Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
Në një postim në rrjete sociale ai shkroi se kjo ditë duhet të shërbejë për reflektim mbi të ardhmen e shtetit.
Ahmeti theksoi se vendi nuk u ndërtua brenda një dite dhe as vetëm nga një bashkësi etnike.
Sipas tij, shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë për shumë vite nuk u ndjenë pjesë e barabartë e shtetit.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, mënyra se si u ndërtua rendi kushtetues në fillim të viteve ’90 dhe përjashtimi i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga proceset vendimtare të krijimit të shtetit, krijuan një hendek të thellë ndërmjet shtetit dhe një pjese të qytetarëve të tij”, shkroi Ahmeti, transmeton KosovaPress.
Kreu i BDI-së e cilësoi këtë si padrejtësi historike dhe model të paqëndrueshëm shtetëror.
Ai tha se viti 2001, kur ndodhi lufta në këtë shtet, ishte përballje me këtë realitet. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit ndryshoi filozofinë e funksionimit të vendit.
“E zhvendosi vendin nga logjika e dominimit të shumicës drejt parimit të bashkëjetesës, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët”, deklaroi Ahmeti.
Ai shtoi se shqiptarët nuk kërkuan shtet tjetër, por u zotuan ta ndërtonin bashkë atë ekzistues.
Ahmeti vlerësoi se integrimi i bashkëkombasve të tij dhe komuniteteve tjera joshumicë kërkoi reforma, përpjekje politike dhe ndryshim të mendësisë.
“Në këtë proces, Bashkimi Demokratik për Integrim e ka parë integrimin e shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë jo si përjashtim të dikujt tjetër, por si ndërtim të një shteti më funksional, më demokratik dhe më të barabartë”, theksoi ai.
Sipas tij, arritjet e Marrëveshjes së Ohrit nuk i përkasin vetëm një komuniteti apo partie. Ato janë pjesë e transformimit të vetë shtetit.
“Marrëveshja e Ohrit e forcoi shtetin unitar duke e bërë atë më demokratik. E bëri më të qëndrueshëm duke e bërë më gjithëpërfshirës”, shkroi Ahmeti.
Kryetari i BDI-së shprehu shqetësim për përjashtimin në përfaqësim dhe pengesat në përdorimin e gjuhëve. Ai përmendi edhe mospërfshirjen në kulturë dhe jetën publike.
“Sepse shtetet nuk dobësohen nga barazia. Shtetet dobësohen kur qytetarët e tyre fillojnë të ndihen të përjashtuar”, deklaroi Ahmeti.
Në fund, ai bëri thirrje të ruhet ajo që është ndërtuar dhe të shmangen politikat përçarëse.
“E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ndërtohet duke zvogëluar të drejtat e dikujt, por duke rritur besimin ndërmjet të gjithëve”, përfundoi Ahmeti.