Serbët kërkojnë dialog për institucionet arsimore dhe shëndetësore

Kosova

Serbët kërkojnë dialog për institucionet arsimore dhe shëndetësore

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 17:02
Foto nga vendi i ngjarjes

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve në Kosovë miratuan sot një deklaratë njëzëri, duke theksuar se komuniteti serb përballet me kushtet e papranueshme të jetesës që rrezikojnë ekzistencën e tij dhe funksionimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore.

Takimi u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, ku morën pjesë kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe, këshilltarë, përfaqësues të arsimit dhe shëndetësisë si dhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, theksoi rëndësinë e paralajmërimit.

“Kërkojmë që të gjithë qytetarëve tanë që jetojnë në këto hapësira t’u mundësohen procedura ligjore, administrative dhe të tjera të lehtësuara për pajisjen me dokumente personale, në mënyrë që të sigurohet realizimi i papenguar i të drejtave të tyre themelore si qytetarë të barabartë. Ligjet ekzistuese janë absolutisht kundër interesave të popullit tonë dhe duhet të ndryshohen. Njëkohësisht kërkojmë që punonjësve dhe studentëve që vijnë për punë dhe studime në kuadër të sistemit arsimor dhe shëndetësor në këto hapësira t’u mundësohet hyrja dhe qëndrimi i papenguar gjatë procesit të punës dhe studimeve, të cilin e dëshmojnë me dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet kompetente arsimore dhe shëndetësore”-tha ai

Deklarata nënvizon gjithashtu “nevojën për dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, respektimin e të drejtave të popullit serb dhe sigurimin e një afati të arsyeshëm për zbatimin e masave, në mënyrë që qytetarët të kenë kohë të përshtaten pa rrezikuar ekzistencën dhe nevojat e tyre bazë”.

Përfaqësuesit serbë rikujtojnë se çdo veprim i njëanshëm nga Prishtina mund të dëmtojë arsimimin, shëndetësinë dhe jetën e përditshme të komunitetit, duke theksuar gatishmërinë për dialog konstruktiv por refuzimin e çdo masa që kërcënon të drejtat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.

Ata paralajmërojnë se mosformimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe shkelja e vazhdueshme e marrëveshjeve të Brukselit rrezikon të drejtën e tyre për siguri juridike dhe pronësore.

“Refuzimi i vazhdueshëm për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe dhe shkelja e vazhdueshme e marrëveshjeve të Brukselit dhe akteve ligjore në fuqi në këto hapësira është dëshmi se bashkësia ndërkombëtare duhet të përfshihet më aktivisht në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb, sepse është e qartë që mekanizmat ekzistues në sistemin e Kosovës nuk janë mbrojtje adekuate dhe nuk ofrojnë mundësi për një jetë të denjë, siguri juridike dhe pronësore për qytetarët tanë”- thuhet në deklaratë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ftuar kryetarët e komunave me shumicë serbe në një takim të premten, për të biseduar për integrimin e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë.

Dhjetë komunat me shumicë serbe – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Graçanica, Shtërpca, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Novobërda – udhëhiqen nga kryetarë të Listës Serbe, dhe nuk dihet ende nëse ata do t’i përgjigjen ftese.

Njoftimi për fillimin e integrimit përkon me nisjen e fazës së parë të aplikimit të plotë të Ligjit për të huajt, që do të zgjasë deri më 15 mars dhe parasheh një periudhë informimi. Zbatimi i këtij ligji mund të ndikojë në funksionimin e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë, pasi ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të kenë leje pune ose licencë, të cilat kërkohen në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.

Po ashtu, të punësuarit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut, të cilët vijnë nga Serbia ose vende të tjera të rajonit, duhet të kenë leje të përkohshme qëndrimi dhe të përmbushin kushtet ligjore për qëndrimin, gjë që në praktikë mund të paraqesë vështirësi, pasi Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë si legjitime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat