Gebelsi i Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç, në ankth për gjenocidin serb në Kosovë!

Opinione

Gebelsi i Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç, në ankth për gjenocidin serb në Kosovë!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 6 maj 2021 Në ora: 18:18
Aleksandër Vuçiç

Aleksandër Vuçiç, edhe pse e di që Shqipëria e Edi Ramës nuk do ta padisë Serbinë për krime dhe gjenocid në Kosovë, është marrë para dy ditësh me këtë temë. Sipas tij, Kosova nuk mund të bëjë padi juridike, por kjo mund të ndodhë përmes një shteti tjetër, saktësisht Shqipërisë. Dhe shkon më tej në formulën e presionit, kur shprehet se kjo "do të ishte fillim i bashkimit" midis Kosovës dhe Shqipërisë. Më tej presidenti serb lutet: "Vetëm i lus që mos ta bëjnë këtë dhe asgjë tjetër nuk dua të them"! Por nuk ndalet këtu, pasi sipas tij, edhe nëse Serbia paditet për krimet serbe në Kosovë, betejën do ta fitonte Beogradi.

Një padi e Kosovës kundër krimeve kundër njerëzimit që Serbia e Milosheviçit dhe e Vuçiçit ka bërë kundër shqiptarëve ka qenë gjithmonë pjesë e diskutimeve të brendshme në Serbi dhe me partnerët e saj ndërkombëtarë. Madje kjo temë është elaboruar vazhdimisht në konferenca shkencore apo mediale, në takimet bilaterale midis kreut të shtetit serb dhe atij të Kosovës e kryeministrit të Shqipërisë, si dhe me ekspertë dhe diplomatë të ndryshëm.

Deri sa u bënë ndryshimet në Kosovë askush në Serbi nuk foli publikisht për këtë çështje, edhe pse në bisedime të mbyllura kjo temë ishte gjithnjë prezent. Por nuk ndenjën pa folur shqiptaro folësit. Një prej tyre, Baton Haxhiu, më 27 prill të 2020-ës në Presingun e Buzhalës kërkoi që Kosova të falë krimet serbe në këtë vend. "Nuk ka çka kërkohet tash pas 20 vjetësh" - tha Batoni atë mbrëmje, ndërkohë që kolegët e tij shprehën habi me këtë kërkesë të tij. Kësisoj mësojmë se atë që Presidenti i Serbisë e shprehu pas një viti, Baton Haxhiu e kishte artikuluar në ndihmë të tij që para një viti!

Nëse Aleksandër Vuçiç foli për herë të parë rreth kësaj tema publikisht, kjo lidhet nga frika e tij se lidershipi i ri në Kosovë do të përpiqet seriozisht që temën e gjenocidit serb në këtë vend ta aktualizojë dhe iniciojë për t'u bërë çështje e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si dhe e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Politikanët dhe diplomatët e Serbisë e dinë se pasi të kalojë në këto gjykata krimet serbe do të dënohen nga shtete demokratike të botës. Ajo që ndodhi kohët e fundit në SHBA, kur presidenti Trump njohu "gjenocidin osman"  të vitit 1914 kundër armenëve e ka trembur shumë Beogradin. Ndonëse Vuçiç thotë se "do ta fitojë" Serbia këtë betejë, në fakt ai druhet shumë se vendit e politikës së tij do t’i përsëritet bumerangu i 22 korrikut 2010.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë përmend se mund të jetë Shqipëria ajo që do ta dërgonte një padi të tillë në Hagë. E vërteta është se Beogradi e di që nuk është Shqipëria e gatshme ta bëjë një gjë të tillë. Qeveria Rama as nuk e ka guximin dhe as vullnetin politik që të denoncojë aleaten e vet, qeverinë e Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Vuçiç druhet se një padi si kjo mund ta bënte në emër të Kosovës ndonjë vend tjetër ballkanik. Frika më e madhe adresohet te Kroacia, lidhjet e së cilës me Kosovën janë shumë specifike edhe për shkak të mbi 2000 luftëtarëve shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën e kroatëve për pavarësi.

Kjo është arsyeja pse udhëheqësit e Serbisë, sidomos Ivica Daçiç, kanë folur dhe flasin vazhdimisht për një lloj "konspiracioni" midis shqiptarëve dhe kroatëve. Edhe parullat në stadiumet serbe "T'i vrasim kroatët, që t'i lëmë shqiptarët pa vëlla", nuk janë të rastësishme. Ato synojnë të ushtrojnë një lloj presioni ndaj Zagrebit, se mos guxon dhe bëhet interpret i të drejtës së shqiptarëve për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë. Ndërkaq Shqipëria nuk po guxon as të hartojë një rezolutë parlamentare që ta njohë gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Jo më të dërgojë dosjen në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë.

Dalja në sipërfaqe dhe riaktualizimi i këtij debati në nivele të larta të shtetit serb në fakt ka një prapavijë tjetër gjithashtu. Të bëjë presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe sidomos ndaj qeverisë dhe presidentes së Kosovës, me qëllim që të fitohet prevalancë sa më e madhe në bisedimet Kosovë-Serbi. Krimet dhe gjenocidi serb në Kosovë janë pengesa kryesore e realizimit të kërkesave të Beogradit në tavolinën e bisedimeve. Me sulmin në fjalë presidenti serb kërkon që të zbutë qëndrimet e Prishtinës ndaj kësaj drame historike që ka ndodhur për shkak të politikave shoviniste, raciste dhe nacional-socialiste të Milosheviçit dhe ministrit të tij të informacionit, Vuçiç.

Ndërkaq qeveria dhe institucionet e Kosovës është e domosdoshme të punojnë shumë për ta pasuruar dosjen e gjenocidit serb kundër shqiptarëve, duke përfshirë në të gjitha faktet e të dhënat përkatëse, me emrat e të gjithë të masakruarve, përfshirë fëmijët, gratë e pleqtë. Duhen regjistruar të gjitha gratë dhe vajzat e përdhunuara, objektet e kulturës shqiptare dhe të kultit mysliman e katolik të shkatërruara. Banesat e djegura. Duhen përshkruar me dëshmi të gjitha rastet e masakrave dhe terrorit serb në Kosovë. Duhen gjetur foto, video, skica, harta e gjithçka tjetër që i dëshmon këto krime. Edhe për varret masive në Serbi për ku janë transportuar viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Duhen shënuar dramat e shpërnguljes dhe përshkruar mënyrat e presionit për shpërngulje. Duhen përmendur emër për emër pjesëtarët e forcave të ushtrisë dhe policisë serbe pjesëmarrëse në këto akte kriminale. Duhen evidentuar të gjitha memorandumet, projektet, fjalimet, deklaratat, përfshirë edhe ato të Aleksandër Vuçiç, të cilat kanë nxitur dhunën e terrorin në Kosovë.

Vetëm me krijimin e një dosjeje me qindra mijë faqe do të bëjë të mundur që edhe gjyqtari më pak i impresionuar nga ngjarje të tilla të mos lëkundet në marrjen e vendimit për ta konsideruar terrorin serb në Kosovë si gjenocid. Derisa Beogradi nuk dëshiron të bashkëpunojë dhe ta pranojë Republikën e Kosovës, atëherë duhet me çdo kusht që kjo t'i imponohet atij me një padi për gjenocid kundër shqiptarëve. Kjo do të çonte automatikisht në njohjen e shtetësisë së Kosovës e njëkohësisht do ta detyronte qeverinë serbe të paguante dëmet e shkaktuara një për një për çdo vrasje, për dëbimet, për shkatërrimet dhe për çdo përdhunim që ka bërë në Kosovë. Prova se është shteti serb fajtor i kësaj tragjedie njerëzore është gjithashtu provë e fajësimit të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat