Sot mos flisni për të drejtat e njeriut, meqë ato i shkelni çdo ditë

Opinione

Sot mos flisni për të drejtat e njeriut, meqë ato i shkelni çdo ditë

Nga: MA. Vjollca Aliu Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 16:25
Vjollca Aliu

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të gjithë bëhen "engjëj", sikur të gjithë po i respektuakan të drejtat e njëri-tjetrit. Por, sot, dje e çdo ditë dikush shkel mbi të drejtën për jetë të dikujt tjetër, mbi dinjitetin, të drejtën për banim, për sigurim shëndetësor, për siguri, për lëvizje të lirë e të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila është e përfshirë në aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, me epërsi zbatimi në raport me aktet juridike në fuqi të vendit tonë. Prandaj, sot, ju që keni në duart tuaja fatin e gjithë popullit të Republikës së Kosovës dhe të cilët i keni bërë të jetojnë në mëdyshje për të jetuar ose jo në këtë vend pa mëngjese shprese, duke ua shkelur pothuajse çdo të drejtë qytetare, politike, ekonomike, kulturore e sociale, ju përgjegjës, së paku sot heshtni e mos flisni për të drejta të njeriut. Sot, mos i përmendni të drejtat e njeriut, mos u shtirni:

-Ju, që morët votat, përfshirë secilin deputet në periudha të ndryshme legjislative dhe secilin që ishte dhe është pjesë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, varësisht nivelit të përgjegjësisë publike;

-Ju, që abuzuat me të drejtat e njeriut, të drejta të normuara me ligje dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;

-Ju, që keqmenaxhuat buxhetin e shtetit, shfrytëzuat paranë e taksapaguesve për interesa e nevoja personale, familjare, klanore, partiake;

-Ju, që arsimin e futët në labirintin e politikës ditore e diktateve ideologjike partiake, duke e degraduar e rrënuar gati se tërë sistemin arsimor në të gjitha nivelet;

-Ju, që sistemit shëndetësor i keni dhënë epitetin "VDEKJE";

-Ju, që si babadimra falni miliona para nga thesi i leckosur i kosovarëve (rasti i 53 milionëve dhënë Bechtel Enka-s);

-Ju, që nuk jepni llogari për milionat e djersës së kontributdhënësve (rasti i 85 milionëve të humbura të Trustit Pensional të Kosovës), për "avullimin" e 2 milion eurove,...;

 

-Ju, që ikët nga llogaridhënia për milionat e paguara kompanisë austriake për çështjen e pasaportave;

-Ju, që përgjegjësinë nuk e ndjeni dhe nuk e vuani kur krijoni apo futeni në afera të ndryshme (korruptive, kriminale) ose abuzime seksuale;

-Ju, që nuk brengoseni se mërgimtarët tanë paguajnë për të hyrë në vendin e vet (vetëm në Kosovë nuk u vlenë Kartoni i Gjelbër), ndërsa remitancat janë rritur nga djersa e tyre derdhur në Kosovë;

-Ju, që për interesat e juaja ndërpersonale e ndërpartiake nuk votoni politikat sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore,… duke penguar e pamundësuar një mirëqenie dhe perspektivë për qytetarët, jeta e të cilëve kushtimisht varet nga vullneti juaj;


-Ju, që më shumë kujdeseni se si të punësoni të afërmit tuaj, milantët e të dëgjueshmit e partive respektive, se sa që përkujdeseni për numrin e madh të të sëmurëve që nuk gjejnë shërim në spitalet e Kosovës e që trajtimin duhet ta bëjnë jashtë vendit, më shumë apo kryesisht me ndihmën e bëmirësve, donatorëve që grumbullojnë para për raste të panumërta trajtimesh mjekësore, se sa nga mjetet e ndara nga buxheti shtetëror dedikuar për raste të tilla;

-Ju, që shitët, falët pasurinë e Kosovës (asete të ndryshme, fabrika e distribucione) sikur të ishin pako festash, dhurata me vlera simbolike;

-Ju, që harxhuat paratë e popullit duke lobuar më shumë për interesat e juaja personale e grupore, për bizneset e juaja ku keni edhe aksione, se sa për interesat shtetërore, perspektivën, inkuadrimin dhe imazhin e Republikës së Kosovës;

-Ju, që nuk u dhatë rëndësi e madje shpesh edhe injoruat kthimin e sportistëve nga garat e ndryshme (përtuat edhe t’i falënderoni për arritjet e tyre), të cilët si ambasadorë të paqes e pasuruan Kosovën me medalje ari e argjendi, me të cilat krijuan një “miniminierë”;


-Ju, që nuk brengoseni se qytetarët janë izoluar nga vendet e BE-së, sepse ju e keni zgjidhur këtë çështje për vete dhe për familjarët tuaj me pasaporta diplomatike e privilegje, përderisa qytetarët bartin mbi supe brengën dhe dëshirën për liberalizimin e vizave, tash e sa vite;

-Ju, që shfrytëzoni paranë publike për shkollimin e fëmijëve tuaj në universitete me renome ndërkombëtare, ndërsa studentët me kapacitete gjeniale në mungesë të mjeteve financiare detyrohen madje edhe të ndërrojnë fushën e studimeve, sepse në disa fakultete vendet janë të rezervuara për fëmijët e “ajkës” elitare-pushtetare dhe të preferuarit e tyre;

 

-Ju, që nuk i përmbushët premtimet parazgjedhore dhe synoni kandidimin edhe në zgjedhjet e ardhshme, ende pa ardhur koha , duke u orientuar vetëm në premtime për rrugë e kanalizim (sepse aty është bereqeti i tenderave), por duke harruar politikat sociale konkrete të cilat pothuajse pak ose fare nuk janë pjesë e programeve tuaja, por të cilat prekin numër të madh të qytetarëve në nevojë, të varur pikërisht nga skemat e ndryshme sociale;

-Ju, që krijuat mbi 40 agjenci në kuadër të pushtetit ekzekutiv dhe i bëtë ato si “çerdhe dallëndyshesh” për familjarët e të preferuarit tuaj, por që nuk bëtë llogarinë se sa shpenzojnë ato veç e veç dhe sa janë funksionale;

-Ju, që keni siguruar për vete nga 3 e 4 vende pune, më shumë kujdeseni për rritjen e pagave tuaja, sepse vota juaj e mundëson këtë, duke i shndërruar ligjet në fontanë dëshirash, radhitur sipas toplistës së dëshirave tuaja personale dhe grupore, por nuk brengoseni për numrin e madh të të papunësuarve;

 

-Ju, që pozitat vendimmarrëse i keni rezervuar gati tërësisht për gjininë mashkullore, megjithëse normat juridike përcaktojnë mosdiskriminimin dhe barazinë gjinore;

-Ju, që edhe pas 20 viteve liri nga pushtuesi, femrën nuk e shihni të denjë për të punuar në sektorin e sigurisë, duke harruar të gjitha ato femra, ato shqipe mali që ishin pjesë e UÇK-së, shumë prej të cilave ranë dëshmore dhe u bënë fanar i kësaj lirie që e gëzojmë sot;

-Ju, që arsyetimet, sqarimet dhe përgjigjet para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme i patët vështirësi apo të paarritshme, ashtu siç kanë qenë të paarritshme sukseset në diplomaci. Me retorikë pa logjikë nuk iket nga përgjegjësia për dështimet e njëpasnjëshme të diplomacisë së MPJ-së;

-Ju, që rritët numrin e vendeve të vizituara, duke përfituar honorare të majme në emër të lobimit për rritjen e numrit të njohjeve nga shtetet që ende nuk e kanë njohur si shtet Republikën e Kosovës, por që de facto e de jure ky numër jo vetëm që nuk u rrit, por u vu në dyshim edhe njohja nga disa shtete që më parë e kishin pranuar Kosovën si subjekt ndërkombëtar;


-Ju, që dremiteni e fleni në karriget e Parlamentit të Republikës së Kosovës e paguheni nga qytetarët për atë gjumë, përkundër asaj se aty jeni për të bërë zgjedhjet më të mira për zgjidhjen e çështjeve publike;

-Ju, që foltoren e Parlamentit të Republikës së Kosovës shpesh e shfrytëzoni për t’i shfryrë inatet personale, duke treguar papjekuri njerëzore, mungesë kulture si individ dhe mungesë të kulturës politike;

-Ju, që fëmijëve tuaj u keni siguruar bursa studimi (pavarësisht suksesit), por nuk brengoseni për fëmijët të cilët detyrohen që krahas shkollimit të punojnë për të ndihmuar prindërit e tyre për mbijetesë, fëmijët që punojnë punë të rrezikshme e të rënda në raport me moshën dhe aftësitë e tyre fizike;

 

-Ju, që nuk brengoseni fare pse ikin të rinjtë për studime jashtë vendit dhe nuk e kthejnë më kokën pas, sepse zhgënjimi i përgjithshëm nga ky vend nuk u la dëshirën që të kthehen e të punojnë për vendin e vet pas arritjeve të tyre në fusha të ndryshme studimi;

-Ju, që i tmerroheni termit "MERITOKRACI", ndoshta më shumë se vdekjes, sepse pozitat që i keni pa meritë, në sistemin meritokratik nuk do të kishit vend, do të “siteshit” e do të dilnit si egjëra nga gruri;

-Prandaj, ju, populli im i dashur, votoni, por mos u mashtroni! Kosova ka shumë njerëz që meritojnë të jenë aty ku sot dikush po shkelë mbi gjakun e mijëra të flijuarve, po na ngulfat jetën të gjallëve e po na “vret” çdo ditë, po na i "vret" të drejtat tona.
Dhe, sot, e mbushur mllef, kur edhe "kurrizi" im ndien dhimbjet e shumta nga shkeljet e të drejtave të mia si qytetare e këtij vendi, në brendësinë time po i ndiej edhe dhimbjet e të gjithë atyre që jetojnë të shkelur, mu në ato të drejta që u takojnë, sot bëhem zëri i "luleve e karanfilave" që jetojnë e mbijetojnë në këtë "kopsht të thatë", ku mirëqenia soditet vetëm në jetën luksoze të pushtetarëve tanë. Dhe, sot, kam të drejtë t'u them: heshtni e mos u shtirni duke folur për të drejtat e njeriut, kur ato i shkelni çdo ditë, të drejtat tona nuk janë nën këmbët tuaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat