësimi”.

“Kisha e ka raportuar sulmin në Policinë e Kosovës dhe shpreson se kësaj here, ndryshe nga praktika e deritanishme, autori do të identifikohet dhe dënohet, ndërsa vepra penale të trajtohet si vepër e rëndë me elemente të urrejtjes dhe jo tolerancës fetare”, thuhet më tej derisa pretendohet se gjoja institucionet e Kosovës po i neglizhojnë “incidentet e tilla” dhe se autorët po mbesin pa u ndëshkuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat