Kosova nuk është Donbas, as Krime, as Abkhazi! Ajo është rast unik në botë!

Opinione

Kosova nuk është Donbas, as Krime, as Abkhazi! Ajo është rast unik në botë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 11 mars 2022 Në ora: 11:55
Ilustrim

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, sot në samitin e Antalia në Turqi për krizën në Ukrainë deklaroi se “Kur Kosova shpalli pavarësinë, Perëndimi e duartrokiti. Por pse shqiptarët lejohen ta bëjnë këtë, dhe rusët në Ukrainë jo"? Kjo ishte hera e fundit që autoritetet ruse e konsiderojnë pavarësinë e Kosovës si precedent të ndarjeve separatiste në dobi të tyre dhe shkatërrimin e rendit botëror, ku sovraniteti është primar. Është folur nga vetë presidenti Putin rreth kësaj teme kur ai pushtoi në vitin 2008 dy krahinat e Gjeorgjisë, përkatësisht Abkazinë dhe Osetinë e Jugut. Kanë folur Putin dhe Lavrov rreth kësaj teme kur ata aneksuan gadishullin e Krimesë në vitin 2014. Dhe vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën si precedent të akteve të pushtimit rus në çdo kohë tjetër, edhe në ditët e sotme

Nga deklarata e fundit e ministrit Lavrov, mikut të ngushtë të Edi Ramës, Baton Haxhiut e Sokol Ballës, ne kuptojmë shkakun pse Rusia vendosi veton e saj si për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë edhe për mosnjohjen e saj shtet sovran e të pavarur. Shkaku dhe qëllimi paska qenë "justifikimi" i pushtimeve ruse të vendeve sovrane e të lira evropiane. Pra, nuk janë shkak interesat e Serbisë! Kosova nuk ka asnjë lidhje të ngjashme me dy rajonet separatiste të Donbasit në lindje të Ukrainës. Nuk kishte asnjë ngjashmëri me dy rajonet gjeorgjiane të pushtuara nga Rusia dhe as me Krimenë të aneksuar me forcën e tankeve nga Moska. Historianë dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë provuar me fakte se Kosova ishte dhe mbetet një rast unik dhe se përballë dhunës e terrorit serb të Millosheviçit e të strukturave shtetërore të Serbisë nuk kishte zgjidhje tjetër, veç pavarësisë dhe shtetësisë. Këtë e ka legalizuar nga pikëpamja juridike Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e saj të datës 22 korrik 2010. Le t'i shpjegojmë specifikat e Kosovës:

1. Kosova ishte në periudhën e 15 viteve të fundit të Federatës Jugosllave njësi konstituive e kësaj federate, e përfaqësuar njësoj si edhe republikat. Ajo kishte të tri nivelet e qeverisjes, parlamentin, qeverinë dhe gjykatën kushtetuese të saj. Të gjitha këto iu hoqën me dhunë nga ana e Serbisë së Milosheviçit më 23 mars 1989, madje në shkelje të kushtetutës jugosllave. Pra, Serbia realizoi një akt anti-kushtetues e njëkohësisht anti-njerëzor në Kosovë. Në asnjë prej këtyre rajoneve të pushtuara nga Rusia nuk është hequr autonomia e dhënë më parë, e gjithashtu nuk pati një lidhje konstituive të tyre me shtetin e Ukrainës ose Gjeorgjisë. Për pasojë nuk u suprimua kjo lidhje.

2. Kosova përjetoi aparteid. U mbyllën shkollat, universiteti, shërbimet jetësore të shëndetësisë dhe punëtorët kosovarë brenda dy javësh u larguan nga puna. Jo pak, por 114 mijë prej tyre. Shqiptarët në Kosovë mbushën burgjet, u rrahën, u torturuan dhe të gjitha këto janë të dokumentuara në raportet ndërkombëtare. U mbyllën gazetat, radiot dhe televizioni në gjuhën shqipe. U mbyll shtëpia botuese "Rilindja" dhe u suprimua edhe Akademia e Shkencave. Asnjë lloj aparteidi i krahasueshëm me këtë që ka ndodh në Kosovë nuk është provuar në krahinat dhe rajonet e aneksuara nga Rusia në dy vendet e saj fqinjë. Asnjë raport ndërkombëtar nuk flet për këtë. Ka vetëm një propagandë ruse për "fashizmin ukrainas", të ngjashme me propagandën serbe të viteve 1980-1990 për gjoja "gjenocidin shqiptar kundër serbëve"!

3. Kosova realizoi një rezistencë paqësore të pashembullt në historinë e popujve. Kjo rezistencë paqësore e bën atë rast unik në botë dhe I dëshmoi opinionit publik se "Kosova është kundër dhunës"! Por Milosheviçi vetëm se e shtoi represionin kundër shqiptarëve. Gati dhjetë vite rezistuan shqiptarët paqësisht dhe kërkuan gjithashtu paqësisht një zgjidhje të pranueshme. Ndërkaq Milosheviçi u përgjigj me dhunë. Dhuna pasoi domosdoshmërish dhunën. Shqiptarët u bashkuan me UÇK-në me qëllim që të mbronin jetën dhe pasurinë e tyre. Derisa ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, sipas një projekti të shfarosjes së shqiptarëve shkaktuan mbi 13.000 viktima të pafajshme, përdhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra shqiptare, dogjën e shkatërruan 120 mijë objekte, shtëpi banimi dhe prona të tjera të shqiptarëve, nga 200 mijë gjithsej. Forcat e errësirës së Milosheviçit u përpoqën të zhdukin edhe objektet historike, kulturore e të kultit të shqiptarëve. Pra bënë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në atë masë sa shkaktuan katastrofën humanitare të njohur tashmë edhe me dëbimin e mbi një milion shqiptarëve nga Kosova. Ndaj duhej ndërhyrja e NATO-s për të parandaluar këtë katastrofë humanitare. Ajo që po bën sot Rusia në Ukrainë i ngjan asaj që Milosheviçi ka bërë në Kosovë në vitet 1998-1999.

4. Për Kosovën janë miratuar katër rezoluta në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Njëra prej tyre, ajo me numër 1190 e 30 shtatorit 1998, pranon se konflikti në Kosovë do të përhapet në rajon dhe në Evropë dhe se aty rrezikon një katastrofë humanitare. Të gjitha rezolutat janë votuar ose pranuar me abstenim nga Rusia. Ndërkohë rreziku i përhapjes së konfliktit dhe rreziku i katastrofës humanitare parashikon ndërhyrjen e OKB-së. Këtë ndërhyrje e kundërshtoi Rusia, megjithëse i kishte pranuar të dy arsyet pse duhej ndërhyrë. Pra ajo pranoi fajësinë e Serbisë, si dhe shkaqet e ndërhyrjes, por jo edhe fushatën e NATO-s kundër Jugosllavisë.

Rusia pranoi njëkohësisht rezolutën 1244 të 10 qershorit 1999, në të cilën thuhej se për Kosovën do të kishte një status të ri të saj, duke përjashtuar vetëm dy opsione, atë jo më pak se autonomia e vitit 1974 dhe jo bashkim me një shtet tjetër. Pavarësia e Kosovës është parashikuar kësisoj si opsion i mundshëm në këtë rezolutë, prandaj dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë më 22 korrik 2010 e konsideroi shtetësinë e Kosovë jo vetëm në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, por në përputhje edhe me Rezolutën 1244. E përsëris kjo rezolutë është votuar në Këshillin e Sigurimit edhe nga Rusia. Asgjë nga këto nuk ka ndodhur në raport me rajonet e pushtuara nga Moska.

5. Kosova kaloi në një proces diplomatik ndërkombëtar unik në llojin e vet, i panjohur më parë për ndonjë vend tjetër. Në këtë proces bën pjesë funksionimi i Grupit të Kontaktit, pjesë e të cilit ishte Rusia. Bën pjesë Konferenca e Rambujesë, ku pjesëmarrëse ishte gjithashtu Rusia. Bën pjesë përpjekja dhe bisedimet për të ndaluar konfliktin dhe në grupin e këtyre bisedimeve ishte ish-kryeministri rus, Viktor Çenormërdin. Bën pjesë procesi i bisedimeve të Vjenës me Ahtisaarin për statusin e saj, ku Rusia pati përfaqësuesin e vet. Po ashtu bën pjesë procesi i bisedimeve shtesë pa Ahtisaarin, ku përsëri ishte prezent përfaqësuesi i Rusisë. Asnjë prej këtyre nuk është zhvilluar për asnjë rast në rajonet e pushtuara nga Kremlini dhe Vladimir Putin.

Ka edhe njëmijë argumente të tjera, të cilat përgënjeshtrojnë plotësisht pretendimet dhe krahasimet e presidentit rus, Vladimir Putin dhe ministrit të tij të Punëve të Jashtme, Lavrov. Këto argumente do të duhej t'i kishin elaboruar Hashim Thaçi në takimet me Putnin dhe Edi Rama në disa takime që ka pasur me Lavrovin, nga Nju Jorku deri në Moskë. Por këta nuk e kishin e nuk e kanë mendjen te Kosova. Nuk duan t'ia dinë nëse dëmtohet ose jo ajo nga deklaratat e papërgjegjshme të lidersihpit rus. Ndërkaq as marrin mundimin të shqetësohen pse Putin dhe Lavrov përmendin vazhdimisht në retorikën e tyre atë që ata e quajnë pjesëmarrje të shqiptarëve në luftën ukrainase kundër Rusisë! Gjithçka e ka një qëllim, ka dhe do të ketë pasoja. Gjithçka është propagandë për të justifikuar nesër një akt të dhunshëm diversioni ose agresioni.

Por politikanët shqiptarë në vend të merren me rrezikun serioz të akuzave të Kremlinit, kanë hall tjetër: T'i shpëtojnë përgjegjësisë për pasojat e luftës në Ukrainë. Pra, të lajnë duart nga ngritja e çmimeve. Kjo është e tmerrshme! Kjo është serioze! Sidomos në Tiranë, por shoh edhe njëfarë tendence të tillë gjithashtu te qeveria e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat