Presidenti bullgar, Rumen Radev konfirmoi sot në mëngjes, para vizitës së presidentes Gordana Siljanovska Davkova në Sofje, se do të kenë bisedime zyrtare, por tha se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka braktisur retorikën parazgjedhore dhe se duhet të kthehet drejt realizmit të obligimeve të tyre.
“Është e vërtetë që muzika dhe kultura janë sfera që na bashkojnë. Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pret që ky dialog jo vetëm të ndihmojë në afrimin tonë kulturor dhe t’i japë shtysë bashkëpunimit ekonomik, por edhe të hapë një dialog për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të hapura mes nesh”, tha Radev.
Ai theksoi se bashkë me marrëveshjet e nënshkruara, përfshirja e lidershipit të Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e Korridorit 8 do të jetë tregues i qartë i ambicieve reale evropiane të RMV-së për lidhje më të madhe në rajon.
“Pres që vullneti i treguar për dialog dhe mirëkuptim nga ana e presidentes Siljanovska të bëhet një politikë konsistente edhe e Qeverisë së RMV-së”, tha Radev.
Radev tha se Qeveria e RMV-së ende nuk ka dal retorika parazgjedhore.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka braktisur retorikën e saj parazgjedhore. Le të kthehen në realizëm. Marrëdhëniet tona do të bazohen në marrëveshjet e lidhura. Ne presim që RMV t’i përmbushë të gjitha obligimet e saj, si ndaj nesh ashtu edhe ndaj Bashkimit Evropian. Ne respektojmë me përpikëri protokollin, tani është radha ime të vij në një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, tha Radev.