Treshja Rama-Grenell-Vuçiq tenton ta kthejë kongresin “Pan Shqiptaro-Amerikan (Paac)” në vegël të Ballkan Open-it

Opinione

Treshja Rama-Grenell-Vuçiq tenton ta kthejë kongresin “Pan Shqiptaro-Amerikan (Paac)” në vegël të Ballkan Open-it

Lirim Gashi Nga Lirim Gashi Më 27 nëntor 2021 Në ora: 09:24
Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq

Në vitin 2020 me iniciativën dhe përkrahjen e Hashim Thaçit dhe Vlora Çitakut këtij dyshi tregtues pjellor politik dhe përtej politik, që është i lidhur me njëri tjetrin si Viva me Fresh dhe që çuditërisht akoma nuk ka arritur të shndërrohet fizikisht në tresh, është themeluar Kongresi "Pan Shqiptaro-Amerikan" , në anglisht PAAC, i cili Edi Ramen dhe Richard Grenelin i ka kthyer në Bypass.

Dhe pasi që Hashim Thaçi është një tenxhere që e gjënë gjithmonë kapakun, ai punëve të tija të pista gjithmonë ia vë sipër Vlora Çitakun.

Dhe pasi që kjo e fundit po ashtu është një tenxhere që e gjënë gjithmonë kapakun, me preferencën e saj si Kryetar (Chairmen) i përkohshëm i PAAC është emëruar Harun( Bruno) Ceka, ndërsa si drejtor ekzekutiv Martin Vulaj, i paraparë njëkohësisht edhe si lobues në Washington DC.

Mirëpo sipas informatave që i kam, ky i fundit është një person që nuk gëzon aq shumë autoritet në komunitetin shqiptaro-amerikan në USA, sepse aferat e tij të para korruptive datojnë qysh nga koha e Fatos Nanos, prandaj edhe quhet ish advokat, sepse i është marrë pakthyeshëm leja e punës, që domethënë se ky njeri në USA jo vetëm që nuk guxon ta ushtrojë kurrë më profesionin e tij, por as të garojë në garë për asamblist të komunës.

Deri në muajin shtator pjesë e PAAC ishte edhe Ilir Rusi, vëllai i biznesmenit të njohur dhe shumë të pasur Selim Rusit (Sall Rusit), i cili dha dorëheqje pasi që doli në pah se ishte në vizitë pune në Moskë në gushtin e këtij viti.

Të lartpërmendurit të udhëhequr nga Edi Rama dhe të përfaqësuar nga lobiisti i Aleksandër Vuçiqit Richard Grenell, përkrahjen më të madhe financiare dhe  logjistike e gëzojnë nga Devollet dhe nga shumë biznismenë të tjerë oligark dhe Udbash nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe natyrisht nga pjesa e opozitës kosovare që vdesë nga dëshira për ta bërë Kosovën Eldorado të Ballkan Open-it !

Për ta bërë këtë buqkurush funksional në fillim të muajit dhjetor në USA apo edhe më konkretisht në shtetin Michigan, do t'i organizohet Edi Rames një pritje madhështore treditore.

Dhe pikërisht kjo ishte arsyeja pse organizatorët e kësaj pritjeje treditore Ekrem Bardha, Sall Rusi, Martin Vulaj dhe Vehbi Bajrami fluturuan kohëve të fundit kaq shpesh me aeroplanin e tyre privat nga NewYork në Tiranë e Shkup dhe anasjelltas, ku qëndruan nga disa ditë rresht.

Devollet që selinë e tyre kryesore të "Princ Kafe" e kanë në Bronx NY, për ta rritur ndikimin e tyre në PAAC kontribuuan fillimisht me 25.000 dollarë !

PAAC, tashmë është ndarë në dy grupe, apo edhe më saktësisht në kryesi (board of directors) që udhëhiqet nga Bruno( Harun) Ceka si Chairman i përkohshëm dhe që është në shërbim të dyshes Rama-Grenell dhe në grupin tjetër që udhëhiqet nga Sekretari, Bleron Baraliu, që është po ashtu njëri nga themeluesit !

Prandaj një delegacioni i përbashkët i PAAC, do të pritet në Tiranë nga data 14 deri në 17 dhjetor personalisht nga Edi Rama, i cili do të përpiqet që t'i bashkoi këto dy grupe të ndara kinse për të mirën e tyre, e në fakt për të mirën e tij personale dhe për të mirën personale të vëllait të tij Vuçiqit.

Në fakt PAAC, është themeluar nga treshja Thaçi-Rama-Grenell për t'ia dhënë në mënyrë indirekte dhe tepër djallëzore legjitimitetin e Shqiptaro-Amerikanëve Aleksandër Vuçiqit.

Me 8 Janar është i thirrur Kongresi, pra Kuvendi Zgjedhor i PAAC, ku pritet të shkarkohen të lartpërmendurit dhe të ju mirret e drejta e veprimit anti kombëtar në emër të Shqiptaro-Amerikanëve, gjë që është njëherësh përgjigje në pyetjen pse Edi Rama po i intensifikon përpjekjet e tij për ta bërë të panevojshëm mbajtjen e këtij kongresi.

Vlen të theksohet fakti se këta politikanë mafioz dhe anti kombëtar kanë dështuar ta kenë partner të tyre të besueshëm Milo Gjukanoviqin, edhe përkundër përpjekjeve mbi-njerëzore , gjë që flet shumë për vlerat e larta patriotike të këtij të fundit.

Detyra ime si gazetar dhe analist është që ta informoi saktësisht opinionin dhe njerëzit vendimmarrës në politikën tonë se çka po ndodh.

Asgjë më pak dhe asgjë më shumë.

Pra t'i informojë të dy palët në mënyrë që tradhtia të mos i zë në gjumë

Lutem për vigjilencën e të gjitha atyre që besojnë në vlera sublime, sepse asnjë veprim tjetër parandalues nuk është në dorën time.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat