“Një zhvillim me pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në krejt Ballkanin Perëndimor dhe një pyetje e madhe shqetësuese për Tiranën zyrtare”

Opinione

“Një zhvillim me pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në krejt Ballkanin Perëndimor dhe një pyetje e madhe shqetësuese për Tiranën zyrtare”

Nga: Shaban Murati Më: 27 tetor 2021 Në ora: 08:08
Shaban Murati

Serbia po ecën hap pas hapi drejt aneksimit të një pjese të territorit të shtetit të Bosnje-Hercegovinës me emrin “serpska republika”. Në datën 25 tetor kryetari i parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç, pas takimit që zhvilloi në qytetin Banja Luka me kreun e separatizmit serboboshnjak, Milorad Dodik, bëri deklaratën e bujshme se “Nuk ka kufij midis Serbisë dhe entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, pavarësisht kufijve të njohur ndërkombëtarisht”.

Është një deklaratë politike në nivelet më të larta se Beogradi i konsideron të hequr e të shkrirë kufijtë midis Serbisë dhe të ashtuquajturës “serpska republika”. Kjo konfirmon politikën zyrtare serbe, që e konsideron “serpska repunblikën” pjesë të saj. Kryetari i parlamentit serb shpalli realitetin e mungesës së kufijve, pavarësisht kufijve të njohur ndërkombëtarisht të shtetit të Bosnje-Hercegovinës.

Është hera e parë që Beogradi afishon hapur se Serbia po shkallëzon procesin destruktiv të prishjes defacto të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, përderisa refuzon publikisht të pranojë ekzistencën e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të shtetit unik të Bosnje-Hercegovinës.

Kryetari i parlamentit serb njoftoi në 25 tetor se në muajin nëntor parlamenti i Serbisë dhe parlamenti i të ashtuquajturës “serpska republika” do të zhvillojnë sesion të përbashkët parlamentar. Deri tani qeveritë e ndryshme kanë njohur dhe zhvilluar praktikën e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të vendeve sovrane dhe të pavarua.

Serbia për herë të parë shpiku dhe zbatoi praktikën separatiste të mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Serbisë me qeverinë lokale të entitetit serb pra të një pjese të territorit të shtetit sovran të Bosnje-Hercegovinës. Serbia në mënyrë të paligjshme ka bërë mbledhje të përbashëta të panumurta me qeverinë e të ashtuquajturës “serpska republika”, dhe asnjëherë mbledhje të përbashkët me qeverinë qendrore të shtetit të Bosnje-Hercegovinës.

Tani Beogradi shpall mbledhjen e përbashkët të parlamentit të Serbisë me parlamentin separatist të entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë, akt që përbën një shkelje ndërkombëtare dhe një shkallë më agresive të bashkimit legjislativ dhe ekzekutiv të enklavës serbe të Bosnjes me Serbinë.
Serbia po i bën sfidë shtetit të Bosnje-Hercegovinës, Ballkanit dhe gjithë bashkësisë demokratike ndërkombëtare, sepse po dhunon statusin e pavarur të një shteti ballkanik.

Ajo po prish kufijtë e një pjese të territorit të një shteti të pavarur dhe sovran si Bosnje- Hercegovina, anëtare e OKB, e OSBE, e KE, etj. Ka kohë që Serbia po zbaton planin e saj të aneksimit defacto të të të ashtuquajturës “serpska republika”. Serbia i ka krijuar entitetit lokal serb atje statusin e një shteti të pavarur dhe të shkëputur nga autoriteti qendror i kryeqytetit Sarajevë. Madje ajo edhe po ndërton një bazë të madhe ushtarako-ajrore në territorin e “serpska republikës” pa pyetur dhe pa i marrë leje qeverisë qendrore të Bosnje-Hercegovinës.

Tani kryetari i parlamentit të Serbisë shpall mosekzistencën e kufijve midis Serbisë dhe “serpska republikës”, që praktikisht është bashkim defacto i tyre.

Është një zhvillim interesant dhe me pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në Bosnje-Hercegovinë dhe në krejt Ballkanin Perëndimor. Është interesant, sepse çeshtja e ndryshimit defacto apo dejure e kufijve midis shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia, është bërë një nga rrymat më të rrezikëshme ideologjike, politike dhe diplomatike në rajonin tonë qysh pas shembjes së federatës komuniste jugosllave.

Serbia, që humbi sundimin e federatës jugosllave, është përpjekur dhe po përpiqet vazhdimisht që ta rikrijojë atë federatë në forma dhe përmasa të ndryshme, por me territoret e shteteve të tjera ish-Jugosllave. Në këtë kuadër kemi daljen në skenë të platformës së re të qeverisë së Serbisë për krijimin e të ashtuquajturës “botë serbe”, e cila planifikon bashkimin në një shtet unik serb të të gjithë serbeve të rajonit, bashkë me territoret e shteteve të tjera, ku jetojnë serbë. Shkurt, është programi i krijimit të Serbisë së Madhe.

Në realizim të kësaj strategjie Serbia po vepron me hapa të shpejtë në drejtim të “serpska republikës” për ta bërë fakt të kryer aneksimin e saj, duke rritur dhe nxitur agresvitetin separatist të forcave politike dhe të institucioneve të kësaj të ashtuquajture republikë.

Vlen për të tërhequr vëmendjen se Serbia po shkrin dhe po heq kufijtë me një entitet lokal, që nuk ka asnjë tagër dhe asnjë të drejtë të negociojë apo të ndryshojë apo të lëvizë statusin e kufijve të shtetit të pavarur dhe unik të Bosnje-Hercegovinës. Vlen për t’u theksuar se Serbia nuk pyeti dhe nuk po pyet as OKB, as BE dhe as OSBE, për këtë heqje kufijsh midis Serbisë dhe “serpska republikës”.

Serbia nuk pyeti dhe as po pyet as qeverinë qendrore të Sarajevës për heqien e kufijve të një pjese të territorit të atij shteti midis Serbisë dhe “serpska republikës”, në një kohë që statusi i kufijve është tagër dhe mandat i qeverisë qendrore dhe i komunitetit ndërkombëtar, që i ka sanksionuar ato kufij me marrëveshjen ndërkombëtare të Dejtonit në dhjetor 1995.

Serbia nuk pyeti asnjë shtet të ish-federatës jugosllave dhe as të Ballkanit për këtë heqje kufijsh midis saj dhe “serpska republikës”. Serbia nuk denjoi as ta informonte Shqipërinë dhe jo më ta pyeste për këtë heqje apo ndryshim të kufijve midis saj dhe “serpska republikës”.

Ahere lind pyetja e madhe shqetësuese: Përse Tirana zyrtare ka kaq kohë që profeson në mbledhjet e përbashkëta midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës se për heqjen e kufijve midis dy shteteve tona sovrane u dashka marrë leje në Serbi? Përse Tirana zyrtare ka dalë me idiotizmin politik dhe diplomatik se Shqipëria dhe Kosova varen nga Serbia për statusin e kufijve midis dy shteteve shqiptare? Përse Tirana zyrtare ka dalë me idiotizmin tjetër diplomatik dhe politik që Shqipëria dhe Kosova do t’i heqin kufijtë midis tyre vetëm në projektin serb të “Ballkanit të hapur”?

Janë pyetje, që natyrshëm kërkojnë përgjigje nga zyrat qeveritare shqiptare, të cilat ende nuk kanë kuptur se çeshtja e kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës është ekskluzivisht çeshtje e sovranitetit dhe e marrëdhënieve dypalëshe midis dy shteteve sovrane dhe e askujt tjetër.

Serbia guxon dhe shkel normat dhe ligjet ndëkombëtare dhe dhunon statusin e një shteti sovran si Bosnje- Hercegovina, duke hequr kufijtë me një entitet lokal atje, duke ndryshuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Kurse Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura dhe kanë tagrin që të vendosin ata vetë të dy statusin e kufijve midis tyre, pa pyetur Serbinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Heqja e kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës është e drejtë kushtetuese, juridike, politike dhe kombëtare, në bazë të të gjitha normave dhe traktateve ndërkombëtare. Dy shtete sovrane mund të bashkohen ose mund të ndahen në kufijtë midis tyre pa pyetur asnjë shtet tjetër, sepse është status i kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk lidhet dhe nuk prek asnjë shtet tjetër dhe asnjë kufi tjetër në rajon.

Është rast analog me statusin e kufijve midis Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore, që u bashkuan si dy shtete të pavarura dhe të njohur ndërkombëtarisht, të cilët vendosën heqjen dhe shkrirjen e kufijve midis tyre, pa prekur aspak kufijtë e secilit prej tyre me shtetet e treta fqinjë.

Heqja e kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk shkakton asnjë reperkusion në statusin e kufijve të secilit shtet shqiptare veç e veç me fqinjët e tij të tjerë, sepse kufijtë me shtetet fqinjë nuk preken aspak dhe nuk kanë lidhje apo pasoja.

E vetmja, që nuk don afrimin progresiv dhe heqjen e kufijve midis Shqipërisë dhe Kosovës është Serbia, e cila ka pretendime koloniale ndaj Kosovës dhe e quan pjesë të territorit të saj dhe kufijtë e Kosovës i quan kufij serbë. Është e kuptueshme kjo ambicje për Serbinë, që nuk ka hequr ende dorë nga ëndrra për rigllabërimin e Kosovës, siç don të gllabërojë pjesë të territorit të Bosnje-Hercegovinës dhe krejt shtetin e pavarur të Malit të Zi.

Por është e papranushme që Tirana zyrtare sanksionon pretendimin aneksionist serb dhe ka bërë të sajën tezën koloniale serbe se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i marrin leje Serbisë për heqjen e kufijve midis tyre. Është për të vënë kujen që Tirana zyrtare ka bërë të sajën tezën tallëse serbe se Shqipëria dhe Kosova do të lejohen nga Beogradi që të bashkohen vetëm në projektin serb të “Ballkanit të hapur”, pra të bashkohen nën çatinë e një Jugosllavie të re të drejtuar nga Beogradi.

Logjika të çon te mendimi se ata udhëheqës shqiptare, që dalin me tezat serbe se duhet pyetur Serbia për integrimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, i përdorin tezat serbe si alibi e mungesës së plotë të vullnetit të tyre për heqjen e kufijve dhe për bashkimin e dy shteteve shqiptare.

Nuk është zgjedhur rastësisht dhe koha kur Serbia po shpall se ka hequr kufijtë midis saj dhe “serpska republikës”. Është koha kur udhëheqja fashiste e separatistëve serbë në Bosnje-Hercegovinë ka rritur ritmet e vrapit të shkëputjes së saj nga shteti unik dhe për bashkim me Serbinë. “Serpska republika” ka shpallur se do të krijojë ushtrinë saj serbe si dhe Këshillin e Lartë serb Gjyqësor dhe Prokuroral me qëllim që të sanksionojë ndarjen e plotë institucionale nga shteti i Bosnje-Hercegovinës.

Kryetari i parlamentit serb Daçiç deklaroi në Banja Luka në 25 tetor se “serpska republika” ka mbështetjen absolute të Serbisë”. Kjo afishohet në një kohë kur bota perëndimore dhe shtetet demokratike po shprehen çdo ditë të shqetësuar për rreziqet e mëdha që po krijon “serpska republika” në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon.

Në 21 tetor një grup anëtarësh të parlamentit europian i drejtuan një letër të përbashkët përfaqësuesit të lartë të BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell, dhe përfaqësuesit të posaçëm ndërkombëtar për Bosnje-Hercegovinën, Kristian Shmidt, në të cilën shprehin shqetësimin e tyre për tensionet e fundit në Bosnje-Hercegovinë lidhur me hapat konkrete të shkëputjes së “serpska republikës”, që po ndjek udhëheqja e saj separatiste: “ajo po rrezikon stabilitetin dhe paqen në gjithë Ballkanin Perëndimor me tensionet që mund të arrijnë në një konflikt të armatosur në rajonet e tjera dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Kryetari i Partisë së “Veprimit Demokratik” në Sarajevë, Bakir Izetbegoviç, paralajmëroi në 26 tetor “që “puna të mos arrijë deri në konflikt”.

Taktika kriminale e Serbisë është që të nxisë dhe të provokojë tensionet deri në pragun e një konflikti të armatosur me qëllim që të trembë faktorin ndërkombëtar dhe ta detyrojë atë të pranojë si të keqen më të vogël shkëputjen e “serpska republikës” dhe bashkimin e saj me Serbinë. Është e njejta taktikë kriminale, që Serbia po ndjek me Veriun e Kosovës, ku po provokon tensione me bandat e saj paramilitare me qëllim që të plasë konflikte të armatosura dhe ta shtyjë faktorin ndërkombëtar që të pranojë ndryshimin e kufijve dhe bashkimin e Veriut me Serbinë si e keqja më e vogël.

Janë zhvillime tepër të rrezikshme që kanë protagoniste Serbinë, e cila po zbaton një politikë çdo ditë e më agresive në Ballkanin Perëndimor me qëllim që të realizojë projektet e saj hegjemoniste të “botës serbe” të bashkimit të serbëve të rajonit në një shtet të madh unik serb ose në Serbinë e Madhe.

Arroganca serbe yshtet nga Rusia, e cila ka interesin strategjik të shkallëzimit të tensioneve në Ballkanin Perëndimor për penetrimi e influencës së saj. Ministria e Jashtme e Rusisë në datën 25 tetor lëshoi një komunikatë të posaçme, ku e merr në mbrojtje kursin separatist të “serpska republikës” dhe të Serbisë, duke sulmuar faktorin perëndimor dhe sovranitetin e shtetit të Bosnje-Hercegovinës si “demonizim i popullit serb”.

Janë zhvillime, që duhet të nxisin reagime nga qeveria e Shqipërisë për të dënuar aktorët e tensioneve në mes të Ballkanit. Janë zhvillime të rrezikshme, që duhet të nxisin ritme më të shpejtat të integrimit ndërshqiptar midis Shqipërisë dhe Kosovës, sepse heqja e kufijve dhe integrimi ndërshqiptar janë e drejtë ekskluzive e dy shteteve sovrane shqiptare./DITA/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat