Analizë e një qëndrimi të ri të habitshëm në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, e cila po flirton dhe po vlerëson luftënxitësit si “çelësa të stabilitetit ballkanik”

Opinione

Analizë e një qëndrimi të ri të habitshëm në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, e cila po flirton dhe po vlerëson luftënxitësit si “çelësa të stabilitetit ballkanik”

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 08:30
Shaban Murati

Diplomacia europiane dhe ndërkombëtare, siç e kam thënë në librat e mi, fillon lëviz kur plasin ujrat, por ka shumë rëndësi se në çfarë drejtimi lëviz.  Ka lindur një fenomeni i ri shqetësues, që lëvizjet tani po bëhen jo në kahun e duhur, dhe diplomacia ndërkombëtare po u jep çmime nderuese shteteve dhe forcave destruktive, që janë gjeneratorë të tensioneve lokale.

Kriza e re e pragkonfliktit e shkaktuar tani nga entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, që shpërtheu krahas pragkonfliktit që shkaktoi Serbia në kufirin me Kosovën muajin e kaluar, evidenton një qendrim të ri të habitshëm në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, e cila po flirton dhe po vlerëson luftënxitësit si “çelësa të stabilitetit ballkanik”.

Pragkonflikti në Bosnje-Hercegovinë arriti pikën më të keqe që nga mbarimi i luftës atje në vitin 1995. Ndërprerja e pjesëmarrjes së të ashtuquajturës “serpska republika” në institucionet qendrore të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, mosnjohja nga serbet e autoritetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Sarajevë ish-ministrit gjerman Kristian Shmidt, planifikimi i krijimit të një ushtrie separatiste, i një sistemi serb drejtësie dhe institucioni taksimi separatist serb, etj. e çuan situatën në pikën më të lartë të vlimit, sa që detyruan zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit Escobar të shkonte me shpejtësi në Sarajevë në datat 7-8 nëntor për dy ditë bisedime me krerët e tre komuniteteve etnike përbërëse të Bosnje-Hercegovinës për të ulur gjakrat.

Situata ishte kaq pranë luftës sa që Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Sarajevë, Kristian Shmidt, në 4 nëntor paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB me raportin e tij të posaçëm se Bosnje-Hercegovina po kalon rreziqe ekzistenciale, se kërcënimet e udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, janë të njëjta me seçesionin pa e shpallur atë, se kërcënimet e tij rrezikojnë paqen jo vetëm në vend, por edhe në rajon.

Në kulmin e këtij alarmi për rrezikun e një lufte të re etnike, ngrihet në 6 nëntor kryeministri hungarez Viktor Orban, i një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s, dhe bën një vizitë të posaçme pune në Banja Luka, kryeqendra e të ashtuquajturës “serpska republikës” dhe në mënyrën më skandaloze shpall se serbët e “serpska repubikës” luajnë rol kyç në procesin e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në Ballkan.

Dhe e deklaron këtë certifikim nderi pas bisedimeve me kreun e separatizmit serb Dodik, i cili ka marrë pishtarin e ndezjes së luftës etnike dhe të prishjes së shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Kemi një mbështetje publike diplomatike dhe politike të Budapestit për luftënxitësin e Banja Lukës, i cili i entusiazmuar nga përkrahja hungareze, deklaroi në 6 nëntor se “I jemi mirënjohës Hungarisë për mirëkuptimin që ka për “serpska republikën”.

Kjo lexohet si një mirëkuptim për separatizmin serb. Kryeministri i Hungarisë bën vizitë pune duke marrë edhe ministrin e jashtëm me vete në “serpska republika”, duke i dhënë entitetit serb statusin e shtetit, në një kohë që nuk shkon në kryeqytetin e vendit në Sarajevë dhe nuk takon anëtarët e presidencës boshnjak dhe kroat.

Kryeministri i Hungarisë i dorëzon “çelësin e stabilitetit të Ballkanit” fashistit Dodik dhe pjellës së gjenocidit me emrin “serpska republika”, të cilët po ecin përsëri drejt luftës etnike si në 1992. Para pak kohësh kryeministri i Hungarisë Orban gjatë vizitës zyrtare në Beograd shpalli se “Serbia është shteti kyç i Ballkanit Perëndimor. Asnjë shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk integrohet në BE nëse nuk hyn Serbia”.

Vështirë të gjesh se çfarë emri mund t‘i vesh kësaj diplomacie, e cila nderon me “çelësin e Ballkanit” luftënxitësit kryesorë të Ballkanit, që janë Serbia dhe “serpska republika”. Duket si një infeksion diplomatik dhe politik me origjinë ruse, që ka kapur disa shtete të BE ku udhëheqësit e tyre e kanë afishuar hapur filorusizmin e tyre brenda BE dhe në Ballkan.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur dëgjon që edhe një diplomate e një shteti të rëndësishëm të NATO-s në 28 tetor deklaron se “Serbia është shteti kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”. Një deklaratë e habitshme po të kesh parasysh se bëhet pasi Serbia dy herë brenda muajit tetor tentoi të provokonte konflikt të armatosur në kufirin verior të Kosovës.

Ka diçka thelbësore, që nuk shkon dhe nuk mund të pranohet, në këtë fenomen të ri në diplomacinë europiane apo ndërkombëtare, që nderojnë “me çelsa dhe kyçe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor” luftënxitësit si Serbia dhe “serpska republika”, të cilat po gjenerojnë tensionet e rrezikëshme në rajon.

Së pari, kjo dëshmon një konfuzion dhe dobësim gjenetik në diplomacinë e shteteve europiane, të cilat në vend që të dënojnë dhe të frenojnë Serbinë dhe “serpska republikën” si vatra dhe forca destruktive, shkojnë dhe i glorifikojnë si “çelsa stabiliteti”.

Së dyti, duke u dhënë rolin dhe vendin e “çelsit të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, inkurajohen Serbia dhe “serpska republika” në ambicjet dhe politikat e tyre luftënxitëse.

Së treti, duke klasifikuar Serbinë dhe “serpska republikën” në rolin e “çelsit ballkanik” automatikish krijohet një lloj hierarkie nënshtrimi e shteteve të tjera në Ballkanin Perëndimor, që duhet t’i binden “çelsit”.

Së katërti, fenomeni i shpalljes se primaritetit të Serbisë në Ballkan si “shtet kyç” dëshmon një dobësi strategjike dhe sigurie ndaj fuqive të mëdha antiatlantike dhe antiperëndimore, që sponsorizojnë Serbinë dhe forcat destruktive serbe në Ballkanin Perëndimor.

Në datën 8 nëntor profesori i politikologjisë në Universitetin e Sarajevës Lindore, Sërgjan Perishiç, i deklaronte agjencisë ruse “Regnum” lidhur me tensionet e fundit në vend se “serpska republika” në rradhë të parë ka mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës. Askush nuk ka dëgjuar nga Beogradi asnjë deklaratë të drejtpërdrejtë se udhëheqja e Serbisë nuk është dakord me politikën e Banja Lukës”.

Nuk mund të mos shtrohet pyetja se çfarë opinioni krijohet në Moskë për BE dhe për NATO-n kur në Ballkanin Perëndimor, që ka tre shtete anëtare të NATO-s, del ndonjë kryeministër, shtet anëtar apo ndonjë diplomaci atlantike, që deklaron se “Serbia është shteti kyç i sigurisë ballkanike” dhe jo NATO.

Ky fenomen i ri i në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare për të nderuar me “çertifikata mirënjohje për çelsa dhe kyçe stabiliteti” shtete dhe forca destruktive ballkanike, bie në kundërshtim me sistemin e vlerave, parimeve dhe traktateve themeluese të BE dhe të NATO-s.

Nga burime diplomatike mësohet se ky fenomen diplomatik në diplomacinë europiane ka lindur nga vlerësimi se duke nderuar me “kyçe dhe çelsa nderi të stabilitetit” shtete dhe forca destruktive në Ballkanin Perëndimor, ato shtete dhe forca destruktive do të bëhen më të prirur ndaj BE.

Është një iluzion optik apo diplomatik, që është përgënjeshtruar me qindra herë nga gjithë dinamika e zhvillimeve të pas luftrave në ish-Jugosllavi. As Serbia dhe as “serpska republika” nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara e përgjakshme e konflikteve në ish-Jugosllavi dhe po përpiqen ta rikthejnë atë të kaluar.

Baronesha britanike Arminka Heliç shkruante në 8 nëntor në “politicshome.com” për tensionet e reja në Bosnje-Hercegovinë: “Seçesionistët janë të mbështetur jo vetëm nga Serbia, por gjithashtu nga Rusia, dhe më në heshtje nga Kina. Moska e shikon si rast për të krijuar kaos në zemër të Europës. Seçesionistët duan të krijojnë një krizë si pretekst për shkëputje me qëllimin e bashkimit me Serbinë”.

Argumenti tjetër, që jepet për fenomenin e ri të vlerësimit për luftënxitësit në Ballkan, është se me këtë taktikë do të ndikohet që Serbia dhe “serpska republika” të largohen nga Rusia. Është një naivitet diplomatik, i përgënjeshtruar nga zhvillimet, madje ditët e fundit udhëheqësi fashist i “serpska republikës” Dodik deklaroi se nëse na sulmon NATO ne do të kërkojmë ndihmën e Rusisë.

Fenomeni i ri diplomatik i akordimit të dekoratave të “çelsit ballkanik” për Serbinë apo për “serpska republikën” përbën një sinjal tepër shqetësues për shtetet sovrane të Ballkanit Perëndimor dhe të të gjithë Ballkanit.

Është shqetësues, sepse inkurajon shtete agresive dhe militariste si Serbia që të intensifikojnë ambicjet e tyre të aneksimit të territoreve të shtete të tjera me devizën e “botës serbe” apo të Serbisë së Madhe. Është shqetësues, sepse u tregon shteteve të rajonit se modeli destruktiv i sjelljes rajonale merr përkrahje në diplomacinë europiane.

Konfuzioni dhe dizorientimi në diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare, ku në vend të dënimit të Serbisë dhe të “serpska republikës” shpallen “çelsa të stabilitetit ballkanik”, krijojnë kushte të favorshme për maskimin e forcave destruktive në rajon.

Tingëllon ironike dhe tallëse për shtetet dhe popujt e Ballkanit Perëndimor, që Serbia e cila po ngren erërat e luftës në Bosnje dhe në Kosovë, del dhe shpall se po bashkon Ballkanin Perëndimor për “zonën e përbashkët ekonomike” apo për integrimin ballkaniko-perëndimor. Presidenti serb Vuçiç psall për paqen dhe parajsën, që do të sjellë projekti i tij i “Ballkanit të hapur” në të njejtën kohë që nxit luftë në kufijtë e Kosovës dhe në Bosnje.

Serbia e përdor “Ballkanin e hapur” si mbulesë të ambicjes serbe për përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në hegjemoninë serbe. Pikërisht për këtë strategji e vlerëson politikën e Vuçiçit diplomati rus Mihail Plisjuk, i cili shkruan në 4 nëntor në “eadaily.ru” se “Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e bashkuar me ta, po krijojnë para syve tanë projektin integrues të “Ballkanit të hapur” dhe për presidentin Vuçiç kryesorja është që t’i sigurojë Serbisë praninë e nevojshme maksimale në Ballkan.

Kështu në mënyrë të sigurtë Serbia bëhet lider rajonal”. Diplomacia ruse është tepër entuziaste për projektin e Vuçiçit dhe e lavdëron atë se që nga koha e Titos ai realizoi përsëri rëndësinë e Serbisë në arenën ndërkombëtare.

Strategjikisht Rusisë i intereson roli qendror, drejtues dhe hegjemon i Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Por çfarë mund t’i interesojë BE-së apo NATO-s roli qendror, drejtues dhe hegjemon i Serbisë filoruse dhe antiatlantike në Ballkanin Perëndimor.
Si nuk arrijnë ta kuptojnë shtete raja si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që ranë në dashuri me shikim të parë me projektin serb, se diplomacia serbe ka hapur sirtarët e federatës ish-jugosllave për t’i aplikuar sot.

Si nuk gjejnë kohë zyrtarët e lartë të Tiranës të lexojnë pak faqe histori të Jugosllavisë dhe të mësojnë se gjithë përmbajtja dhe premtimet e “Ballkanit të hapur” bashkë me katër apo pesë liritë e ungjillit diplomatik serb kanë qenë të realizuara në Federatën komuniste Jugosllave, ku bënin pjesë pesë shtete nga gjashtë të Ballkanit Perëndimor. Madje kishin më shumë liri të qarkullimit të mallrave, kapitaleve, punësimit dhe të shërbimeve brenda federatës jugosllave nga sa premtojnë sot të dalldisurit e tymosur të projektit serb.

Nuk ka logjikë historike, politike, diplomatike, ekonomike, etj. që mund të justifikojë kthimin në formë të re në federatën e dikurshme të shteteve që ikën nga ajo federatë mbytëse, me premtimin për të rishijuar prapë ato katër apo pesë liritë, që kishin në federatë.

Çudia e çudirave është përse Tirana zyrtare ka kaq etje të bëhet republikë jugosllave e Serbisë dhe nuk i kërkon më ato katër liritë te integrimi europian në BE. Askush në Tiranë nuk është në gjendje të thotë se ka diçka të re në “Ballkanin e hapur”, që nuk e kanë pasur republikat e Federatës Jugosllave. Udhëtimi ballkanik pandalim i kamionave dhe i shalqinëve tingëllon si diplomë profanësh.

Në dritën e këtyre zhvillimeve ballkanikoperëndimore bëhet edhe më e pakuptueshme se mbi cilat llogari strategjike apo gjeopolitike ndërtohen këto taktika diplomatike, që dekorojnë me “kyçe apo çelsa nderi”shtetet dhe forcat destruktive në Ballkanin Perëndimor. Këto taktika të gabuara diplomatike jo vetëm nuk i qetësojnë situatat, por i komplikojnë, sepse rrisin agresivitetin e Serbisë dhe të “serpska republikës” ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Çelësi i stabilitetit dhe i sigurisë në Ballkanin Perëndimor është Aleanca Atlanike, ku bëjnë pjesë tre shtete të këtij mini-rajoni. Klasifikimet e tjera janë të gabuara dhe të dëmshme për Ballkanin Perëndimor./DITA/

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat