Kuvendimi im në heshtje me kryetrimin Xhemë Hasa - Gostivari për Ballkanin e Hapur të “trojkës shqiptare”

Opinione

Kuvendimi im në heshtje me kryetrimin Xhemë Hasa - Gostivari për Ballkanin e Hapur të “trojkës shqiptare”

Nga: Dr.Ramazan Bekteshi Më: 10 qershor 2022 Në ora: 10:08
Treshja proserbe Rama, Abazoviç dhe Ali Ahmeti (Abazi)

Komandant, po vij nga Prishtina, Kosova po mbahet, në momente me vështirësi, sepse brenda saj ka shumë armiq, sepse hasmi mundohet t’i përçaj, njësoj si në kohën tuaj. Serbi investon fort aty, por shpirti Dardan nuk dorëzohet. Serbia e ka gjetur vasalin e vet në Tiranë, ai që bashkëpunon me hordhitë serbo-ruse, dhe promovon një krijesë sllave, Ballkani i Hapur, që për qëllim ka dominimin serb dhe përqafimin e pansllavizmit.

Kryetrimi ynë, jemi në hall të madh, kryeministri i Shqipërisë, Edvin Kristaq Rama, shpesh takohet me kryetarin serb, një kriminel lufte, besohet se në Nish ka filluar biseda për ndarje të Kosovës, ka pas takime me Lavrovin, një ideolog i Ballkanit të Hapur, dhe ndonëse dështoi fluturimi i tij në Serbi, Rama kujdeset fort që mos të dështoj edhe Ballkani i Hapur i Vuçiqit, që u mbajt në Ohër duke rekrutuar edhe dy ‘kukulla’ shqiptare në përkrahje të kësaj krijese antishqiptare, njërin nga Podgorica e tjetrin nga Shkupi.

Heroi ynë, Kosova qëndroi, trimat e saj së bashku me Amerikën e pavarësuan, shumë gjak rrodhi, shumë masakra, poshtërime grash, vrasje fëmijësh, trupa të pagjetur edhe pas 22 vitesh, një gjenocid ndodhi, por, këto djegieje e këto dhimbje, nuk i ndjen kryeministri shqiptar dhe as që do të dëgjoj, ai është nis një rruge të kobshme, një rruge të mbrapshtë e pakthim, ai e mban krahun e hasmit. Ai ia ka kthyer shpinën homologut kosovar për t’ia bërë qefin vëllait të tij serb, ashtu siç ndodhte në kohën tuaj, kur partizanët nga Shqipëria së bashku me partizanët dhe çetnikët masakronin shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Luginë, Mal të Zi, e Maqedoni.

Kalorësi ynë, Xhemë Gostivari, më fal që po t’i radhis ankesat e mia, por këto ditë ndodhi edhe një pabesi, nga fshati i bashkëpunëtorëve tu më besnik, nga Zajazi kreshnik i dy kryetrimave, Mefailave të Zajazit, Rama rekrutoi edhe një ‘pionier’ siç e quan ai të Ballkanit të Hapur (Ali Ahmetin) dhe së bashku me një pionier tjetër nga Ulqini, (D. Abazoviq) i rekrutuar më herët nga serbët e tani nga Rama, përbëjnë hallkën e “trojkës” shqiptare të Ballkanit të Hapur, në përkrahje të Vuçiqit, një komplot ndaj Procesit të Berlinit. Janë këta tre renegatët që do të mbesin në kujtesën tonë të errët kolektive që ia kanë hap zemrën Beogradit dhe ia kanë kthyer shpinën Kosovës, megjithatë, Kosova mbahet fortë, baba Xhemë!

Zemërluani ynë, s’dua më të ta rëndojë kokën me lajme të këqija, por Shkupi, ai kryeqyteti që ju me Mit’hat Frashërin e ëndërronit ta bënit kryeqytet të shqiptarëve është katandis dhe i ndarë dysh, pjesa shqiptare i ngjan një kasabaje aziatike në pamje dhe i mbuluar me burka, ferexhe e fukarallëk, derisa pjesa maqedonase, në mënyrë artificiale është e veshur me barok e përmendore jo shqiptare biles edhe anti-shqiptare, por, ja që shqiptarët nuk protestojnë, por në vend të saj dhe padrejtësive të shumta kanë zgjedhur udhën e braktisjes së vendit nga hallet e jetës e disa të tjerë përgatiten të marrin rrugën e haxhillëkut e që në këto kohë të vështira kushton nga 6.000 deri 10.000 euro për person.

Komandanti legjendar, tani do të ik me lejen tuaj, drejt Zajazit, por atje bashkëluftëtarët tuaj dhe heronjtë tanë nuk janë shkri në bronz si ju, atje në një cep kodre partia ka vendos një statujë gjigande, e quajnë nëna shqiptare, pa emër e mbiemër sepse dikush ka shpërlarë para aty, duke përbuzur historinë tonë. Pastaj do të vazhdoj udhës drejt Kërçovës heroike, por të shumëvuajtur dhe të braktisur në kurbet, dhe më në fund drejt fshatit tim të lindjes që ne e vetëquajmë Kastriot, po ashtu gjysmë i boshatisur që i fali aq shumë atdheut.

Idoli ynë, sot ndjehem i përmbushur me këtë bashkëbisedim e rrëfim, kështu jemi ne shqiptarët në këto kohë të liga, ndjehemi të përmbushur dhe plot iluzione, edhe kur bëjmë homazhe, edhe kur shpifim, edhe kur tradhtojmë, edhe kur bëjmë grusht shtet, edhe kur shajmë në parlament përpara kamerave e fëmijëve tanë, edhe kur luftojmë për pushtet me çdo mjet...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat