A do t’i lejonte kush nazistët sot të përdhosnin 8 majin 1945? Pse lejohet Vuçiç të përdhosë 24 marsin 1999?

Opinione

A do t’i lejonte kush nazistët sot të përdhosnin 8 majin 1945? Pse lejohet Vuçiç të përdhosë 24 marsin 1999?

Nga: Shaban Murati Më: 26 mars 2022 Në ora: 07:20
Shaban Murati

Një histeri naziste ka shpërthyer dhe kulmoi në 24 mars nga presidenti i Serbisë, Vuçiç, dhe nga qeveria serbe, kundër ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Serbi në 24 mars 1999.

Një histeri publike filonaziste e konkretizuar në glorifikimin e forcave kriminale serbe, që ndërmorën agresionin dhe spastrimin etnik në Kosovë në vitet 1998-1999. Presidenti Vuçiç organizoi në 24 mars glorifikimin nëpërmjet një shtatoreje të një komandanti kriminel të forcave speciale të policisë serbe në Prizren gjatë agesionit serb në Kosovë.

Vuçiç sulmoi NATO-n me fjalor utranacionalist se “NATO-s duhet t’i vijë turp  nga vetja për agresionin e 1999”. Presidenti serb bën një paraqitje kokëposhtë të historisë dhe fsheh agresionin e përgjakshëm të Millosheviçit në Kosovë dhe quan “agresion” ndërhyrjen humanitare të 19 shteteve demokratike të Aleancës Atlantike kundër shtetit agresor serb.

Në 24 mars shërbimet e posaçme qeveritare serbe organizuan një manifestim masiv në Beograd për të dënuar NATO-n dhe në përkrahje të agresionit rus në Ukrainë. Në manifestimet e ndryshme anti NATO mori pjesë dhe ambasadori rus në Beograd.

Po në 24 mars lideri i bandës fashiste ruse “Ujqit e natës” njoftoi se sëbashku me përfaqësues nga Serbia dhe nga “serpska republika” kanë mbjellë n malin Gasforta të Krimesë një pemë me emrin e Millosheviçit, në nderim të kriminelit ndërkombëtar të luftës, i cili vdiq në Gjykatën e Hagës.

Serbia i kërkoi në 24 mars edhe Malit të Zi që të përfshihej në këtë histeri antiatlantike, për të lejuar përfaqësues të forcave ushtarake serbe të organizonin ceremonira për një ushtar serb të vrarë në vitin 1999. Por Minisria e Jashtëme e Malit të Zi e refuzoi kërkesën provokuese të qeverisë serbe.

Me një histeri zyrtare dhe masive të veçantë presidenti Vuçiç dhe qeveria e tij celebruan këtë vit ditën zyrtare anti Nato, 24 marsin, ditë e vendosur nga qeveritë serbe qysh në vitin 2000 për të sfiduar NATO-n dhe Perëndimin.

Por tani histeria anti NATO e presidentit Vuçiç ka arritur përmasa absurde, sepse me zhurmën serbe për të ashtuquajturin “agresion të NATO-s në 1999”, ai kërkon të mbulojë realitetin e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe të krijojë një alibi artificiale për mosdënimin e agresionit rus nga Serbia dhe për refuzimin e Serbisë ndaj sanksioneve të tanishme të BE ndaj Rusisë.

Që nga 24 shkurti i nisjes së agresionit rus në Ukrainë e deri më sot Vuçiçi nuk ka thënë gjysëm fjale për të dënuar agresionin rus. Disa idiotë të dobishëm të Serbisë në Tiranë dhe në ndonjë kryeqytet të BE nuk dihet pse u përpoqën t’ia shesin opinionit të tyre publik si ar diplomatik kallpin serb të bashkimit të Beogradit me 141 shtete në votimin e rezolutën s OKB në 2 mars, që dënonte agresionin rus.

Ajo vota serbe ishte pjesëmarrje bizantine e Serbisë në një miting diplomatik, ku në 141 shtete nuk bie në sy shteti individual. E vërteta është se presidenti Vuçiç dhe Serbia, edhe pas miratimit të rezolutës së OKB, nuk e kanë dënuar asnjëherë Rusinë nominalisht për agresionin në Ukrainë.

Manifestimeve shtetërore kulmore të histerisë naziste të udhëheqjes serbe në mbrojtje të agresionit serb në Kosovë në vitin 1999, iu dha një jehonë e jashtëzakonëshme në mediat ruse, ku në 24 mars mbi 60 media ruse i kushtuan hapësira të mëdha histerisë së Serbisë kundër NATO-s.

I kushtuan, sepse është një mbrojtje e vlefëshme për Rusinë në këtë kohë të izolimit të saj të madh diplomatik europian dhe ndërkombëtar, dhe një ndihmë që i vjen agresorit rus nga shteti i vetëm europian, që nuk është bashkuar me sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe shteti i vetëm që nuk e ka dënuar invazionin rus në Ukrainë.

Përballë kësaj histerie filonaziste dhe antishqiptare të Serbisë për 24 marsin 1999 kemi heshtjen uluritëse të Tiranës zyrtare.

Shihni faqet zyrtare të kryeministrisë dhe të ministrisë së jashtëme në 24-25 mars dhe nuk do të gjeni asnjë deklaratë apo fjalë përshëndetje dhe mirënjohje për aktin e jashtëzakonshëm historik të 19 shteteve demokratike të NATO-s, të cilat ndërhynë dhe shpëtuan Kosovën nga gjenocidi dhe spastrimi etnik dhe sollën lirinë dhe pavarësinë e saj. Tirana kishte një rast të rrallë të bënte detyrën kushtetuese dhe kombëtare, sepse në 24 mars u zhvillua samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s në Bruksel, kur morën pjesë dhe kryeministri shqiptar, bashkë me ministren e jashtëme dhe ministrin e mbrojtjes. Ishte një forum dhe rast ideal diplomatik dhe moral që Shqipëria të falenderonte NATO-n për kontributin historik të çlirimit të Kosovës.

Një rast tjetër për të shprehur mirënjohjen shqiptare ndaj NATO-n ishte edhe ndarja nga jeta në 23 mars e arkitektes diplomatike për ndërhyrjen atlantike në të mirë të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, sekretares së famshme të shtetit në qeverinë e presidentit Bill Klinton, diplomates së rallë Medlin  Ollbrajt, e cila meriton të quhet “heroinë e kombit shqiptar”  dhe të ketë një shtatore në mes të Tiranës.

Por nuk gjendet asnjë deklaratë qeveritare në 24 mars për të shprehur mirënjohjen ndaj NATO-s dhe për t’iu kundërpërgjigjur fushatës naziste të presidentit serb, i cili ka ngritur një fabrikë balte për përdhosjen e ndërhyrjesl lirisjellëse të NATO-s dhe po shfryn urrejtjet nacionaliste serbe kundër Kosovës, kundër kombit shqiptar dhe kundër NATO-s.

Shqipëria ka detyrimin kushtetues që të mbrojë të  vërtetat historike të kombit shqiptar dhe të Aleancës Atlantike në Ballkan. Ka detyrën kombëtare që t’i përgjigjet antishqiptarit të madh Vuçiç, që drejton Serbinë sot, dhe të mos lejojë gënjeshtrat dhe platformat fashiste serbe të helmojnë Ballkanin.

E papranueshme është edhe heshtja e BE përballë kësaj histerie naziste në Beograd. Presidenti serb bën në 18 mars deklaratën skandaloze fashiste që “Unë them se Millosheviçi nuk është fajtor” dhe Borrellët, Lajçakët dhe asnjë zyrë diplomatike e BE nuk jep alarmin për këtë thirrje dhe program luftënxitës serb në rajon.

Në vend që të merret me politikën e rrezikëshme dhe proruse të presidentit serb, i cili po ringjall fantazmat e Millosheviçit, në vend të merret me qeverinë serbe që po ngren shtetin dhe populllin serb në manifestime për mbrojtjen e agresionit rus në Ukrainë, burokracia diplomatike e BE gjen kohë dhe shpreh përkrahje për rivendikimet territoriale të Serbisë në Kosovë me pretekstin absurd të organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Nuk dihet se cila është ajo mendje e ndritur diplomatike në BE që në këtë situatë të zjarrit rus në Europë dhe kur Serbia është aleate e atij zjarri, kritikon Kosovën pse nuk lejon zgjedhjet serbe në territorin sovran të shtetit të Kosovës.

Asnjë diplomat i asnjë shteti anëtar të BE nuk është në gjendje të sjellë qoftë dhe një shembull të vetëm kur një shtet anëtar i BE ka lejuar që të mbahen në territorin e vet zgjedhje ruse, bjelloruse apo iraniane.

Duke heshtur përballë kësaj përdhosje, që presidenti serb i bën të vërtetës historike të ndërhyrjes humanitare dhe çlirimtare të NATO-s në 1999, duke bërë mumjen përballë histerisë naziste të presidentit serb, me dashje apo pa dashje i jepet ndihmë gjithë strategjisë dhe frymës fashiste të agresionit rus në Ukrainë.

Serbia po përdhos historinë atlantike dhe europiane të 24 marsit 1999 dhe po glorifikon kriminelët e saj të luftës. Serbia po ndjek modelin rus të sjelljes, një sinjal alarmant se ajo mund të tentojë në rajon atë që ndërmori Rusia në Ukrainë.

Diplomacia e BE dhe ajo ndërkombëtare nuk mund dhe nuk duhet të mbyllin sytë përpara rrezikut, që vjen rajonit nga Serbia nacionalfashiste. Rusia dhe Serbia janë vëllezërit siamezë të nazizmit dhe të agresionit./DITA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat