Ambasadori kinez në Maqedoni: Kina dëshiron zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë

Maqedonia

Ambasadori kinez në Maqedoni: Kina dëshiron zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë

Më: 12 mars 2022 Në ora: 12:02
Xhang Xuo

Kontestet duhet t’i zgjidhim me mjete paqësore përmes dialogut dhe bisedimeve. Dhe duhet të kemi parasysh paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe të vendosim arkitekturë të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme evropiane të sigurisë, shprehet në intervistën për AIM ambasadori kinez në vend, Xhang Xuo, duke iu referuar zhvillimeve aktuale rreth krizës ruso-ukrainase.

“Situata aktuale në Ukrainë është shqetësuese”, thekson ambasadori kinez dhe shton se pala kineze ka shprehur keqardhje të thellë për shpërthimin e sërishëm të luftës në kontinentin evropian.

Në pyetjen pse Kina ishte e përmbajtur gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve për rezolutën me të cilën u dënua agresioni rus në Ukrainë, nuk jep përgjigje të drejtpërdrejt, por bën të ditur se Pekini beson se në mënyrë që të zgjidhet kriza aktuale duhet të mbështeten qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (KB) dhe të respektohet dhe mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve.

“Ajo që nevojitet për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara është një kokë e ftohtë dhe mendje racionale, e jo t’i hidhet vaj zjarrit, gjë që vetëm do ta intensifikonte situatën. Kriza e Ukrainës mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe bisedimeve”, thekson ambasadori kinez Xhang Xuo.

Në raport me mundësinë që Kina të përfshihet si ndërmjetëse mes Rusisë dhe Ukrainës në tejkalimin e konfliktit, Xhang Xuo shprehet se Pekini vazhdon të lehtësojë dialogun për paqe dhe të mbajë komunikim të afërt me të gjitha palët.

“Kina konsideron se sa më e tensionuar që të jetë situata, aq është më e rëndësishme që bisedimet të vazhdojnë. Sa më i gjerë që të jetë mospajtimi, aq më e madhe është nevoja për t’u ulur dhe për të biseduar. Inkurajojmë Rusinë dhe Ukrainën që të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta”, porositi ambasadori kinez.

Xhang Xuo u pyet edhe për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe implikimet e tyre eventuale në marrëdhëniet e Kinës me të gjitha palët e prekura. Sipas Xhang Xuo, realiteti ka dëshmuar që moti se sanksionet nuk i zgjidhin problemet, por krijojnë të reja.

“Kjo do të rezultojë me një situatë kur më shumë lojtarë do të humbin dhe do të prishet procesi i zgjidhjes politike. Detyrë urgjente për momentin është të parandalohet që situata e tendosur të përshkallëzohet ose madje edhe të dalë jashtë kontrollit”, thekson ambasadori kinez.

Për marrëdhëniet me Moskën, ambasadori kinez shprehet se Kina dhe Rusia njëra me tjetrën janë fqinjët më të rëndësishëm dhe të afërt dhe partnerë strategjikë, të cilat i kanë dërguar porosi të qartë botës se bashkërisht kundërshtojnë tentimet për të jetësuar të menduarit nga Lufta e ftohtë. Nga ana tjetër, për marrëdhëniet me SHBA-në thekson se në botën e globalizuar dhe të ndërvarur në mënyrë të ndërsjellë për atë se si Kina dhe SHBA-të gjejnë rrugën e mirëfilltë përpara dhe arrijnë të pajtohen, është edhe çështje e re për njerëzimin dhe formulim që Pekini dhe Uashingtoni duhet ta përpunojnë së bashku.

Për relacionet me BE-në, nga ana tjetër, thekson se politika e Kinës ndaj Evropës është e qëndrueshme dhe konsistente. “Ajo nuk do të preket nga çfarëdo kthese e zhvillimeve. Do të vazhdojmë të mbështesim pavarësinë e Evropës dhe të BE-së të bashkuar dhe prosperuese”, theksoi Xhang Xuo.

Ambasadori kinez, duke folur për zhvillimet aktuale botërore, përmendi se Pekini do të punojë me të gjitha fuqitë progresive në botë, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, për zhvillimin dhe për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat