Lufta në Ukrainë dhe impakti në Ballkan-Kosovë dhe Shqipëri

Opinione

Lufta në Ukrainë dhe impakti në Ballkan-Kosovë dhe Shqipëri

Nga: Ruzhdi Jashari Më: 2 mars 2022 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Liritë dhe të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme, të pandashme dhe i takojnë secilit individ e secilit popull, të jetojë i lirë dhe i pavarur.

Pra, nisur nga kjo e drejtë e natyrshme dhe bazamenti i Deklaratës Universale mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, edhe populli i Ukrainës e ka të drejtën, për tu bashkuar, antarësuar e aderuar, në secilin mekanizëm ndërkombëtar me vullnetin e vetë.

Ndërhyrja e Putinit, pas shpërbërjes së BS, në çështjet ukrainase dhe synimet e tyre për anëtarësim në NATO, e BE, duke kaluar nga aspekti i kërcënimeve frikësuese e verbale, në ndërhyrje ushtarake, paraqet agresion direkt ndaj popullit të Ukrainës!

Dhe, këtu Rusia-Putini, me propagandë kamufluese, gjoja për mbrojtjen e pakicës Ruse në Luhansk e Domstek, “e cila po vuan nga rexhimi i Kijevit”, me dekret njohu pavarësinë e këtyre rajoneve. Për më tepër se një muaj, mbi 150 mijë trupa ruse, u deklarua nga Putini, se ishin vetëm për stërvitje dhe fare nuk kishin të bënin me invadimin dhe cenimin e integritetit të Ukrainës! Pra kemi të bëjmë me një gënjeshtër të Putinit, që e mashtroi popullin e Ukrainës, popullin rus dhe komunitetin evropian dhe ndërkombëtar!

Kështu vepronte, Millosheviqi dhe Serbia, sa here që tentonte të kamuflonte agresionin mbi popullin e Kosovës, lëshonte propagandën, në emër të vuajtjeve gjoja të serbëve të Kosovës nga shqiptarët. Kjo ishte alibia, para opinionit publik serb e ndërkombëtar, për ushtrimin e dhunës dhe gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës. Dhe më pas filloj edhe lufta për pastrimin etnik dhe eliminimin e shqiptarëve nga faqja e dheut. Nuk harrohet se

lufta e Serbisë në Kosovë, ishte mbështetur edhe nga Rusia dhe ishte kundërshtuar edhe intervenimi i NATO-së.

Pse dhe si ndodhi veprimi i çmendur i Putinit për nisjen e luftës të përmasave katastrofale në truallin Evropian?

Putini, filloi invazionin rus në Ukrainë më datën 24 shkurt nga toka, ajri dhe uji, në emër “denatifikimit- çmilitarizimit”, duke paralizuar dhe shkatërruar infrastrukturën kritike të sigurisë, të administratës publike dhe strukturave politike të Ukrainës, për suspendimin e pushtetit ukrainas dhe vendosjen e një pushteti pro Rus në Ukrainë. Fillimisht Putini me dekret njohu pavarësinë e republikave, Domstek dhe Luhansk.

Putin, kërkoj që NATO, të mos e përfillë vullnetin e Ukrainës për tu anëtarësuar në strukturat e sigurisë kolektive dhe BE- së, me arsyetimet ruse për sigurinë e kufijve të Rusisë me alibinë se, ukrainasët dhe rusët, kanë një histori të përbashkët dhe janë historikisht një popull, ani se janë të ndarë!

Çfarë duhet vepruar ?

Tashmë, akterët kompetent, të strukturave ndërkombëtare e shohin rrezikun serioz për shtrirjen e luftës në përmasa kontinentale dhe ndërkombëtare. Lufta duhet të ndalet aty ku është nisur. Perëndimi bashkë me komunitetin ndërkombëtar, NATO-në dhe ShBA- në, vendosën sanksione të rrepta kundër Rusisë, siç janë ato; ekonomike, financiare, ndaluan hapësirën ajrore ruse, dhe po ndihmojnë me armatime moderne ushtrinë dhe popullin ukrainas. Tani janë publike thirrjet, që fronti i luftës në Ukrainë të ndihmohet nga vullnetarë të kombeve liridashëse!

Ukraina urgjentisht duhet pranuar në BE. Vendet baltike dhe nordike duhet të ngrisin gjendjen e gatishmërisë. Duhet urgjentisht, KNK, KNR, dhe OSBE, të veprojnë urgjentisht në teren, për hulumtimin e fakteve për ndihmë popullsisë në Ukrainë dhe sigurimin e provave për ta paditur Rusinë në TN për krime të luftës.

Gjermania tashmë duhet ta merrë përgjegjësinë bashkë me shtetet anëtare të BE-së, për ngritjen e strukturës ushtarake të sigurisë, për evitimin e rreziqeve dhe sigurisë kolektive në kontinentin Evropian! Kjo ishte shtylla më e dobët e strukturave të BE-së. Evropa nuk mund të lejoj komoditet në këtë drejtim, siguria evropiane prevalon mbi të gjitha të drejtat tjera! Urgjentisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkë me Malin e Zi ta deklarojnë hapur kundërshtimin e “OPEN BALLKANIT”, si nisëm rajonale e cila në prapavijë, përmes Beogradit i hapte portat Rusisë!

Serbia me rreshtimin e sajë në krah të Rusisë iu kthye mesjetës. Për fatin tonë të mirë, para Perëndimit i hoqi plotësisht maskat dhe hapi rrugën tonë për ecje përpara. Nëse ne e bëjmë punën si duhet, sukseset nuk do të mungojnë.

Po Ballkani - Ilirida, si qëndron karshi këtij agresioni mbi Ukrainën? Çfarë ishin llogaritë e Putinit?

1. Zhvillimi i kësaj lufte përfshinë edhe Ballkanin duke ndikuar, në aspektin ekonomik dhe të sigurisë, duke ditur apetitet e hershme ruse drejt Ballkanit dhe daljen në ujërat e ngrohta të Adriatikut, rreziku i luftës mbetet permanant. Gjithashtu pritja e lëvizjeve të mëdha të refugjatëve nga zonat e luftës, pa dyshim ka impakte në këtë drejtim!

2. Janë të njohura veprimet e hershme të strukturave sekrete ruse karshi destabilizimit të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe BH.

3. Ishin, dhe vazhdojnë të janë në koordinim të plotë strukturat politike ruse të sigurisë, dhe ato sekrete, përmes Vuçiqit, Millorad Dodikut kishës ortodokse serbe dhe strukturave diplomatike ruse në Beograd, llogari këto të planifikuara më herët nga Putini, për hapjen e vatrave të reja të luftës në Ballkan.

4. Ngathtësia dhe ngadalësia e përfshirjes së Ballkanit në strukturat euroatlantike, ishin alibi që shkonin në llogaritë e Putinit, për dobësimin e shteteve që aspironin këto anëtarësime.

5. Mbajtja e Serbisë në unison të veprimeve ruse, përmes mekanizmit të Ballkanit të Hapur, u jepte avantazhe integrimeve, ekonomike të synuara ruse drejt lindjes, ku synoheshin shtrirje mbi shtetet anëtare të NATO-së, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Hapur Rusia kërkoj në rrugë diplomatike, deklarimet e këtyre shteteve rreth kundërshtimit të shtrirjes së NATO-së në drejtim të lindjes!

6. Llogaritë e Putinit duhet të mbyllur, që përmes Open Ballkanit, futeshin interesat ruse.

Serbia doli hapur në mbështetje të Rusisë dhe kundër strukturave euroatlantike dhe sanksioneve, të kërkuara nga BE dhe NATO kundër Rusisë! “OPEN BALLKAN”duhet refuzuar.

7. Bashkëpunimi dhe ngritja e gatishmërisë ushtarake të vendeve të Ballkanit në koordinim të plotë 24/7 me ShBA- në dhe NATO- në, në rritjen e fondeve në llogari të mbrojtjes dhe sigurisë në këtë rajon.

8. Veprime të vendosura për largimin e duarve të Putinit nga butonat e armëve bërthamore!

9. Thirrje e vazhdueshme e popullit rus, për ndaljen e Putinit, për braktisjen e frontit të luftës në Ukrainë. Tashmë kemi reagimin e inteligjencës dhe ushtarakëve rus në këtë drejtim, thirrje e reagime këto, që nuk bënë të ndalen. Kosova në vorbullin e kësaj lufte?

Janë me domosdoshmëri veprime të shpejta në disa drejtime, siç janë: - Ngritja e një mekanizmi të kontaktit, MPJ, MPP, FSK, Qeveri, në veprim 24/7.

- Ngritja e një mekanizmi për kërkesat urgjente të Kosovës për anëtarësim të përshpejtuar në KE, NATO, dhe aderimin në BE me status urgjent të vëzhguesit permanent apo me statusin e kandidatit anëtar në BE, deri sa të krijohet mundësia e anëtarësimit të plotë.

- Krijimin e një trupe të përbashkët, s'bashku me Shqipërinë, ShBA-në, Kroacinë, Austrinë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, për nisjen e kërkesës për të vërtetën e madhe të domosdoshmërisë urgjente të njohjes së Kosovës, nga 5 shtet e BE, Rumania, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Qipro! Kjo duhet bërë me urgjencë për rritjen e sigurisë kolektive, e cila prevalon secilin interes tjetër, ekonomik, politik dhe të lirive e të

drejtave universale! - Shqipëria dhe Kosova urgjentisht duhet të hartojnë, strategjinë e përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe të rrisin buxhetet e mbrojtjes për ushtrinë!

Ndërsa, te ne në Kosovë, por edhe më gjerë, sa u përket shkrimeve rreth krahasimeve, suplimentimit, propogandimit dhe mbështetjes verbale të udhëheqjes së Ukrainës, në raportimet e përditshme, janë dukuri në favor të qëndresës, moralit dhe mbijetesës së popullit dhe ushtrisë së Ukrainës, për ti bërë ballë kësaj lufte të Putinit, të përmasave të tmerrshme dhe të pa provokuar nga ana e Ukrainës!

Kurse nga shumë komente, e krahasime fyese në rrjetet sociale në Kosovë, shohim krahasime aspak të drejta, me stoicizmin e UÇK, gjatë vitit 98- 99, të luftës së zhvilluar në Kosovë, kundër shtetit kriminal serb, duke lartësuar udhëheqjen Ukrainase në aspektin patriotik dhe duke përulur shëmbëlltyrën patriotike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E vërteta është se; UÇK ishte, shumëfish me atribute shumë të larta patriotike, ishte tërësisht vullnetare, ishte shumë keq e armatosur. Armatosej me shpinë dhe kuaj, ushqehej dobët, nuk bënte krime mbi fëmijët, personat e moshuar serbë dhe gratë e tyre! Asnjëherë gjatë luftës bëri kompromise në dëm të territoreve tona dhe, pavarësisë së Kosovës e lirisë së saj.

Sa, për dijeninë tuaj; (të dashur, miq, qytetarë dhe lexues), po sjelli para jush një segment të një bisede të shkurtër në janarin në Petrovë, të Shtimes, në ZON- së, në mes të një delegacioni të korit diplomatik të akredituar në Beograd, të ambasadave të Amerikës, Italisë, Anglisë, Rusisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, të cilët në një takim interesimin e tyre e fokusuan rreth zhvillimeve në teren.

Ata morën njohuritë direkte për faktet mbi krimet e Serbisë, mbi popullsinë civile, mbi shkatërrimet, djegëset e shtëpive dhe shkatrrimet e pronave të popullsisë civile, ata gjithashtu u njoftuan me fakte edhe për prezencën e faktorit rus, në mbështetje të regjimit gjenocidal milloesheviqian, kundër popullit tonë duar thatë. Në takim kërkuam me këmbëngulje, eliminimin e pengesave dhe embargos për armatim, që na ishte

vendosur nga mekanizmat fuqive të mëdha, duke kërkuar “që ne nuk duam që ju të vdisni për lirinë tonë, na lejoni vetëm të bëjmë armatosje të lirë dhe të pa penguar, sepse ne do të vdesim për lirinë tonë”.

Ne, një mbështetje të hapur, nga asnjë shtet, a nuk e patëm sa i përket armatimit, siç e ka sot Ukraina. Madje, as strukturat tona politike të caktuara të kohës, nuk arritën të na mbështesin. Shumica e tyre nuk ishin të vendosur për të vdekur për lirinë që na mungonte, si ç'po ndodh në Ukrainë. Madje për të arsyetuar frikën, ligësinë, e vogëlsinë e tyre, një numër i caktuar i tyre, në valët e njëjta me propagandën e armikut, njolloste dhe stigmatizonte luftën heroike, të djemve dhe vajzave që flijoheshin për lirinë e Kosovës. Merreni me mend se në çfarë kushte vepruam. Krahasimet e UÇK - së, janë tepër dashakëqij dhe tepër banale me Shtetin e organizuar të Ukrainës.

Shembull i papërsëritshëm, në historinë e njerëzimit, është Adem Jashari, i cili shkrihet tërësisht me tërë familjen, në përballje të pa shembull me një ushtri të tërë të dirigjuar nga Millosheviqi. Përderisa në Ukrainë, kursehet popullsia civile. Këtu, nga Serbia nuk përfillej jeta as e fëmijëve dhe as rregullat e luftës, dhe një pjesë, e popullsisë sonë, ftohur dhe në ankth e frikuar, duke mos besuar në forcën e UÇK, nuk e jepte përkrahjen e plotë!

Ndërsa, sa për trimërinë, e vetëflijimin, e ushtarëve të UÇK- së, nuk mund të gjenden krahasime askund në raport me rrethanat e kohës, si dhe mbështetjen dhe armët që posedonin.

Sa për njohuri, në ZON, kemi pas raste heroike të luftimeve të UÇK, kurë vet komandanti i ZON, prinë në luftimet për kufomat në Reçak. Pastaj, në luftimet në fsh. Slivovë shtëpi në shtëpi, pastaj, në Buqë të Nerodimës, hedhjen e bombave në bunkerin e forcave serbe, e qindra aksione, trimëri e shembuj të panumërta në këtë zonë dhe mijëra trimëri e aksione në gjitha zonat e luftës sonë të lavdishme në tërë Kosovën Shumë nga heronjtë i kemi të rënë, por të pavdekshëm, dhe shumë prej tyre i kemi në mesin tonë, të cilët e meritojnë respektin tonë! Por, jo tu japim respekt vetëm kur janë të vdekur. Të gjallët (ushtarët e UÇK-së) nuk duan ta satanizojnë askënd, pse dje nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e luftës, e as nuk duan mëshirë, por nuk duan që tu bëhen poshtërime të njëjta sikurse ato të armikut. Prandaj, veproni sot njesoj me ato që shihni tani nga Ukraina, se si duhet vepruar për atdhe, dje një numër i qytetarëve të sojit tonë, e bënë argatin e dreqit, të marrin tani mësimin e duhur, për tu larguar nga rruga e dëmshme që po ja bëjmë vendit e kombit!

Është i dëmshëm secili veprim në emër të fesë, sikurse thirrjet që bëhen, kundër popullit ukrainas, që lufton trimërisht për lirinë e vet, duke bëre barazime me rusët.

Ndërsa shumë komente në rrjete sociale janë të dëmshme, duke bërë rreshtime e krahasime me vuajtjet e arabëve mysliman dhe vuajtjet e tyre. Ne e dimë se shumica e tyre janë në aleancë me Rusinë dhe tash për tash i sjellin dame kauzës sonë kombëtare!

Kosova, Shqipëria dhe populli ynë në Ballkan- Iliridë dhe kudo në diasporë, në këtë luftë të tmerrshme, po solidarizohet drejt me popullin e Ukrainës, është në unison me NATO- në, BE- në, SHBA- në dhe vlerat e demokracisë!

Në këtë fatkeqësi, me fitoren e UKRAINËS, ndaj Rusisë, kombi ynë e fitonë mundësinë e realizimit të aspiratave shekullore, drejt bashkimit! Prandaj, nëse i lëmë me një anë budallallëqet tona të brendshme dhe largohemi nga injoranca dhe ecim fuqishëm të bashkuar drejt qëllimeve madhore, i realizojmë synimet tona kombëtare. Ditë në vijim janë plotësisht të rënda për Ukrainën dhe me plot ankth rreth të ardhmes të vlerave të lirisë dhe demokracisë për popujt liridashës. Putini duhet ndalur dhe gjunjëzuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat