Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA: Koncepti i arsimit fillor është i shpejtuar, i imponuar dhe nuk përkon me nevojat e shkollës sonë

Maqedonia

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA: Koncepti i arsimit fillor është i shpejtuar, i imponuar dhe nuk përkon me nevojat e shkollës sonë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 16:04
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot (e premte – 5 mars 2021) në Shkup u organizua debati me temë “Koncepti i arsimit fillor dhe arsimi shqip në Maqedoninë e Veriut”. Organizator i debatit ishte koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA, ndërsa në të morën pjesë ekspertë të arsimit, profesorë universitarë, hulumtues e pedagogë.

Debatin e hapi prof. dr. Lulzim Aliu, profesor universitar dhe nënkryetar i Alternativës, i cili theksoi se ky debat po organizohet në vigjilje të Ditës së Mësuesit, që sivjet ka përkuar me konceptin e arsimit fillor, të promovuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Pas tij fjalën e mori prof. dr. Xheladin Murati, pedagog dhe autor i shumë librave për arsimin, i cili theksoi se: “Nuk ka mundësi që të bëhen reforma aq të thella në arsim për aq kohë të shkurtër. Prandaj për mua kjo strategji është e shpejtuar dhe e pamenduar mirë, që do të ketë pasoja për arsimin tonë”.

Ai vuri theksin te fakti se me këtë koncept gjuha shqipe për nxënësit joshqiptarë është përcaktuar si lëndë zgjedhore dhe jo si lëndë e detyrueshme. Sipas tij, “Kjo nuk është reformë, por vetëm një ndryshim për qëllime të caktuara”

Në diskutimin e tij, prof. dr. Avzi Mustafa, u ndërlidh duke thënë se: “Kjo që ndodhë me arsimin nuk është risi për pedagogjinë. Nëse ky projekt është refuzuar nga shtete të zhvilluara, pse ta pranojmë ne? Andaj, jam i bindur se nuk do të ketë sukses dhe se do të ndryshojë me ndryshimin e pushtetit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”.

Diskutimin e vazhdoi prof. dr. Lulzim Ademi, profesor në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, i cili theksoi se: “Vërtet arsimi ka nevojë të ketë reforma, por Fakulteti Pedagogjik ‘Shën Kliment Ohridski’ ka dhënë vërejtje se ky koncept është përtej mundësive që i ofrojnë shkollat tona aktualisht”. Sipas tij, “ky projekt së pari duhej ofruar si pilot-projekt e pastaj – duke i krahasuar dhe matur rezultatet – të mund të vendoset ose të korrigjohet”.
Në kuadër të debatit u përfshinë edhe eksponentët e partive politike Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, po ashtu profesorë universitarë dhe njohës të rrethanave arsimore.

Kështu, Vjollca Berisha, profesore universitare dhe kryetare e Forumit të Gruas të Aleancës për Shqiptarët, në fjalën e saj, tha: “Miratimi i shpejtë i këtij koncepti dëshmon se dikush ka ndonjë urgjencë, ndërsa ne realisht kemi shkolla që vuajnë për gjëra shumë më elementare dhe as për së afërmi nuk i përmbushin kushtet që i kërkon ky koncept”.

Edhe Ekrem Ismaili, pedagog dhe specialist i menaxhimit të arsimit, po ashtu nga Aleanca për Shqiptarët, theksoi se: “Në aspekt menaxherial ky koncept nuk është mbështetur në sistemin funksional dhe strukturor për të propozuar reformë të arsimit fillor, por është një imponim që detyrimisht nuk do të prodhojë sukses”.
Në fund diskutoi edhe Zeqirija Ibrahimi, hulumtues shkencor, i cili theksoi se: “Konceptin e arsimit fillor në Maqedoninë e Veriut e shoh në tri shtylla.

E para është politike. Si është e mundur që BDI, për 18 vjet, ka pasur 4 ministra të Arsimit dhe nuk kanë arritur ta pastrojnë një tekst shkollor nga gjuha albanofobe, ndërsa kjo ministre për gjashtë muaj propozon ndryshimin e konceptit të arsimit fillor? Vetë ky fakt flet se ata vetëm me arsim nuk janë marrë. E dyta është etnike: pse nxënësi shqiptar, por edhe të tjerët, duhet të diskriminohet kundrejt atij maqedonas me një lëndë më shumë? Dhe, e treta: nëse shkolla është laike, si ka mundësi të shtohet riti hinduist i jogës, ndërsa edukata seksuale të bie ndesh me lëndën e mësim-besimit që është në shkollë? Ky është frustrim i panevojshëm dhe i dëmshëm për shkollën tonë.”

Në fund të debatit, moderatori, prof. Lulzim Aliu, konkludoi se: “Koncepti i arsimit fillor është vendim politik i shpejtuar, që është imponuar, por që nuk do ta plotësojë nevojën e shkollës sonë. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që ta rishikojë këtë propozim dhe të krijojë mundësi që ai të diskutohet nga opinioni profesional dhe, pasi që të ofrohet si pilot, që të mund të matet suksesi i tij, vetëm atëherë të ofrohet në shkollë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat