Shqipëria ka një kryeministër të përzgjedhur e të emëruar nga Beogradi!

Opinione

Shqipëria ka një kryeministër të përzgjedhur e të emëruar nga Beogradi!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 29 nëntor 2021 Në ora: 12:05
Edi Rama

Ai shkoi përsëri në Vlorë! Vlora është shtëpia dhe dashuria e tij e parë. Dikur kishte premtuar se do ta kalonte pleqërinë në Kuç të Vlorës së bashku me një mikun e tij. Tani ka harruar të shkojë në Kuç. Shkoi pas shumë kohësh atë ditë të fushatës elektorale, kur iu desh të komunikonte hartën rozë e blu të Shqipërisë në zgjedhjet e 25 prillit!

Dje ishte 28 nëntori. Kishte shkuar në qytetin bregdetar një ditë më parë. Darkën e hëngri në shoqërinë e 28 vetave diku aty te Lungomare, në katin përdhe, në restorantin e tij të preferuar, ku peshku gatuhet si askund tjetër. U ngrit në mëngjes dhe nuk donte t'i fliste askujt. E bezdiste gjithçka. Duhej të shkonte në ngritjen e flamurit në të 109-tin vit të pavarësisë. Por aty ndodheshin dhe dy personazhe të padëshirueshme për të. Presidenti i Republikës dhe kryetari i Bashkisë së qytetit. Asnjërin nuk mund ta mënjanonte nga protokolli shtetëror.

Atëherë mbetej vetëm që të mos fliste me ta. As mos ua jepte dorën. Dhe ashtu bëri. Si asnjëherë tjetër zgjodhi të qëndronte në anë të rreshtit ceremonial. Ai që kërkon vëmendje edhe në mesin e shefave të shtetit dhe të qeverive të vendeve të NATO-s dhe BE-së, të dielën e shkuar ishte në anë të atyre që nderonin monumentin e Pavarësisë në Vlorë! E gjitha kjo për një ego më të madhe, apo për një simbolikë më kumtuese?!

Le të kthehemi në kohë vetëm pak ditë më parë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë i bëri një sfidë. Ditën që kryeministri i vendit do të fliste online para parlamentit të Serbisë dhe do të duartrokitej me ovacione nga deputetët e këtij parlamenti, presidenti shkoi në një universitet të Prishtinës dhe mbajti një fjalim me mesazhe të kundërta me ato të kryeministrit. Po atë ditë, miku i tij, president i Serbisë ishte në Moskë dhe bisedonte me presidentin Putin. E ndërkohë pak orë para se kryeministri të fliste në Beograd me entuziazëm për Open Balkanin e Serbisë, presidenti shqiptar foli nga Prishtina kundër tij. Ishte një sfidë e papranueshme.

Prandaj dhe kryeministrit nuk po i dilte inati as në ditën e bashkimit kombëtar. Se inati i tij është më i madh se dashuria për atdheun, më i rëndësishëm se e tanishmja dhe e ardhmja e kombit shqiptar. Me inatin e tij ai sfidon këdo, edhe Angela Merkelin. Por në ikje të saj ama, siç kishte sfiduar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, duke besuar se ai nuk do të bëhej president i vendit më të fuqishëm të botës.

Ndërkaq inatin e kryeministrit shqiptar e kemi parë në të gjitha marrëdhëniet me kundërshtarët e tij. Me Ramush Haradinajn, kur në nëntorin e vitit 2018 në mbledhjen e përbashkët të qeverive në Pejë, i tha se "Ti je gomar që i thua Thaçit tradhtar"! Me Ibrahim Rugovën, kur në vizitën e tij të parë në Kosovë e injoroi deri te mos përmendja e emrit në përshëndetjen e tij në parlamentin e Kosovës! Me Albin Kurtin në kurthet që ia ngriti me personazhe kompromentuese si aktori francez me pasaportë ruse, Gerad Depardieu, apo me oligarkun e preferuar të tij, Gjergj Luca! Ky i fundit ka hyrë në zemrën e kryeministrit të Shqipërisë për shkak të muraleve me foton e tij në ambientet e biznesit që ai ka në Labinot të Elbasanit.

Inati i kryeministrit është i provuar në shumë dimensione. Deri te dosjet e përgatitura, sipas FOX News-it amerikan, nga ish e fejuara e tij, Dalina Fico, për shpalljen non grata të Sali Berishës! Vetëm në çuarjen deri në fund të hakmarrjes dhe inatit kryeministri shqiptar nuk ka shok të dytë. Por a është vetëm kjo arsyeja e këtij misioni të tij për ta përçarë dhe për ta denigruar kaq egër politikën shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e gjetkë?! Besoj se jo.

Arsyeja kryesore e këtij programi të kreut të ekzekutivit tonë është misioni i tij! Ai ka një mision! Tashmë ky mision është i njohur. Kush nuk e njeh ose është injorant, ose është i verbër! Ky mision ka të bëjë me rivendosjen e paritetit serb në rajon. Pra ta rikthejë Serbinë në nivelin e autoritetit dhe prestigjit të kohës së Jugosllavisë paramiloseviçiane. Ta reklamojë Serbinë si aktor pa të cilin Ballkani do të jetë gjithmonë në konflikt! Pra ta rehabilitojë atë Serbi që shkaktoi dhjetëra e qindramijë viktima në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë dhe në Kroaci! Shkurt ta rikthejë atë kundër viktimave të këtyre vendeve. Për këtë arsye ne e dimë se që nga koha e Garashaninit, Nikolla Pashiqit e deri te Milosheviçi suksesi i Serbisë është bazuar te përçarja e politikës shqiptare dhe vendeve të tjera në rajon. Pikërisht këtë rol e ka kryer kryeministri i Shqipërisë me mjeshtëri të jashtëzakonshme dhe me vullnet gjithashtu të jashtëzakonshëm! Dhe ka arritur sukses të padiskutueshëm!

Në këtë skemë përçarjeje bën pjesë edhe sjellja e së dielës së shkuar në Vlorë në ditën e bashkimit kombëtar! Ai aty dha provën e besnikërisë së tij ndaj misionit që ka marrë përsipër në Beograd! E pa vërtetuar dhe e pa shpjeguar mbetet vetëm fakti se me çfarë e si është paguar nga Beogradi! Por se Shqipëria ka një kryeministër të emëruar e jo vetëm të përzgjedhur në Beograd, kjo tashmë nuk ka nevojë për t'u provuar. Gjithçka është e qartë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat