Serbia në kohë lufte aktivizon – paramilitarët; në kohë paqe – kontrabandistët

Opinione

Serbia në kohë lufte aktivizon – paramilitarët; në kohë paqe – kontrabandistët

Prof. Dr. Zija Lleshi Nga Prof. Dr. Zija Lleshi Më 22 tetor 2021 Në ora: 16:56
Pamje nga veriu i Kosovës

Vetëm zëri i Borellit dhe Lajçakut u treguan kundër aksionit të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Lidhur me aksionin e Policisë Kosovës kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të Mitrovicës javët e shkuara, janë veçuar nga BE me vlerësimet e tyre Borelli dhe Lajçak. Kështu Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, doli me deklaratën: “Veprimet e njëanëshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE.” - të shkruar në Twitter. Këtë postim të Borrellit në Twitter e ka përkrahur dhe në rolin e transmisionit e ka shpërndar pastaj edhe i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ajo deklaratë e spanjollit Borell (i jnjohur për antipavarësi të Katalonisë) lërë të kuptohet si favorizim ndaj Serbisë dhe si kritikë e tij ndaj operacionit të Policisë së shtetit të pavarur të Kosovës që ishte drejtuar kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar. Asnjë fjalë të vetme z. Borell nuk e thot për fenomenin e kontrabandës dhe krimit të organizuar, thua se ky fenomen që egziston lirëshëm që 22 vite, nuk e rrezikoeka fare stabilitetin, si dhe, sa dhe deri ku qenka ai fenomen i mbrojtur dhe i pranueshëm.

Kështu duke u bazuar në vlerësimet e Borellit dhe Lajçakut, si shtyllë kryesore dhe duke e marr atë si argument përforcues, para dy dite Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e dënoi aksionin e Policisë Kosovës kundër krimit të bandave kriminale multietnike që veprojnë lirshëm që 22 vite në veri të Mitrovicës, e të cilin Kosova duhet luftuar dhe eleminuar si kusht për viza dhe për hyrje në BE. Në Raportet e veta gjithmonë BE ka theksuar nevojën imediate të luftës kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Ndërkaq BE si organizëm dhe si tërësi në reagimin e vetë ditë më parë shprehu haptas qëndrim të kundërt me Borellin dhe Lajçakun, sikur që qëndrim të kundërt me këta dy ka pasë shprehur që në fillim Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian,Viola von Cramon, duke theksuar se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja, s’ka të bëjë me operacionet e Policisë. “Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter

Kështu Borrelli në deklaratën e tij, të cilën e përkrahu më pastaj edhe Rakiqi, mori përgjigje nga SHBA, NATO, Berlini, Londra dhe qendra tjera me rëndësi në Europë. BE dhe SHBA mbështesin veprimet e Kosovës për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në deklaratën e përbashkët para dy ditësh BE-ja dhe SHBA-ja shkruajn: “Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”.

Dihet se krimi nuk ka etni. Është e drejtë legjitime e shtetit Kosovës ta luftojë krimin në mesin e shqiptarëve apo të serbëve në pjesën veriore të komunës Mitrovicës, ashtu siç e ka luftuar më parë pa dallim në Pejë dhe Prishtinë ku është mirëpritur dhe ku nuk ka hasur në asnjë rrezistencë. Policia askë, as serb e as shqiptar, nuk e ka kërcnuar apo rrezikuar nëse e ka kontrolluar apotekën e pronarit shqiptar në pjesën veriore të komunës Mitrovicës. Edhe me këtë rast të kontrollimit të apotekës së pronarit shqiptar është dëshmuar se edhe Policia konsideron: krimi nuk ka etrni. Në aksionin e vetë policia nuk i ka sulmuar serbët, dhe as nuk i ka rrezikuar ata, por i ka mbrojtur nga kërcnimet që u bëhen atyre nga kontrabandistët.

Policia e Kosovës ka marr aksion për sundim të ligjit. Është detyrë e Policisë për t´a luftuar kontrabandën dhe mafijën si kategori antiligjore e kërcnuese dhe për t´i mbrojtur serbët nga kërcnimi dhe frikësimi i vazhdueshëm nga kontrbandistët që serbët në veri të Mitrovicës të mos integrohen në shoqërinë kosovare, edhepse qytetarët serbë vazhdojnë ta gëzojnë statusin e të privilegjuarëve, të drejta këto të garantuara me kushtetutë, e që janë më të mëdha se të çdo pakice etnike tjetër në Europë dhe botë.

Serbia e sotit (dikur Pashalluku i Beogradit) në strategjitnë e vetë, në kohë lufte instrument të vedin për realizimin e synimeve të veta okupuese – kolonizuese e gjenocidale ka pasë paramilitarët dhe parapolicinë. Në kohë paqeje Serbia krah të djathët, aleat dhe instrument të vedin për të realizuar synuimet e veta, qoftë ”Zajednicën”, qoftë ndërrime të kufijëve apo qoftë një Republika Serbe në Kosovë, si ajo Republika Serbe në Bosne, i ka kontrabandistët dhe krimin e organizuar dhe mafijën të politizuara të cilët mund të shantazhohen, manipulohen e instrumentalizohen dhe janë në dirigjim të plotë nga Beogradi. Kuptohet se Beogradi i shpërblen për atë bashkëpunim ashtu që u lejon atë lloj veprimtarie kriminale që kontrabandën ta bëjnë në mënyrë të lirë dhe pa frikë e pa pasoja dhe u garanton mbrojtje. Ata janë reparti luftënxitës me porosi (nga Beogradi); apo gjenerator i trazirave me porosi (nga Beogradi), dhe seksion i dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë. Në fakt ata janë vetë Serbia.

Këta kontrabandist si shtresë tejet e privilegjuar atje, bashkarisht me ”Srpska Lista”, të dyja këto të udhëhequr nga faktori i tretë, Beogradi, formojnë trekëndëshin në politikëbërjën për pakicën etnike serbe në Kosovë. Kështuqë në Qeverinë e Kosovës dhe institucione tjera në Kosovë vepron “Lista serbe” nën dirigjimin e Beogradit; jashtë institucioneve dhe në rrugë veprojnë kontrabandistët. Në këtë mënyrë mbulohet e tërë hapsira kohore, politike dhe vendore me njërëz të instrumentalizuar, të politizuar, të kontrolluar dhe të dirigjuar. Kjo politikë e Serbisë bëhet me qellim që të pengojë shtresën tjetër të nderëshme antimafijoze të pakicës etnike serbe të integrohet plotësisht në shoqëri në Kosovë, dhe që Kosova të përshkruhet si shtet jo funksional.

Nga deklarata e Ministrit Xhelal Sveçla u kuptua poashtu se Policia e Kosovës as që ka vepruar në mënyrë të izoluar e “të njëanëshme” – siç thot me tendencë z. Borell, por për aksionin e saj Qeveria e Kosovës e ka njoftuar më parë njërin shtet të Kuintit, e nëpërmjet tij sigurisht është njoftuar i tërë Kuinti. Sipas Ministrit Xhelel Sveça në operacionin në veri të Mitrovicës u plagosën gjashtë policë. U plagos nga arma e zjarrit edhe një serb, që është për keqardhje shumë të madhe. Policia nuk ka përdorur armët, por mbrojtësit e krimit kanë gjuajtur dhe përdorur edhe armët e zjarrit kundër policisë në veri. Dëshmi janë gjurmët e predhave nëpër automjetet e policisë – deklaroi Policia.

Të përzgjedhurit e BE si përfaqësues të saj, z. Borell dhe z. Lajçak u takojnë atyre dy (2) shteteve në mesin e pesë (5) shteteve të BE të cilat nuk e kanë pranuar shtetin e pavarur të Kosovës (BE ka 27 shtete). Një metodologji e përzgjedhjës së këtillë e redukon deri në minimum rastësinë. Ata pa dëshirën e e tyre janë gjetur në mesin e interesave të kundërta, të shteteve të tyre amë dhe në anën tjetër të interesit të shumicës të shteteve të BE – së. Ata janë gjetur në një sfide të moralit të dyfishët. Qellimisht nga ana e BE? Apo rastësi? Një përcaktim dhe përzgjedhje e tillë e BE lidhur me fatin e Kosovës në rrugën për plotësimin e kushteve për antarësim e Kosovës në BE, duke u përqëndruar eksluzivisht vetëm në atë kombinim të përzgjedhjës, përkundër mundësive shumë të mëdha tjera të padiskutueshme, qoftë edhe atëherë kur nuk bëhet me qellim dashakeqeje nga BE, objektivisht paraqet një rrezikshëmëri të madhe të plotësimit të atyre kushteve të kërkuara nga BE, dhe që ka shumë ngjajshmëri me lojën e fatit të quajtur “Rulleta ruse”.

BE e cila vetë deklarohet se shteti i Kosovës dhe shteti i Serbisë i takojnë asaj, si dhe duhen të bëhen antare sapo t´i plotësojnë kushtet, duhet të jetë shembull si ndërmjetësuese në mes shtetit Kosovës dhe shtetit të Serbisë, që marrëdhënjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të normalizohen dhe të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe sa më objektive në të gjitha format, duke përzgjedhur edhe përfaqësuesit e saj, si dhe të kontribojë efektivisht sa më shumë në drejtim të zhdukjës së kontrabandës dhe krimit të organizuar në Kosovë, të cilën e kërkon edhe vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat