Zaev i pret Vuçiqin dhe Ramën, nesër në Shkup mbahet Forumi Ekonomik

Maqedonia

Zaev i pret Vuçiqin dhe Ramën, nesër në Shkup mbahet Forumi Ekonomik

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Në organizim të Kabinetit të kryeministrit Zoran Zaev, në koordinim me kabinetet e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, a në bashkëpunim edhe me odat ekonomike të rajonit, nesër në Shkup do të mbahet Forumi Ekonomik për bashkëpunim rajonal, njofton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje do të jenë të pranishëm më shumë se 300 kompani nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, nga vendet e rajonit, por edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të cilat kanë paralajmëruar interes për pjesëmarrje.

Në ngjarje do të publikohet edhe emri i ri i iniciativës rajonale e cila deri sot në mënyrë joformale është quajtur “Mini Shengen”.

Programi i Forumit përfshinë fjalime të liderëve të tre vendeve organizatorë të ngjarjes, të cilët më pas do të marrin pjesë në panelin ekonomik në të cilën do të këmbehen mendime për iniciativën e re.

“Do të nënshkruhen edhe dy memorandume për mirëkuptim dhe një marrëveshje ndërshtetërore me të cilat do të lehtësohet jeta e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Qeveria.

Forumi Ekonomik do të mbarojë me konferencë për shtyp të liderëve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat