Osmani: Negociatat me Bullgarinë po ngecin, nuk ka ndonjë risi nga bisedimet ndërmjet dy vendeve

Maqedonia

Osmani: Negociatat me Bullgarinë po ngecin, nuk ka ndonjë risi nga bisedimet ndërmjet dy vendeve

Më: 25 maj 2022 Në ora: 19:10
Bujar Osmani

“Negociatat me Bullgarinë po ngecin. Ka komunikim, por për momentin nuk ka lëvizje drejt zgjidhjes. Dialogu me Sofjen vazhdon”, thotë ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani.

Ai tha se dialogu do të zhvillohet në bazë të inkurajimit të Kovaçevskit dhe Petkovit.

Takimi i tyre në Itali nuk solli asgjë të re, përveç shpresës se do të arrihej një marrëveshje që do të hiqte veton në qershor.

“Ne patëm një takim dy ditë më parë në Romë, ku kryeministrat inkurajuan ministritë që të vazhdojnë dialogun dhe përpjekjet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Në bazë të atij inkurajimi, ne vazhdojmë, por për momentin nuk ka asgjë të re që mund të ndaj me ju që është e ndryshme nga ajo që kam thënë deri më tani”, tha ministri Osmani.

Lidhur me idenë e presidentit francez Macron për formimin e një komuniteti politik evropian që do të përfshijë të gjitha vendet evropiane që nuk janë anëtare të BE-së, Osmani tha se ky nuk është një propozim zyrtar që duhet të shqyrtohet.

“Ne kemi shkuar shumë larg në përmbushjen e kritereve, që një ide e tillë të bëhet alternativë për anëtarësimin tonë në Union”, shtoi Osmani.

Osmani nuk ka dashur të komentojë për zhvillimet në skenën politike bullgare.

Ai shkurt tha se në komunikimin me Bullgarinë udhëhiqemi nga qëndrimet tona, qëndrim që shpreson se do të japë rezultate pozitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat