Lobimi i fuqishëm serb në SHBA alarm për institucionet udhëheqëse të Kosovës

Opinione

Lobimi i fuqishëm serb në SHBA alarm për institucionet udhëheqëse të Kosovës

Nga: Adem Salihaj Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 11:21
Adem Salihaj

Të gjithë qemë gëzuar për fitoren e presidentit Joe Biden, duke e ditur afërsinë e tij me Kosovën dhe popullin shqiptar, duke e ditur kontributin dhe përkrahjen që ia dha gjithmonë luftës sonë për liri dhe pavarësi. Por, që nga inaugurimi i tij si president, deri më tash po ndodhin disa gjëra të çuditshme.

Është një heshtje e plotë dhe një mungesë angazhimi për Kosovën. Pra, krejt e kundërta e asaj që kemi pritur. Disa e shpjegojnë këtë qëndrim "të pa interesuar" me faktin se amerikanët nuk e pëlqejnë qeverinë Kurti dhe politikat e saja të majta. Ky fakt nuk mund të jetë esencial për politikën amerikane.

Mendoj se problemi qëndron diku tjetër. Problemi qëndron te fakti se në SHBA është forcuar aktiviteti lobist serb, se Vuçiqi tashmë ka gjetur mënyra për të derdhur fonde në SHBA, në shërbim të një përkrahje më të madhe për Serbinë e më të vogël për Kosovën. Në media dolën informata se Serbia jep fonde tërthorazi edhe për Richard Grenellin, e ka gjasa që Grenell të jetë financuar edhe gjatë mandatit të Trampit.

Madje, është shumë shqetësues fakti se Grenelli ia dërgoi ambasadorit serb në SHBA, Gjuriqit në darkë 14 kongresistë amerikanë. Pastaj, urimi i sekretarit Antoni Blinken dërguar Vuçiqit, një urim me tone shumë të ngrohta e miqësore, jo i rëndomtë për raportet në mes dy shteteve. Qarkullojnë informata se Blinken është i afërt me Sorosin, ndërsa dihet se Sorosi është përkrahës i Serbisë dhe jo i Kosovës.

Po ashtu, edhe mbajtja e mikut të serbëve Palmerit në funksione të rëndësishme, është shqetësuese. Të gjitha këto duhet ta ngrenë alarmin te institucionet udhëheqëse të Kosovës, të cilat pothuajse e kanë shuar plotësisht angazhimin për lobim te institucionet amerikane.

Madje duhet pranuar se që nga vdekja e presidentit Rugova, askush më nuk është marrë seriozisht me lobim në SHBA, por, përkundrazi, ka pasur përçmime, madje edhe tallje me SHBA-të, një veprim ky tepër i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për Kosovën. Prandaj, është koha e fundit që krerët e institucioneve të Kosovës të zgjohen nga letargjia dhe të punojnë me ngulm për ta rikthyer përkrahjen amerikane për Kosovën.

Duhet theksuar faktin se përçmimi i kësaj përkrahje, arroganca dhe vetëmburrja, do të kenë pasoja katastrofale për të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Para SHBA-ve dridhen edhe fuqi të mëdha botërore, askush nuk ka guxim t'i përçmojë apo nënvlerësojë ato. Të mos flasim për Kosovën, e cila nuk mund t'i bëjë as dy hapa pa përkrahjen e SHBA-ve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat