Lojrat e vogla gjeopolitike humbëse të Francës me Armeninë. Dhe basti francez në Ballkanin Perëndimor tek interesat serbe dhe një shtet anti-atlantik si Serbia

Opinione

Lojrat e vogla gjeopolitike humbëse të Francës me Armeninë. Dhe basti francez në Ballkanin Perëndimor tek interesat serbe dhe një shtet anti-atlantik si Serbia

Nga: Shaban Murati Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 11:44
Shaban Murati

Franca i ka hipur një treni të gabuar gjeopolitik. Lufta gjashtë javore në Nagorno-Karabakh midis Armenisë dhe Azerbajxhanit konfirmoi një konfiguracion të ri gjeopolitik në Kaukazin Jugor, duke dëshmuar për aktorët e jashtëm të konfliktit, një fitore gjeopolitike të Rusisë dhe të Turqisë, dhe një dështim të dukshëm gjeopolitik të Francës.

Është e vështirë për diplomatët dhe gjeopolitikanët të shpjegojnë arsyet e linjës së gabuar që ndoqi Franca në këtë konflikt lokal, në një kohë që Franca është një nga tre bashkëkryetarët e Grupit të Minskut, të ngritur nga OSBE në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit të Nagorno-Karabakhut.

Presidenti francez Makron vendosi ta rreshtonte vendin e tij hapur në mbështetje të Armenisë në konfliktin e tanishëm, duke komprometuar neutralitetin, që duhet të mbajë Franca si ndërmjetëse në konflikt. Jo vetëm që neutraliteti francez nuk u ruajt, por u shkallëzua me veprime të habitshme acaruese të institucioneve të rëndësishme franceze edhe pas marrëveshjes së paqes, që arritën dy shtetet ndërluftuese me ndërmjetësimin e Rusisë në datën 10 nëntor.

Në këtë linjë të acarimit të konfliktit, parlamenti francez miratoi në datën 3 dhjetor një rezolutë, ku i kërkon qeverisë franceze të njohë të ashtuquajturën “republikë” të Nagorno-Karabakhut.

Një javë më parë të njëjtën rezolutë me të njëjtën kërkesë kishte miratuar edhe senati francez. Është një akt politik dhe parlamentar tepër i habitshëm, i cili nuk i shërben, por e vështirëson shumë rolin gjeopolitik dhe diplomatik të Francës jo vetëm për Nagorno-Karabakhun, por për gjithë rajonin e Kaukazit. Pavarësisht se rezoluta e parlamentit nuk është detyruese dhe Ministria e Jashtme franceze deklaroi se refuzon ta ndërmarrë një hap të tillë, e vërteta është se u krijua një konturim i ri parlamentar i politikës së jashtme dhe i diplomacisë franceze, që nuk sjell ndonjë përfitim as gjeopolitik dhe as gjeostrategjik për vetë Francën.

Azerbajxhani protestoi zyrtarisht ndaj miratimit të rezolutës së parlamentit francez për njohjen e të ashtuquajturës  “republikë” të Nagorno-Karabakhut, duke kërkuar që Franca të përjashtohet nga posti i saj i ndërmjetësit në Grupin e Minskut. Presidenti Alijev deklaroi që Franca në vend që t’u japë territor azerbajxhanas armenëve, le t’u japë Marsejën.

Presidenti Alijev udhëzoi qeverinë e tij që t’i drejtohet OSBE-së me kërkesën që t’i heqë Francës postin e bashkëkryetarit të Grupit të Minskut.

Ka një logjikë politike, diplomatike dhe shtetërore në kërkesën e Azerbajxhanit, sepse nuk mund të pranohet të jetë ndërmjetës një shtet dhe një diplomaci, të cilat në mënyrë zyrtare dhe publike kanë marrë anën e njërës palë. Madje Ministri i Jashtëm francez  Jean-Ives Le Drion në datën 10 nëntor, ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë nën  ndërmjetësimin e presidentit rus Putin, deklaroi përsëri se “Në këto kohëra të vështira Franca riafirmon miqësinë zemërplotë me popullin e Armenisë”.

Rreshtimi i hapur i Francës në anën e Armenisë në konfliktin e tanishëm, duke arritur deri në rezolutat emotive të senatit dhe të Asamblesë Kombëtare të Francës për njohjen e të ashtuquajturës “republikë” të Nagorno-Karabakhut, ka krijuar një klimë habie dhe eksplorimesh në qarqet diplomatike europiane dhe ndërkombëtare, për shkak të mungesës së perspektivës së një taktike të tillë gjeopolitike dhe strategjike.

Së pari, duke përkrahur Armeninë për çështjen e Nagorno-Karabakhut Franca shkel parimet e marrrëdhënieve ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare për respektimin e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shteteve sovrane. Qëndrimi francez për Nagorno-Karabakhun shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe dokumentet e OSBE, të cilat të gjitha e njohin Nagorno-Karabakhun si pjesë e sovranitetit dhe e integritetit territorial të Azerbajxhanit.

Këto rezoluta të OKB i respekton edhe Rusia, e cila e ka aleate Armeninë, ka baza usharake ruse në Armeni dhe Armenia është shtet anëtar i aleancës ushtarake ruse “CSTO”, dhe natyrisht i njeh rrethanat historike dhe juridike të çështjes së Nagorno-Karabakhut më mirë se Franca, sepse të dy shtetet, Armenia dhe Azerbajxhani, kanë qenë pjesë e federatës së Bashkimit Sovjetik të drejtuar nga Rusia.

Në datën 4 dhjetor, pas rezolutës së parlamentit francez, sekretari i shtypit i presidenti rus, Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia e njeh Nagorno-Karabakhun si pjesë e integritetit territorial të Azerbajxhanit.

Së dyti, nuk kuptohet se me çfarë logjike politike dhe diplomatike mund të kërkojë parlamenti francez njohjen e të ashtuquajturës “republikë” e Nagorno-Karabakhut, kur atë nuk e njeh as edhe një nga shtetet e OKB. Dhe që ironia e situatës të jetë më e madhe, këtë të ashtuquajtur “republikë”, që e ka krijuar Armenia nëpërmjet pushtimit të territorit azerbajxhanas 30 vjet më parë, nuk e njeh as vetë Armenia.

Nuk mund të mos tingëllojë komike, kur kryeministri i Armenisë, Pashinian, në datën 9 tetor i kërkonte Francës të njihte pavarësinë e Nagorno-Karabakhut, dhe vetë qeveria e tij nuk e ndërmori këtë hap. Është një element që evidenton karakterin flagrant të rezolutës parlamentare franceze për njohjen e të ashtuquajturës “republikë” të Nagorno- Karabakhut.

Së treti, Franca humbi rolin dhe postin e ndërmjetësit në konfliktin e Kaukazit Jugor. Kursi i gabuar gjeopolitik i ndjekur në konfliktin e tanishëm pakëson hapësirën dhe mundësitë e manovrimit të diplomacisë franceze dhe të interesave të saj në një rajon të rëndësishëm strategjik ndërkombetar. Ndërmjetësimi i shteteve të mëdha në konfliktet lokale shpreh një rol prej aktori global në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndaj humbja e tij në një konflikt lokal në Kaukaz dëmton pozitën e Francës si aktore globle.

Së katërti, Franca me anësinë e saj prish dhe çon në nivelin më të ulët marrëdhëniet e saj me Azerbajxhanin, por njëkohësisht dëmton marrëdhëniet dhe interesat e BE me Azerbajxhanin. Projekti i rëndësishëm energjetik dhe strategjik i BE me emrin “Korridori Jugor i Gazit”, që do të sigurojë pavarësinë energjetike të BE, bazohet në furnizimet me gaz nga Azerbajxhani. Është lehtë të kuptohet se çfarë krisjesh mund të pësojë ky projekt strategjik i BE nga mosrespektimi i të drejtave sovrane të shtetit furnizues të gazit nga shteti i dytë më i rëndësishëm i BE. Rëndësinë e kuptimit realist të konfliktit e theksoi në datën 6 dhjetor edhe Ministri i Zbulimit i Izraelit, Eli Cohen, i cili deklaroi se “Azerbajxhani është partneri ynë i rëndësishëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik”.

Së pesti, me këtë politikë aprioristike proarmene, të ndjekur në konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Franca i krijoi mundësi të reja Rusisë të mënjanonte angazhimin e diplomacisë perëndimore në zgjidhjen e konfliktit.

Me zgjidhjen e konfliktit u angazhua presidenti i  Rusisë, Vladimir Putin, i cili duhet pranuar se siguroi një fitore të re gjeopolitike të Rusisë në rajon, por edhe të rolit ndërkombëtar të saj. Moska u imponua si protagoniste e pushimit të luftës dhe e vendosjes së paqes dhe arriti objektivin e vendosjes si paqëruajtës të trupave ruse në atë pjesë të mbetur të Nagorno-Karabakhut, fakt i ri gjeopoltik që praktikisht nxjerr jashtë loje Grupin e Minskut.

Është e kuptueshme që nëse do të kishte pasur impostim tjetër diplomatik francez për neutralitetin dhe për angazhimi mbi palët në konflikt, rezultatet do të kishin qenë më të favorshme për interesat e Perëndimit.

Së gjashti, Franca ndoqi në konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë një linjë që dukej se nuk ishte në konkordancë me atë të Gjermanisë dhe të BE, të cilat kanë qenë të ekuilibruara. Ndoshta llogaria e Parisit ka qenë se duke marrë anën e Armenisë në këtë konflikt do të promovojë një avancim të interesave të veta në atë rajon, gjë që rezultoi një bumerang për diplomacinë dhe për politikën e jashtme franceze.

Dashamirësit e Francës përpiqen ta justifikojë këtë linjë proarmene të Parisit me komunitetin armen, që jeton në vend. Por gjeopolitika dhe strategjia e politikës së jashtme të një shteti nuk ndërtohen mbi interesat lokale dhe elektorale të një grupi të vogël etnik siç janë 400 mijë armenët në një shtet të madh si Franca.

Sepse politika e jashtme franceze nuk është ndikuar për shembull nga 800 mijë turqit, që jetojnë në Francë, për të ndjekur një politikë miqësore ndaj Turqisë. Nuk është ndikuar as nga mbi tre milionë algjerianët, që jetojnë në Francë, për të qenë aq miqësore me ta, siç është me armenët dhe me Armeninë.

Mund të thuhet se Franca e Makronit zhvilloi një lojë të  vogël gjeopolitike humbëse në Kaukazin Jugor. Është një impostim i gabuar gjeopolitik, duke vënë bastin mbi Armeninë, të cilën nuk mund ta shkëpusë kurrë nga Rusia. Është i njëjti gabim gjeopolitik i bërë në konfliktin e ri në Mesdhen Lindor, ku Franca ndoqi kursin e armiqësisë së ashpër me Turqinë dhe të tifozllëkut të sëmurë për Greqinë, duke mos ndihmuar zgjidhjen e konfliktit, por duke e acaruar atë. Praktikisht Francës nuk i takon as gjeografikisht dhe as historikisht Mesdheu Lindor dhe ishte tepër emotiv një lloj fanatizmi i pakuptuar diplomatik progrek në Mesdheun Lindor. Diferenca e qëndrimit francez me qëndrimin gjerman në konfliktin e Mesdheut Lindor ishte e hapur.

Franca iu kundërvu Gjermanisë, e cila ndërmori nismën diplomatike të deshkallëzimit të konfliktit midis Turqisë dhe Greqisë, por edhe angazhimit të të NATO-s, e cila organizoi bisedimet e qetësimit dhe kompromisit midis dy anëtarëve të Aleancës Atlantike. Në antitezë gjeopolitike Franca mobilizoi mjetet ushtarake për demostrime të panevojshme në Medheun Lindor dhe organizoi manovra sfiduese ushtarake me Greqinë. Konflikti në Mesdheun Lindor nuk kishte nevojë për rrugën e gabuar të përplasjes ushtarake, që nxitnin Greqia dhe Franca, sepse edhe SHBA, edhe Gjermania, me vizionin e tyre të mbrojtjes globale të interesave atlantike dhe perëndimore, nuk mund të lejonin një konflikt ushtarak midis dy aleatëve të NATO-s.

E njëjta lojë e vogël humbëse gjeopolitike po zhvillohet nga Franca e Makronit edhe në Ballkanin Perëndimor, ku Parisi ka vënë bastin e vet te një shtet antiatlantik si Serbia dhe te  interesat serbe. Strategjia dhe gjeopolitika e Francës në Ballkanin Perëndimor mbështetet në rolin hegjemon të Serbisë në rajon.

Mbi këtë objektiv presidenti francez mbështeti planin serb të shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës qysh në vitin 2018. Është një kurs i gabuar gjeopolitik, sepse Franca nuk mund të zëvëndësojë dot Rusinë në Serbi.  Një kurs i gabuar gjeopolitik në rajonin tonë, që bie ndesh me interesat jetike të kombit shqiptar, që për fatin e tij të keq qeveriset nga lobe franceze.

Çështja shtrohet për rolin e emocioneve të llojeve të ndryshme, që ndikojnë në gjeopolitikën e sotme franceze, që nga ambicjet personale të presidentit Makron për t’u afirmuar si lider i Europës e deri te paragjykimet e tij fetare ndaj popujve dhe shteteve të tjera. Por emocione të kësaj natyre gjithmonë kanë patur pasoja negative në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në biografitë personale të udhëheqësve shtetërorë. Emocione të tilla po ndikojnë në disa lojra dhe lëvizje diplomatike dhe gjeopolitike të Francës, të cilat nuk sinjalizojnë erë të mbarë as për Francën dhe as për rolin dhe interesat e Aleancës Atlantike apo të Perëndimit.

Janë lojra të vogla gjeopolitike humbëse, që mund të japin kënaqësinë e momentit, por jo suksesin afatgjatë të strategjisë së politikës së jashtme. Strategjia dhe gjeopolitika e BE nuk mund të neglizhojë dy elemente.

Së pari, që duhen marrë në konsideratë interesat e gjithë shteteve të mëdha të BE dhe të NATO-s.

Së dyti, bota ka ndryshuar shumë nga koha e presidentit De Gol. Tani raportet e forcave midis shteteve, që nga Kaukazi e deri në Mesdheun Lindor kanë ndryshuar, ndaj gjeopolitika e BE dhe e NATO-s duhet të llogarisë këto ndyshime me qëllim që të jetë efikase. Realizmi amerikan dhe gjerman është një model me vlerë./Dita/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat