Dimitrieska-Koçoska: Siguruam kushte të favorshme për huamarrje, detyrimi ynë është ta ruajmë stabilitetin fiskal

Maqedonia

Dimitrieska-Koçoska: Siguruam kushte të favorshme për huamarrje, detyrimi ynë është ta ruajmë stabilitetin fiskal

Më: 19 maj 2026 Në ora: 16:38
Dimitrieska-Koçoska

"Huamarrja e fundit e jashtme do të realizohet në kushte dukshëm më të favorshme, me norma interesi më të ulëta dhe me periudhë afatgjate maturimi, që është tregues i rritjes së besimit të institucioneve financiare ndërkombëtare në ekonominë e Maqedonisë", theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në intervistën për Televizionin Alfa.

Siç theksoi ministrja për Ligjin e huamarrjes nga bankat e huaja, i cili ka hyrë në procedurë parlamentare, Ministria e Financave dërgoi kërkesë në 14 banka, nga të cilat kanë arritur tetë oferta. Sa i përket normave të interesit të marra për kredinë, ato janë shumë më të mira krahasuar me vendet e rajonit, që do të thotë se Ministria e Financave ka siguruar financim konkurrues.

“Sipas buxhetit të miratuar për vitin 2026, u theksua qartë se kemi plan për të marrë hua 1 miliard e 300 milionë euro në tregun e jashtëm, nga të cilat 1 miliard euro do të emetohen si euroobligacion, gjë që e bëmë në fillim të vitit dhe pjesa tjetër deri në 300 milionë euro mjete shtesë gjithashtu në tregun e jashtëm".

"Në këtë proces, morëm oferta nga tetë banka të ndryshme, kurse oferta më e favorshme është me normë interesi më të ulët se ajo që aktualisht ka obligacioni i tregtuar në tregun sekondar”, tha Dimitrieska Koçoska dhe potencoi se krahasuar me rajonin, Maqedonia siguroi kosto më të ulëta të huamarrjes dhe periudhë më të gjatë të shlyerjes, gjë që e vendos vendin në pozicion më të favorshëm financiar.

“Mali i Zi ka normë interesi prej Euribor plus 2.5 përqind për kredi pesëvjeçare, ndërsa ne për kredi shtatëvjeçare morëm Euribor plus 2.1 pikë përqindjeje. Rumania, gjatë periudhës kur ne emetuam euroobligacionin, kishte normë interesi që ishte më e lartë se e jona, norma e tyre e interesit ishte diku mbi 5 përqind”, tha ministrja dhe shtoi se rezultatet e tilla janë dëshmi e menaxhimit të përmirësuar të financave publike dhe rritjes së besimit te kreditorët ndërkombëtarë.

“Duhet të them se bankat që morën pjesë në financim janë bankat evropiane, bankat nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat janë gjithashtu banka me reputacion të lartë, gjë që tregon qartë besimin e madh të institucioneve të huaja financiare dhe të kreditorëve ndërkombëtarë në Maqedoni”, theksoi ministrja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat