Takimi Ahmeti dhe Rama: Politikanët modern ndërtojnë ura lidhëse për paqe dhe stabilitet

Maqedonia

Takimi Ahmeti dhe Rama: Politikanët modern ndërtojnë ura lidhëse për paqe dhe stabilitet

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 12:15
Pamje nga takimi

Në ditën e dytë të Forumit të Prespës për Dialog, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka realizuar takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Me këtë rast, siç theksohet në kumtesën e BDI-së, Ahmeti e ka uruar Ramën për mandatin e tretë, ndërkohë që në takim është biseduar mbi sfidat të cilat i presin vendet tona, por edhe rajonin në rrugën drejtë integrimit evropian, të cilat duhet të tejkalohen.

Kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ishte një precedent në historinë politike dhe për zgjidhjen e saj ishte e nevojshme të gjendej një inovacion që do të ishte shembull në historinë politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilën e arritëm në një moment kur të gjithë thoshin se është e pamundur, ndërsa sot jemi duke parë rezultatet pozitive të kësaj Marrëveshje, ka theksuar më tej Ahmeti.

Kontesti me Bullgarinë gjithashtu ishte pjesë e bisedës mes Ahmetit dhe Ramës, duke ju referuar vizitave të fundit që janë realizuar në Sofje me qëllim të tejkalimit të pengesave që i ka vendosur pala bullgare.

Në kohëra të kthesave të mëdha globale, jemi bërë ofrues të zgjidhjeve dhe paqes në gjithë rajonin duke sjellë shpresë. Udhëheqësit nuk duan dhe nuk duhet të lënë pas vendin, është vlerësuar mes tjerave në takimin mes Ahmetit dhe Ramës.

Më tej, është konstatuar se dielli për shqiptarët dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor lind kah perëndimi dhe pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shumë shpejtë do jenë pjesë e familjes së madhe evropiane pasi që paqja, stabiliteti dhe marrëdhëniet e mira me vendet fqinjë janë në nivel të duhur.

Në takim është theksuar se politikanët nacionalistë dhe konservatorë në situata të tilla vetëm ndërtojnë mure dhe nuk ndryshojnë asgjë thelbësore. Si politikan të moderuar, në vend të mureve duhet ndërtuar ura lidhëse për paqe dhe stabilitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat