Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve në Kosovë miratuan sot një deklaratë me konsensus të plotë, në të cilën adresohen, sipas tyre, sfidat serioze me të cilat përballet komuniteti serb, përfshirë vështirësitë e jetesës dhe rrezikimin e funksionimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Takimi u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, ku morën pjesë kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe, këshilltarë, përfaqësues të arsimit dhe shëndetësisë, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozaq, theksoi rëndësinë e paralajmërimit.
Ivan Zaporozaq iu referua disa pikave kryesore të deklaratës, duke theksuar kërkesën për lehtësimin e procedurave ligjore dhe administrative për pajisjen e qytetarëve me dokumente personale, me qëllim garantimin e të drejtave të tyre themelore dhe barazisë qytetare.
Zaporozaq: Ligjet ekzistuese janë kundër interesave të popullit tonë
“Kërkojmë që të gjithë qytetarëve tanë që jetojnë në këto hapësira t’u mundësohen procedura ligjore, administrative dhe të tjera të lehtësuara për pajisjen me dokumente personale, në mënyrë që të sigurohet realizimi i papenguar i të drejtave të tyre themelore si qytetarë të barabartë. Ligjet ekzistuese janë absolutisht kundër interesave të popullit tonë dhe duhet të ndryshohen. Njëkohësisht kërkojmë që punonjësve dhe studentëve që vijnë për punë dhe studime në kuadër të sistemit arsimor dhe shëndetësor në këto hapësira t’u mundësohet hyrja dhe qëndrimi i papenguar gjatë procesit të punës dhe studimeve, të cilin e dëshmojnë me dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet kompetente arsimore dhe shëndetësore. Kërkojmë që të gjithë qytetarëve t’u garantohet e drejta për gëzimin e qetë dhe të papenguar të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe e drejta për përdorimin e automjeteve me zbatimin e lehtësimeve ligjore dhe të tjera, pa diskriminim dhe pa pasiguri juridike për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”, tha ai.
Ai u ndal edhe te sistemi shëndetësor dhe arsimor.
Zaporozaq: Arsimi dhe shëndetësia për serbët të rregullohet në Bruksel
“Refuzojmë dhe dënojmë çdo veprim që mund të rrezikojë punën dhe ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të popullit serb. Mendojmë se të gjitha çështjet e hapura që lidhen me pozitën e këtyre institucioneve duhet të zgjidhen vetëm përmes dialogut të Beogradit dhe Prishtinës, përmes themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, dhe kundërshtojmë ... çdo veprim tjetër që do të rrezikonte funksionimin e këtyre dy sektorëve. Këmbëngulim që për zbatimin e masave nga pikat 1 dhe 2 të kësaj deklarate të sigurohet një afat i arsyeshëm dhe i mjaftueshëm, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të përshtaten me rrethanat e reja ligjore pa rrezikuar ekzistencën dhe nevojat e tyre jetësore”- ka thënë kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut.
Pas leximit të plotë të deklaratës, u kërkua shprehja e qëndrimeve për miratimin e saj. Meqenëse nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë të përmbajtur, u konstatua se deklarata u miratua unanimisht