Infeksioni rus në Bullgari, analiza e një akti anti-atlantik që dëshmon se lidhjet personale dhe ndikimi i Kremlinit te udhëheqësit e disa shteteve anëtare të NATO-s dhe BE po zgjerohen

Opinione

Infeksioni rus në Bullgari, analiza e një akti anti-atlantik që dëshmon se lidhjet personale dhe ndikimi i Kremlinit te udhëheqësit e disa shteteve anëtare të NATO-s dhe BE po zgjerohen

Nga: Shaban Murati Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 12:11
Shaban Murati

Mund të thuhet se presidenti i ri i Bullgarisë, Rumen Radev, që mori mandatin e dytë në balotazhin presidencial të datës 21 nëntor, është presidenti i vetëm në botë, i cili në mëngjesin parë të zgjedhjes së tij nuk merr telegram urimi, por merr protestë të ashpër nga qeveria e shtetit më të rëndësishëm aleat. Në datën 22 nëntor ambasada e SHBA në Sofje në një komunikatë të saj publikon një protestë të ashpër, ku dënon deklaratat proruse të presidentit bullgar se “Krimea është ruse”. Ja si shprehet ambasada amerikane në Bullgari: ”SHBA, G7, BE dhe NATO kanë qenë të qartë dhe të bashkuar në qëndrimin tonë që, megjithë aneksimin dhe vazhdimin e okupimit, Krimea është Ukrainë. Të gjithë ne, përfshirë edhe Bullgarinë, kemi deklaruar në Platformën e samitit për Krimenë në gusht që Krimea është një pjesë integrale e Ukrainës dhe ne nuk i njohim dhe nuk do t’i njohim përpjekjet e Rusisë për të legjitimuar marrjen me forcë dhe pushtimin e gadishullit”. Ambasada amerikane njofton se qeveria e SHBA i ka shprehur “shqetësimin e saj të thellë” qeverisë së Bullgarisë edhe në Uashington, edhe në Sofje.

Presidenti bullgar Rumen Radev, që garonte për të marrë mandatin e dytë presidencial, deklaroi në datën 18 nëntor gjatë një debati televiziv se “Krimea është ruse”. Deklarata presidenciale bullgare sanksiononte dhe ligjëronte statusin e pushtimit rus të Krimesë dhe e merrte  si “realitet politik të kryer” aneksimin e saj të dhunshëm rus. Ishte një deklarim dhe një qëndrim skandaloz filorus në planin diplomatik dhe politik. Së pari, cenonte integritetin territorial dhe sovranitetin e një shteti të pavarur si Ukraina, e cila në vitin 2014 u bë objekt i agresionit ushtarak rus, i aneksimit të dhunshëm të Krimesë dhe i ndezjes nga Moska të një lufte separatiste proruse në Ukrainën Lindore. Ministria e Jashtme e Ukrainës në datën 19 nëntor thirri ambasadorin e Bullgarisë në Kiev dhe i dorëzoi një notë të ashpër proteste, në të cilën i cilëson si “të papranueshme” deklaratat e presidentit bullgar dhe i kërkon qeverisë bullgare që presidenti i Bullgarisë t’i tërheqë ato deklarata të gabuara.

Së dyti, presidenti i Bullgarisë, i një shteti anëtar të BE dhe të NATO-s, paraqet një qëndrim, që është kundër politikës së përbashkët të këtyre organizatave perëndimore për dënimin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe të aneksimit të dhunshëm të Krimesë nga Rusia. Që nga 2014 e deri më sot BE dhe NATO kanë hartuar dhe miratuar shumë dokumente zyrtare, ku dënojnë njëzëri agresionin rus dhe aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë. Qysh në vitin 2014, kur ndodhi agresioni rus dhe aneksimi i Krimesë, BE dhe SHBA vendosen sanksione ndaj Rusisë agresore, sanksione të cilat janë në fuqi dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Së treti, presidenti i Bullgarisë me qëndrimin e tij që “Krimea është ruse” bie në kundërshtim me vetë vijën zyrtare dhe me politikën e jashtëme të qeverive bullgare, të cilat i janë bashkuar dhe kanë firmosur të gjitha dokumentet e BE dhe të NATO-s, ku njihet Krimea si pjesë e integritetit territorial të Ukraninës, pavarësisht pushtimit dhe aneksimit rus të saj.

Së katërti, presidenti bullgar me qëndrimin e tij filorus për Krimenë merr në mbrojtje politikën agresive ruse ndaj shteteve fqinjë dhe aneksimin rus të territoreve të shteteve sovrane. Agresioni rus ndaj Ukrainës në 2014 është agresioni i parë i Rusisë në Europë kundër një shteti sovran që nga pushtimi i Çekosllovakisë nga ushtria ruse në vitin 1968. Presidenti bullgar njeh dhe ligjëron frutet e agresionit rus, siç është aneksimi i Krimesë nga agresioni rus kundër Ukrainës në vitin 2014, dhe shkëputja e territoreve gjeorgjiane të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut nga agresioni rus në vitin 2008.

Duhet theksuar këtu se qëndrimi i presidentit të Bullgarisë për të ligjëruar aneksimin e dhunshëm rus të Krimesë nuk qe as lapsus dhe as incidental. Ishte një qëndrim politik i formuluar me qëllim, sepse president bullgar me këmbëngulje e përsëriti deklarimin e tij antiukrainas dhe antiatlantik edhe një ditë pasi Ministria e Jashtme e Ukrainës i dorëzoi notën e protestës ambasadorit bullgar në Kiev. Qe qëndrimi i presidentit bullgar për “Krimenë ruse” nuk ishte i rastit, por pjesë e një platforme proruse të mbështetur prej tij, e tregon edhe fakti se Rumen Radev në 18 nëntor, kur deklaroi se “Krimea është ruse” shprehu edhe dy koncepte të tjera filoruse. Ai shprehu kundërshtim për sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe i quajti ato “të paefektshme”, dhe deklaroi se “ne kemi nevojë për një politikë pragmatiste drejt Moskës”. Presidenti bullgar paraqet një platformë politike dhe diplomatike filoruse dhe kërkon një orientim më të shpejtë të Bullgarisë drejt Moskës.

Platforma filoruse e presidentit bullgar nuk është e rastësishme. Është e njohur në qarqet diplomatike në Sofje dhe në kryeqytetet atlantike se ish-komandanti i forcave ajrore bullgare, gjenerali Rumen Radev, të cilin Partia Socialiste e Bullgarisë e paraqiti si kandidat të saj për president për herë të parë në vitin 2016, njihej për prirjet dhe lidhjet e tij proruse. Është gjithashtu e njohur se Rusia dhe institucionet e saj të ndryshme ndërmorën një veprimtari të gjerë për të siguruar zgjedhjen e tij si president për herë të parë, gjë që u konsiderua nga mediat perëndimore si një sukses i depërtimit dh i ndikimit rus në Bullgari dhe në rajon, dhe si një përurim i metodës së re ruse të ndërhyrjes në proceset zgjedhore të vendeve ballkanike.

Deri tani nuk ka informacion nëse edhe në fitoren e tij të dytë presidenciale kanë gisht institucionet dhe shërbimet ruse. E sigurtë është që presidenti bullgar në prag të ditës së balotazhit presidencial afishoi një platformë të hapur filoruse që kulmoi në debatin e tij elektoral me deklaratën “Krimea është Rusi” dhe në kuptimin  diplomatik kjo mund të merret edhe si shenjë kompensimi ndaj Moskës.

Platforma filoruse e presidentit bullgar, që doli me ligjërimin e pushtimit rus të Krimesë, është një akt i dëmshëm, efekti negativ i të cilit shkon përtej Bullgarisë dhe raporteve të saj dypalëshe me Rusinë. Është një akt, i cili do të shfrytëzohet shumë nga Moska në planin  diplomatik antiatlantik dhe mund të ketë pasoja në nxitjen dhe ligjërimin e ndërhyrjes së Rusisë në punët e brendshme të vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE në rajonin e Ballkanit. Logjika imperialiste e njohjes si “realitet politik” të produkteve të agresionit rus mund të sanksionojë sipërmarrje të tjera të agresivitetit rus në rajon dhe në Europë.

Rusia me ndërhyrjen e saj ushtarake në 2014 krijoi në territorin e Ukrainës Lindore të ashtuquajturat entitete ruse të Donjeckut dhe të Luganskut, të cilat jo vetëm kanë shpallur shkëputjen nga Ukraina, por edhe po kërkojnë të aneksohen nga Rusia. Sipas logjikës imperialiste ruse të presidentit bullgar këto entitete proruse të krijuara në territorin sovran të Ukrainës me forcën e armëve dhe të ndërhyrjes ushtarake ruse janë “realitete politike” të faktit të kryer, që duhen pranuar. Kemi një apologji brutale të politikës agresive ruse dhe të ambicieve aneksioniste ruse, e cila është e dëmshme dhe e rrezikshme për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për stabilitetin dhe sigurinë europiane. Logjika e mbrapshtë e presidentit bullgar mund të  përdoret si justifikim nga Moska nesër për aneksimin e territorit moldav, të shkëputur me forcën e armëve ruse dhe të quajtur “Transnistria”.

Njohja e produktit të agresionit “ si realitet” është njohje e vetë të drejtës se pushtimit dhe të agresionit. Ky qëndrim bëhet edhe më i dëmshëm në kohën që Rusia po rrit çdo ditë agresivitetin e saj. Pikërisht këto ditë kur Rusia ka grumbulluar në kufijtë e Ukrainës mbi 100 mijë forca ushtarake, dhe gjithë bota po flet për rrezikun e një ndërhyrje të re ushtarake të Rusisë, shfaqet presidenti bullgar me teorinë e tij të “Krimesë ruse si realitet politik”, që duket si një justifikim dhe parathënie  e “realiteteve të reja politike”, që mund të krijojë një agresion i ri rus në territorin e Ukrainës Lindore.

Rusia ka ndërmarrë një fushatë të paparë agresiviteti në Ballkan, ku nëpërmjet Serbisë po krijon vatra konfliktesh dhe lufte në Bosnje-Hercegovinë dhe në kufijtë e Kosovës. Ndaj të dy shteteve të mësipërme Serbia planifikon aneksime territoresh si “serpska republikën” në Bosnje dhe Veriun e Kosovës. Rusia dhe Serbia po planifikojnë të krijojnë nëpërmjet ndërhyrjes brutale “realitete të reja politike” në rajon sipas terminologjisë së presidentit bullgar.

Është vërtet për të ardhur keq që presidenti i një shteti ballkanik anëtar të NATO-s dhe të BE bëhet apologjet i politikës agresive të Rusisë dhe profeson veçimin e shtetit të tij nga kursi i përbashkët atlantik dhe europian i përkrahjes për integritetin e Ukrainës dhe për dënimin e agresionit rus dhe të aneksimit të Krimesë.

Akti antiatlantik i presidentit të Bullgarisë dëshmon se fenomeni negativ i lidhjeve personale dhe i ndikimit të Kremlinit te udhëheqësit e disa shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE, po zgjerohet. Deri tani kemi parë fansat e Putinit si presidenti i Çekisë apo kryeministri i Hungarisë, të cilët hapur ndjekin një vijë qëndrimi filorus. Tani del hapur dhe rreshtohet me ta edhe presidenti i Bullgarisë, i cili paraqet një platformë filoruse dhe përligj politikën e jashtme agresive të Moskës në Europë. Kemi një fenomen të rrezikshëm politik dhe diplomatik me origjinë ruse, i cili gradualisht po zgjerohet në udhëheqjet e disa shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE. Ironia është se me carin Putin dhe me politikën agresive ruse po bashkohen krerë të disa shteteve ish-komuniste anëtare të NATO-s, të cilat e kanë provuar dhe kanë vuajtur nga sundimi i Moskës. Madje shtete si Çekia dhe Hungaria kanë pësuar ndërhyrje direkte ushtarake ruse në kohën që ishin anëtare të Traktatit ushtarak të Varshavës të drejtuar nga Moska. Në atë kohë edhe Bullgaria cilësohej si gubernë ruse.

Tani historia duket se po kthehet mbrapsht dhe disa presidentë të shteteve ish-komuniste po bëhen ushtarë të politikës së atij shteti rus, që i ka shtypur dhe i ka sunduar popujt e tyre dikur. Është një fenomen, të cilin NATO duhet ta analizojë dhe të përpiqet ta neutralizojë sa më shpejt, para se infeksioni rus të zgjerohet në udhëheqës dhe në shtete të tjera të NATO-s dhe të BE, para se dëmet të jenë dhe më të mëdha për stabilitetin dhe për kohezionin atlantik./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat