Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbështet protestën studentore në Shkup, reagon edhe ndaj mosrespektimit të gjuhës shqipe në RMV

Maqedonia

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbështet protestën studentore në Shkup, reagon edhe ndaj mosrespektimit të gjuhës shqipe në RMV

Më: 5 prill 2026 Në ora: 12:34
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar në Maqedoninë e Veriut, duke denoncuar mosrespektimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet dhe jetën publike të vendit, informon Telegrafi Maqedoni.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH thekson se reagimi i tyre vjen pas një sërë denoncimesh në media, si dhe reagimeve të organizatave të shoqërisë civile dhe personaliteteve nga shoqëria multietnike në vend.

Sipas Unionit, moszbatimi i ligjit për gjuhën shqipe përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore dhe cenon parimet bazë të shtetit të së drejtës dhe të Kushtetutës.

UGSH nënvizon se një situatë e tillë është e papranueshme për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku respektimi i të drejtave gjuhësore përbën një kriter thelbësor.

"Unioni u bën thirrje mediave dhe gazetarëve maqedonas që të tregojnë solidaritet dhe të mbështesin zbatimin e këtij standardi kushtetues, duke raportuar me profesionalizëm dhe objektivitet çdo shkelje nga përfaqësuesit institucionalë. Në të njëjtën kohë, UGSH shpreh mbështetje për reagimet publike dhe protestat e paralajmëruara, përfshirë edhe atë të studentëve, duke inkurajuar anëtarët e saj që të marrin pjesë për të pasqyruar ngjarjet në mënyrë sa më të gjerë në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, Unioni mbështet Unionin e Studentëve Shqiptarë dhe u bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj në organizmat ndërkombëtarë që të reagojnë fuqishëm dhe të kërkojnë hetime për rastet e shkeljes së të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare",
thuhet në reagim.

UGSH thekson se garantimi i kësaj të drejte është jetik për bashkëjetesën dhe stabilitetin në vend, duke kërkuar që ajo të respektohet në çdo rrethanë dhe nga çdo institucion.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat