Ajo që ndodhi në Mitrovicë është pasojë e mos formimit të shtetit dhe përgjegjësi e bartësve të pushtetit që nga pavarësia

Opinione

Ajo që ndodhi në Mitrovicë është pasojë e mos formimit të shtetit dhe përgjegjësi e bartësve të pushtetit që nga pavarësia

Nga: Luz Tomaj Më: 31 janar 2021 Në ora: 17:53
Luz Tomaj

Korrigjimi i lëshimeve, gabimeve dhe dobësive, të së kaluarës, është proces tejet i ndërlikuar, i cili kërkon vendosmëri, angazhim, dinjitet dhe, veçanërisht profesionalizëm. Mbaj bindjen se, shtresa politike ose pushtetare, në asnjë moment, nuk e kuptoi se, pas shpalljes së pavarësisë, procesi i formimit të shtetit nuk u përmbush.

Normat juridike ndërkombëtare, definicionin e shtetit e mbështesin në integritetin territorial dhe sovranitetin. Me fjalë tjera, shteti, në radhë të parë, është organizatë shoqërore e cila shtrihet në territor të caktuar, e ka pushtetin dhe, popullata sillet sipas normave dhe rregullave që i përcakton pushteti shtetëror. Mjerisht, që nga shpallja e pavarësisë, në shtetin tonë, nuk u përmbush definicioni i shtetit.

Gjatë ditës së djeshme, ndodhi që, në pjesën veriore të Mitrovicës, serbët, e penguan aktivitetin e U.D. së Presidentes së shtetit dhe liderit të LVV. Personalisht nuk u befasova. Në anën tjetër, u befasova me reagimin e zyrtarëve të PDK. Në një anë, zëdhënësi i PDK-së klithi se dy zyrtarët - Vjosa dhe Albini, e turpëruan shtetin. Në anën tjetër, U.D. së kryetarit të PDK-së ngurron se Kosova është e fortë kur PDK është e fortë. Vaj me det!

Në anën tjetër, Rakiqi, zv.Kryeministër a çka është, deklaron, asgjë më pak se, serbët treguan se e kujt është dhe kujt i përket ajo hapësirë!

Ju PDK, gjithashtu edhe LDK, me koalicione të ndryshme, e mbani pushtetin vazhdimisht, për 13 vite. Nëse dikush duhet të turpërohet, atëherë askush tjetër pos, bartësit e pushtetit të turpërohen. Deri kur do i lëshoni kripë syve të popullit?!

Veriu, vetëm formalisht, është pjesë e Kosovës! Gjatë tërë kohës, pushteti nuk tregoi as kureshtje, as vullnet, as njohuri... për shtrirjen e sovranitetit edhe në Veri. Prandaj, siç deklaroi Rakiqi, serbët e konsiderojnë atë hapësirë të tyre, hapësirë, e cila, në asnjë mënyrë, nuk e respekton Kushtetutën dhe shtetin e Kosovës. Pushteti, në vend që të përpiqet të gjejë zgjidhje për shtrirjen e sovranitetit, si pula pa krye hyn në dialog me Serbinë, për çështje të veriut. Serbët e veriut janë të gjallë, nuk janë të rrezikuar e në anën tjetër, Serbia bëri krime gjenocidiale në dëm të shqiptarëve. Hynë në dialog me Serbinë, e cila nuk të njeh, e cila pretendon me të zhdukë.

A ka gjasa more që pushtet bartësit e Kosovës të mbushen mend, të kuptojnë vërtetë se çka është shteti, kujt i përket, se shteti meriton kultivim në mënyrë permanente. Temë e gjatë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat