Dromca kujtimesh nga Lëvizja për Pajtim të Gjaqeve në Kosovë 1990-1995

Opinione

Dromca kujtimesh nga Lëvizja për Pajtim të Gjaqeve në Kosovë 1990-1995

Nga: Zymer Mehani Më: 5 janar 2021 Në ora: 08:31
Prof. Anton Çetta dhe Prof. Dr. Sadri Rexhepi, IAP, Prishtinë, 17.05.1992

Lëvizja për Pajtim të Gjaqeve në Kosovë, në fillimvitet ’90 të shekullit të kaluar, është një nga periudhat me rëndësi e historisë sonë të re, ngase asokohe Kosova po ngulfatej nga një okupim tejet i egër serb, përderisa në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë pamëshirshëm po përgjakeshin popujt joserbë (kroatët e myslimanët) nga makineria vrastare e armatës serbosllave e satrapit Milosheviq, që po tentonin për t’i shtypur edhe shqiptarët e Kosovës.

Ngjarjet, personalitetet dhe figurat e mëdha historike të periudhës së viteve ’90, siç ishte Pajtimi i Gjaqeve, në krye me plakun e urtë Prof. Anton Çetta dhe me një vargan të tërë pajtimtarësh, minatorët e minierave të Trepçës, nxënës e studentë, intelektualë e bujq, profesorë e punëtorë krahu, gra e burra, djem e vajza etj. etj. janë vlera jonë kombëtare që shkëlqejnë e shndrisin prore në faqet e historisë së kombit shqiptar.

Figurë bosht i kësaj lëvizjeje kombëtare, sa humane, po aq edhe atdhetare ishte prof. Anton Çetta, i cili për interes të kombit po i shkrinte edhe vitet e tij të pleqërisë duke mëkuar një plagë tejet të rëndë në shtat të kombit, siç ishte gjakmarrja. Ai ishte personalitet përmasash kolosale, ashtu si Prometheu i Antikës, punëtor i devotshëm, roje vigjilente dhe ndërgjegje përherë e zgjuar për komb dhe atdhe. Ai ishte profesor i palodhshëm, vizionar e atdhetar, që atdhedashurinë nuk e kishte vetëm në zemër, por edhe në gjak e në vena; vizionar i pajisur me njohuri të gjithanshme, urtak e humanist, i guximshëm e qëndrestar, që kurrë nuk thoshte “e bëra unë”, por përherë thoshte “ e bëmë bashkë”.

Ndër shumë intelektualë që pa farë hezitimi iu bashkua marshimit të varganit të pajtimtarëve, duke filluar nga 2 shkurti 1989, në krye me minatorët heronj të Trepçës, pastaj me Hoxhë Idriz Kosova e shumë të tjerë, shquhet edhe Prof. Dr. Sadri Rexhepi, i cili mori pjesë rregullisht në këtë aksion, madje si bashkëpunëtor i ngushtë i prof. Anton Çetta dhe si përfaqësues i Llapit në Këshillin Qëndror të Lëvizjes për Pajtim. (Më gjerësisht për aktivitetin e Prof. Dr. Sadri Rexhepi, shih librin e Prof. Dr. Muhamet Pirrakut “Lëvizja Gjithpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992”, Prishtinë, 1998)

Po e theksojmë se Prof. dr. Sadri Rexhepi e kujton me nostalgji, pse jo ndihet edhe krenar, kur në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 17 maj 1992, në shenjë respekti e mirënjohjeje për angazhimin e tij në Lëvizjen për Pajtim, pranon nga prof. Anton Çetta një komplet librash, që për të kanë vlerë tejet të çmueshme.

Në bisedën që patëm me Prof. Dr. Sadri Rexhepi në Podujevë, më 4 janar 2021, ky mik i nderuar na tha se nga prof. Anton Çetta ruan me fanatizëm dy sekrete, me të cilat, siç u shpreh ai “do të shkoj në varr”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat