Në kuadër të shënimit të Epopesë se UÇK-së shumë qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe diaspora vizituan Prekazin për të nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë të rënët për liri.
Gjatë vizitave, qytetarë të shumtë u ndalën për të bëre homazhe, ndërsa disa prej tyre ndanë edhe emocionet dhe mesazhet e tyre për këto data historike.
Zefri Limani nga Gadimja e Epërme, tha se pothuajse çdo vit viziton Prekazin për të nderuar të rënët për liri.
Limani: Vizita në Prekaz, duke ndier dhimbje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për atdhe
“Vizita në Prekaz duke ndier dhimbje për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për atdhe.Për atë arsye edhe vijmë dhe i vizitojmë çdo herë”, tha Limani.
Ndërsa, Xhemile Kryeziu nga komuna e Gjakovës tregoi se këtë vit ishte hera e parë që vizitonte Prekazin, pasi jeton në mërgim në Zvicër.
Kryeziu: Vende të shenjta
“Emocione të veçanta se edhe vetë jam nga një familje që kemi dhënë dëshmorë gjatë luftës. Dhe është e shenjtë t’i vizitojë këto vende të shenjta”, tha Kryeziu.
Vizitorët theksuan rëndësinë që këto vende historike të vizitohen dhe të kujtohen nga brezi i ri. Mehmet Hasani nga komuna e Gjakovës, invalid i luftës, kishte mesazh për rininë.
Hasani: Duhet me qenë 500,000 veta të paktën këtu
“Kisha pasur dëshirë ta lus këtë rini që çdo vit mtë vijnë sa më shumë në këto ditë, se kjo është mburrja jonë që i kemi treguar botës. Unë mendoj se duhet me qenë 500,000 veta të paktën këtu. Por, fati ynë që jemi keqpërdorur nga kjo qeveri, nga këta njerëz të dobët. Me humb gjakun e këtyre njerëzve këtu…duhet me na mbajtë para duarsh neve që jemi invalidë të luftës”, tha Hasani.
Vizitat në Prekaz gjatë këtyre ditëve vazhdojnë të jenë një traditë. Shumë qytetarë çdo vit vijnë për të kujtuar dhe nderuar sakrificën për lirinë e Kosovës.