Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas zjarrit në fabrikën “Comodita”, në Gjakovë, duke thënë se Kjo është humbje për kompaninë, për Gjakovën dhe për Kosovën
Gjini ka theksuar se për disa orë rresht, zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe zyrtarët komunalë të emergjencave kanë qenë në terren, duke dëshmuar profesionalizëm dhe vetmohim në përballje me flakët.
Ai ka rikujtuar se “Comodita” është punëdhënësi më i madh në Gjakovë dhe, si pjesë e Devolli Group, një nga taksapaguesit kryesorë që kontribuon në buxhetin e shtetit. Sipas tij, pavarësisht se miliona euro investime të kompanisë u dogjën, pronari Shkëlqim Devolli ka shprehur falënderim për institucionet dhe mirënjohje që nga zjarri nuk ka pasur asnjë të lënduar në mesin e punëtorëve.
“Kjo është humbje për kompaninë, për Gjakovën dhe për Kosovën”, ka deklaruar Gjini, duke shtuar se zjarrfikësit vazhdojnë edhe më tej përpjekjet për të mbrojtur pjesë vitale të prodhimit që deri më tani nuk janë dëmtuar.
Gjini ka theksuar se ditët e para të këtij viti kanë qenë të vështira për Gjakovën, për shkak të vërshimeve dhe zjarrit, por ka siguruar se komuna do të punojë në sanimin e dëmeve nga përmbytjet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjini ka shprehur shpresën që “Comodita” të arrijë t’i sanojë dëmet dhe të rikthejë prodhimin, duke falënderuar gjithashtu zjarrfikësit e komunave fqinje për solidaritetin dhe ndihmën e ofruar.