Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut gurthemel dhe bazament i shtetësisë së Kosovës

Opinione

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut gurthemel dhe bazament i shtetësisë së Kosovës

Nga: Sadri Rexhepi Më: 3 korrik 2021 Në ora: 22:06
Sadri Rexhepi

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e vitit 1990 ishte një ngjarje e madhe historike për popullin e Kosovës, e cila ngjarje tashmë ka hyrë në analet e historisë. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut u bë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili ishte legjitim dhe i plotfuqishëm me ligjet në fuqi të asaj kohe, përkatësisht të ish Jugosllavisë. Kosova ishe njësi federale e barabart siç ishte edhe Krahina Socialiste Autonome e Vojvodinës dhe 6 republikat e ish Jugosllavisë.

Populli i Kosovës, i gjetur menjëherë pas suprimimit të Kushtetutës së vitit 1974 më 23 mars të vitit 1989, e kjo don të thotë pas ripushtimit të katërt të Kosovës nga regjimi i pushtetit serbosllav, nën udhëheqjen e satrapit Sllobodan Millosheviq. Kjo u bë nën trysninë tepër të madhe të forcave policore e ushtarake dhe gjendjes së jashtëzakonshme të një shtetërrethimimi të hekurt dhe më mizori në kohën e filleve demokratke në Evropë. Tani pas suprimimit të autonomisë së vitit 1974, regjimi i pushtetit serb që ishte vendosur pas 23 marsit të vitit 1989, filloi diferencimin nëpër shkollat e Kosovës për të gjithë ata që kishin diskutuar dhe kundërshtuar ndryshimet kushtetuese në tubimet e nëntorit të vitit 1988 që ishin organizuar nga organet legjitime të Kosovës së asaj kohe. Disa prej nesh që nuk u penduan menjëherë u diferencuan e pastaj u suspenduan dhe iu ndalua hyrja në objektet shkollore. Ngase dhjetë veta nuk kishin votuar për ndryshimet kushtetuese të Kushtetutës së vitit 1974 është arsyeja pse u ndërruan delegatët e Kuvedit të Kosovës. Ndërkaq, më 14 dhjetor të vitit 1989 filloi shkatrrimi i Jugosllavisë AVNOJ-iste, pasi që anëtarët e delagacionit slloven dhe kroat pas shumë mosmarrveshjeve me deputetët serbë, u larguan nga Kuvendi Jugosllav.

Populli i Kosovës, i gjetur menjëherë pas shkatrrimit të Jugosllavisë jaltiste, avnojiste, titiste, pra, pas 14 dhjetorit të vitit 1989 kur delegacioni i Kroacisë dhe Sllovenisë u larguan nga Kuvendi Jugosllav, Kosova, siç u tha më lart, gjendej në një shtetrrethim nga ripushtimi serbo-jugosllav pas ripushtimit të katërt të Kosovës më 23 mars të vitit 1989. Mirëpo, populli shqiptar nuk u pajtua me atë gjendje, andaj sikur edhe në historitë e mëhershme ai e vazhdoi rrugën e çlirimit. Mirëpo, ajo rrugë e çlirimit nga sundimi i ri serbo-jugosllav nuk ishte e lehtë, sepse me të mbaruar funksionimi normal i ish federatës jugosllave, nisi lufta e sllovenëve, kroatëve e boshnjakëve për fomimin e shteteve nacionale. Ishte një periudhë e pa kohë, për ne shqiptarët në të cilën periudhë Jugosllavia, përkatësisht Serbia, e thelluan sundimin mbi popullin e Kosovës dhe përgjithësisht mbi popullin shqiptar i ndarë nga trungu shqiptar. Në ato rrethana, vetëdija kombëtare e shqiptarëve për çlirim ishte e madhe dhe veçmas pas agimit të erërave demokratike të Evropës të viteve të nëntëdhjeta që fryenin edhe në Kosovë, Po thuaj në të gjitha qytetet e Kosovës shqiptarët dilnin në protesta për t’i bërë sfidë agimit të pushtetërisë së demokracisë në lindje, erërat e së cilës kishin nisur të fryenin edhe në Kosovë për t’i shkrirë akullnajat në zemrat e ngrira e të përvuajtura, por të mëdha, sepse kishin përjetuar lloj lloj dhune, masakre e gjenocidi. Në ato rrethana tepër të rënda, veçmas për shqiptarët e Kosovës, pos disa partive të vogla, themelohet Lidhja Demokratike e Kosovës, e formuar më 23 dhjetor të vitit 1989 në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, i cili pas këshillimit me senatorë dhe kongresmenë amerikanë para faktorit ndërkombëtar, rrrugën e çlirimit dhe lirinë e Kosovës i parashihte përmes rrugës paqësore. Ai nuk e pranoi ofertën e kroatëve për të hyrë në luftë së bashku kundër serbëve, që nga rrjedhat e mëvonshme doli se kishte pasur të drejt. Këtë e vërteton edhe dialogu i Shuvarit me Tugjmanin, ku Shuvari në mes tjerash i thotë Tugjmanit “unë bëra përpjekje ta ndezi luftën në mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Pra, populli i Kosovës, pavarësisht rrethanave shumë të pavolitshme për ta, asnjëherë nuk u gjunjëzua nga terrori politik, ushtarak, policor dhe ideologjik i shtetit jugosllav, përkatësisht i Serbisë nga viti 1912 e deri në fitorën përfundimtare në vitin 1999. Mbi këtë qëndrim heroik, do të thoshim, të pamposhtur të popullit tonë, betejë pas beteje të udhëhequra nga liridashësit shqiptarë u ngritën themelet, jo vetëm të rezistencës sonë kombëtare, por edhe të kundërshtimit të rreptë kundër atij pushtimi serbosllav. Të gjitha ato veprimtari, i gjithë ai aktivitet i rezistencës shqiptare, i prirë nga lëvizjet ilegale për çlirimin e shqiptarëve i dha shpirt, i dha zemër, i dha fuqi rezistencës sonë kombëtare mbi dymijë vjeçare, e cila me zhvillimet e viteve të 90-ta e fuqizoi epopenë e lavdishme të rezistencës sonë kombëtare ndaj ripushtimit serbo-jugosllav. Rol të madh në këtë drejtim ka luajtur edhe mërgata shqiptare në Evropë dhe në SHBA, të cilët nuk kursyen asgjë, madje as jetën për çlirimin e Kosovës. Rol të rëndësishem në rrugën e 2 korrikut ka dhënë edhe Lëvizja gjithëpopullore shqiptare për faljen e gjaqeve 1990-1992, Akademia e Shkencave dbe e Arteve e Kosovës (ASHAK), e kishte nxjerr Deklaratën Kushtetuese më 16 qershor të vitit 1990.

Gjithnjë, në këtë pikë dhe në mbështetje të delagatëve të Kuvendit të Kosovës, Shoqata e Historianëve të Kosovës, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Fehmi Pushkollit, kishte organizuar një tribunë me titull “Kosova para dhe pas vitit 1945”, mbajtur më 25 dhe 26 qershor të vitit 1990, ku mernin pjesë studiues të historisë dhe shkencave juridike. Aty merrnin pjesë edhe një pjesë e stafit të ashtuquajtur të Luftës Nacional Çlirimtare (LNÇ) të prirë nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Shaban Kajtazi, Veli Deva, Ymer Pula, Iljaz Kurteshi, Sami Peja, Selim Obranqa, etj. Në atë Tribunë ka pasur shumë diskutime të ashpra kontradiktore dhe shumë mospajtime në mes të udhëheqësve të ish Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës dhe pjesëmarrsve e studiuesve të shkollës së re historiografike të Kosovës. Autori i këtyre rreshtave u shtroi disa pyetje përfaqsuesve të stafit të ashtuquajtur LANÇ, të cilët sunduan me Kosovën për gati gjysëm shekulli, se si është e mundshme që ju të mos keni ditur për Masakrën e Tivarit, varrin më të madh të shqiptarëve, e as për vrasjen e 72 mijë shqiptarëve për katër vite në Kosovë, dhe si është e mundshme që për Kalvarin e shqiptarësisë së Kosovës ju mos të keni dëgjuaur fare?!. Kjo nuk është për t’u besuar. Në fund, pjesëmarrësit e Tribunës caktuan një grup që të hartojë një dokument me disa kërkesa të qarta në mbështetje të Deklaratës Kushtetuese dhe delegatëve të Kuvendit që duhej të përfaqësonin vullnetin politik të popullit të Kosovës. Në hartimin e këtij dokumenti u caktuan Prof.Dr. Fehmi Pushkolli, Prof.Dr. Muhamet Pirraku, Prof.Dr. Esat Stavileci, Prof.Dr. Hakif Bajrami dhe Prof.Dr. Tahir Abdyli. Grupi i caktuar nga pjesëmarrsit e Tribunës kishin nxjerr një dokument ku kishin shtruar disa kërkesa:

“Kosovës dhe popullit të saj t’i njihet subjektiviteti i barabartë me popujt dhe pjesët e tjera konstituive në Federatën-Konfederatën Jugosllave.

2 . Kosovës t’i njihet sovraniteti i plotë ekonomik, politik dhe i pushtetit në Federatën- Konfederatën Jugosllave.

3. Pozita e re e Kosovës në Federatë- Konfederatë Jugosllave të përcaktohet në Kushtetutën e re të Kosovës, në bazë të vullnetit të popullit, të artikuluar në Deklaratën për pozitën e re kushtetuese të Kosovës të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

4. E konsiderojmë të papranueshëm propozimin e Kuvendit të Serbisë për nxjerrjen e Kushtetutës së re të Republikës, vecanërisht procedurën kundërkushtetuese të përgatitjes së saj.

5. Kërkojmë prej delegatëve të Kuvendit të KSA të Kosovës të qëndrojnë këmbëngulës në realizimin e kërkesave gjithëpopullore, veçanërisht për nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës, e cila do të përcaktojë pozitën e re të Kosovës në Federatën-Konfederatën Jugosllave.

6. Porosisim popullin shqiptar të qëndrojë i qetë, i matur dhe dinjitoz dhe të mos pranojë provokimet e mundshme apo ndonjë incident që të shërbenin si shkas për represalje të reja ndaj tij.’’

Hartimi i këtij dokumenti për kohën kur u hartua ishte shumë i rëndësishëm, sepse qartësonte rrugën kah duhet të ecë çështja kombëtare dhe obligimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj popullit dhe ardhmërisë kombëtare shqiptare.

Më 2 korrik të vitit 1990 ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte rrethuar nga forca të shumta të milicisë serbo-sllave, për të bërë të pamundur hyrjen e 114 deputetëve shqiptarë, të cilët do ta shpallnin Deklaratën Kushtetuese. Afër deputetëve qëndronte një masë e madhe njerëzish gjithnjë në përkrahje të deputetëve, madje edhe me jetë, aty ishin edhe mjetet e informimit dhe shumë përfaqsues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Pranë masës dhe deputetëve shqiptarë ishte edhe misionarja evropiane per liri dhe të drejta të njeriut, Eva Brendlli, e cila edhe pse ishte e verbër kishte ardhur për të përcjellur zhvillimet politike në Kosovë dhe aprovimin e Deklaratës Kushtetuese në Kuvedin e Kosovës. Brendllin e ruante qeni i saj i bukur dhe besnik. Përkrahësja jonë e nderuara, Eva Brendlli, si dikur e shenjta, Mis Edit Durham, përcillej vazhdimisht nga një Zhana D’ Ark shqiptare apo më mirë të themi Luljeta Pula Beqiri. Isha afër kur u arrestua Brendlli nga milicia gjakatare e regjimit pushtues serbosllav e Zhana shqiptare shkëlqeu kur nuk e la të vetmuar, por e shoqëroi edhe në stacionin policor, Eva Brendllin.

Pa dyshim, një frymëzim i madh, një përkrahje të madhe morale dhe kombëtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës i dha edhe përkrahja nga Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për faljen e gjaqeve që tubonte rreth vetes deri në 500 mijë shqiptarë, mbështetja e vendosur që i erdhi nga ASHAK-u që hartuan-përpiluan Deklaratën Kushtetuese të Kosovës më 16 qershor të vitit 1990, kërkesat e Tribunës shkencore të Institutit të Historisë së Kosovës, mbajtur më 25 dhe 26 qershor 1990, që aso kohe shprehnin vullnetin e botës shqiptare kudo që jetonin.

Prandaj, shikuar nga distanca kohore historike, 31 vjet më pas, mund të themi se një ndër arritjet më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me 2 korrikun e vitit 1990 ishte arritja e shkallës së re të ndërgjegjësimit tonë kombëtar në luftën tonë të pamposhtur në rrugën drejt çlirimit përfundimtar. Kjo Deklarataë Kushtetuese I ka hapur rrugë edhe proceseve tjera juridike që rrjedhin drejt shpalljes së Kushtetutës së 7 Shtatorit në Kaqanik për Republikën e Kosovës. Gjithashtu, kjo Deklararatë ka ndikuar dhe ka shtyrë të gjitha proceset demokratike dhe juridike drejt shtetësisë së Kosovës dhe formimin e insitucioneve shtetërore të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat